Në dekadat e ardhshme, popullsia bullgare do të plaket dhe reduktohet dhe deri në vitin 2050 numri i personave në moshë pune do të ulet në mënyrë të konsiderueshme.
Kjo u njoftua nga Victoria Levin, ekonomist në Bankën Botërore, i cili prezantoi një studim të institucionit financiar mbi tregun e punës në Bullgari.
Sipas studiuesve pjesëmarrës në sondazh, duhet të merren masa mbi rritjen e produktivitetit të punës në të ardhmen.
Levin vuri në dukje se rritja ekonomike e Bullgarisë nga e kaluara e afërt ka ardhur kryesisht për shkak të sektorit të ndërtimit, e cila mbështetet në punëtorët me kualifikim të ulët.
Megjithatë, pas krizës, këto mundësi për punë kanë humbur në mënyrë të pakthyeshme, citohet nga ‘investor.bg’.
Trendi i parashikuar për të ardhmen konsiston në rritjen e kërkesës për punëtorë me kualifikim të lartë, veçanërisht në sektorin e Teknologjisë Informative dhe Telekomunikacionit (TIK).
Një studim i vitit 2013 nga Banka Botërore tregon se që nga viti 1985 popullsia bullgare e moshës mes 15 dhe 64 vjeç ka rënë nga pothuajse 6 milionë deri në 5 milionë.
Parashikimi për popullsinë në moshë pune reduktohet përgjysmë në pesëdhjetë vjet, që nuk ndodh vetëm për shkak të uljes së normës së lindjeve, por edhe për shkak të migrimit.
Sipas studimit, kriza ekonomike ka ekspozuar dobësitë e tregut të punës në Bullgari, ku grupet më të prekur janë të rinjtë dhe më pak të arsimuarit.
Analistët theksojnë se funksionimi jo optimal i tregut të punës po pengon përshtatjen e ekonomisë bullgare dhe potencialin e saj për rritje ekonomike.
Raporti vë në dukje se Bullgaria duhet të investojë në rritjen e aftësive të popullsisë.
Hulumtuesit sugjerojnë se një treg pune që funksionon më mirë, i cili absorbon plotësisht burimet e tij të punës, mund të ndihmojë vendin të adaptohet më mirë në drejtim të ndryshimit demografik dhe të përmirësojë perspektivat ekonomike afatgjata.
Analistët thonë se koeficienti i ulët i pjesëmarrjes në tregun e punës, veçanërisht në mesin e të rinjve dhe romëve, si dhe nivelet e larta të papunësisë, janë të lidhura me rritjen e mospërputhjes mes kërkesës dhe ofertës së aftësive.
Një mospërputhje e tillë është fakti se sektorët që kërkojnë punëtorë të kualifikuar do të gjenerojnë kërkesë për punë, ndërsa një pjesë e madhe e fuqisë punëtore në Bullgari ka kualifikim të ulët.
Raporti shton se koeficientët e pjesëmarrjes në tregun e punës në mesin e të rinjve (të moshës mes 18 dhe 29 vjet) dhe më të moshuarve (të moshës 50-65 vjeç) janë shumë më të ulët sesa në shtetet e tjera anëtare të BE.
Në të dyja grupet, një numër i madh i të papunëve të përhershëm janë femra.
Ekspertët vërejnë se me plakjen e popullsisë, tërheqja e këtyre segmenteve do të jetë e një rëndësie vendimtare.
Raporti konkludon se Bullgarisë i mungon kultura e mësimit gjatë gjithë jetës, me vetëm 7% të popullsisë në moshë pune që merr pjesë në një lloj arsimi.