Kampionati Botëror i Futbollit Rusi 2018 është një ndër kompeticionet më të rëndësishme të këtij viti (po aq i rëndësishëm edhe nga pikëpamja ekonomike).
Kampionati nisi në Moskë, me ndeshjen Rusi – Arabi Saudite, që përfundoi me rezultatin 5-0 dhe do të mbyllet po në Moskë më 15 korrik në Luzhniki Stadium me finalen e madhe.
Në këtë biznes miliarda eurosh, nuk është çudi që Rusia ka investuar kaq shumë për zhvillimin e këtij Botërori. Në fund të fundit flitet për ngjarjen sportive të katërtën për nga rëndësia në botë – sipas Forbes (pas Super Bowl dhe Lojërave Olimpike që zhvillohen në verë dhe në dimër) me një vlerë brandi 230 milionë dollarë.
Për organizimin e këtij kompeticioni, janë shpenzuar 9 miliardë euro, nga të cilat 70% nga fonde publike ndërsa pjesa tjetër nga kompani private.
Sa vlen Botërori i Futbollit Rusi 2018 /Shifrat e FIFA-s
Në qendër të këtij kompeticioni (biznesi) mbetet FIFA. Pavarësisht mungesës së disa kombëtareve, me tregje të mëdha pas krahëve, si Italia dhe SHBA, krahasuar me vitin 2014, rritja e të ardhurave vlerësohet me rreth 1,3 miliardë euro, ku një pjesë e mirë vjen nga të drejtat televizive.
FIFA flet për 6,1 miliardë euro të ardhura, 10% më shumë se vlerësimet fillestare, dhe pikërisht 1,3 miliardë më shumë se në Brazil 2014. Të ardhurat nga shitja e të drejtave televizive janë rritur me 2% krahasuar me objektivin prej 3 miliardë eurosh, kurse marrëveshjet e sponsorizimit kanë gjeneruar 200 milionë euro më shumë krahasuar me 1,45 miliardë që FIFA kishte planifikuar të fitonte.
Në mënyrë të veçantë, numri i sponsorëve është rritur falë kompanive kineze. 7 nga 20 kompani që sponsorizojnë Kupën e Botës Rusi 2018 janë kineze, krahasuar me vetëm një kompani nga Kina në Kupën e Botës 2014.
Rritja e fitimeve ka nxitur edhe rritjen e shpërblimeve. Federata ka vënë në dispozicion rreth 345 milionë euro, në rritje krahasuar me rreth 310 milionë në vitin 2014. Çdo Kombëtare pjesëmarrëse është e sigurt se do të fitojë të paktën 8,2 milionë euro (nga të cilat 1,3 milionë si kontribut për të mbuluar shpenzimet logjistike), që mund të rriten deri në 32,7 milionë euro në rast të fitimit të Kupës së Botës. FIFA garanton edhe 300 milionë euro sigurime, në rast të dëmtimit të lojtarëve dhe rimbursimeve të shpenzimeve për klubet.
Shifra të tilla nxisin edhe kompanitë e mëdha të investojnë në Botëror. Kompanitë e veshjeve sportive, për shembull, kanë shpenzuar rreth 500 milionë euro për të sponsorizuar fanellat e të gjitha kombëtareve të botës. Për këtë, kompani si Nike dhe Adidas (më të famshmet) e shohin Kupën e Botës si një rast të mirë për t’u dukur në fushë.