Si Velipoja, duke ndjekur një strategji të uljes së çmimeve, kur në bregdetin e Jugut çmimet u shtrenjtuan së tepërmi, arriti të bëhet mjaft e preferuar nga pushuesitVelipoja duket i vetmi vend turistik, që prej dy vjetësh nuk po e ndien aspak krizën e pushuesve, ndryshe nga bregdeti i Durrësit dhe sidomos Saranda, ku numri i pushuesve ka rënë dukshëm. Këtë sezon veror Velipoja ka pritur një numër të madh pushuesish sezonale e ditorë dhe pse siç thonë vendasit nuk është shfrytëzuar e gjithë vija bregdetare. “Çmimet e ulëta, pastërtia në plazh dhe një treg fruta perimesh janë arsyet kryesore, që sipas Z. Ismail Beka, koordinator i GTZ-së, sivjet në Velipojë ka patur një numër të madh pushuesish në krahasim me vitin e kaluar. Vetëm 30 kilometra larg Shkodrës, nga grykëderdhja e lumit të Bunës dhe deri në Lagunën e Vilunit, shtrihet plazhi i Velipojës. Velipoja shfrytëzohet edhe si plazh ditor nga qytetarët shkodranë dhe banorët përreth. Kapaciteti i tij në periudhë piku llogaritet jo më shumë se 20 mijë pushues në ditë. Velipoja sivjet po u ofron pushuesve plazh shumë më të lirë në krahasim me vendet e tjera bregdetare. Një gjë të tillë e pohojnë administratorët e lokaleve, të cilët të thonë se “çmimet janë më të lirat në të gjithë bregdetin shqiptar”. Një natë për p.sh., kushton nga 2-6 euro, ndërsa një dhomë për familjarë kushton nga 8 euro deri në 25 euro. Tek hotelet ku çmimi është mbi 20 euro dhoma, në çmim përfshihet dreka dhe darka. Pushuesit mund të qëndrojnë në plazhin popullor, ku mund të vendosen me një çadër në rërë, ose në plazhet private, të cilat janë të rrethuara dhe ofrojnë çadra e shezlongë me çmime të arsyeshme, që variojnë nga 100 lekë deri në 150 lekë, kjo varet nga lloji i hotelit.Plazhi i Velipojës ka rreth 100 ambiente akomoduese të llojeve të ndryshme, si hotele dhe kabina. Hotelet komode ofrojnë furnizim me ujë dhe energji për 24 orë. Hotelet ofrojnë dhoma komode, ku pushuesit mund të gjejnë të gjitha kushtet e nevojshme. Po kështu, familjarët kanë mundësi të akomodohen në kabinat, të cilat kanë dhomë ndenje, dhomë gjumi, si dhe mundësi gatimi. Ndërkohë, pranë hoteleve ka kënde të shumta sportive, të cilat ofrojnë mundësi argëtimi. GTZ: projekte për VelipojënVetëm këtë sezon turistik GTZ-ja ka realizuar një sërë projektesh dhe masash të ndryshme me qëllim favorizimin dhe përmirësimin e kushteve në plazh dhe në ambientetet pushuese të Velipojës. Një ndër masat e para ka qenë pastrimi i plazhit të Velipojës, vendosja e koshave në zonat më të frekuentuara të plazhit si dhe fushata të ndryshme sensibilizuese për të mbajtur këto ambiente pastër e për të mos hedhur mbeturinat pa kriter duke ndotur e dëmtuar mjediset çlodhëse e kënaqësinë e pushimeve.Beka i GTZ-së thotë se janë organizuar disa nisma nga projekti i GTZ-së në bashkëpunim me shkollën e Velipojës, në muajin qershor ku rreth 60 nxënës të kësaj shkolle, të pajisur me mjetet e duhura doreza, thasë plastike etj., janë përfshirë në pastrimin e plazhit. Kjo nismë është pasuar nga një tjetër fushatë sensibilizuese e zhvilluar në muajin korrik, ku në një ditë të nxehtë e shumë të frekuentuar nga plazhistë në bregdetin e Velipojës, bashkëpunëtorë të GTZ-së dhe një grup të rinjsh nga shoqata vullnetare kanë pastruar përsëri zonat e plazhit me grumbullim më të madh mbeturinash e kanë shpërndarë slogane sensibilizuese për mbajtjen pastër të mjedisit.”Pastrimi synon rritjen e ndjenjës së gjerë të sensibilizimit të njerëzve në Shqipëri, për një sjellje më të ndëgjegjshme karshi mjedisit që na rrethon dhe qëllimi i këtij projekti ishte rritja e vetëpërgjegjësimit të brezit të ri dhe të popullsisë lokale”, thotë Z. Beka. Për të dytin vit radhazi në Komunën e Velipojës është organizuar projekti i punësimit të personave, të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike nga shteti, për të zhvilluar punë publike në pastrimin e plazhit. Ky është një program katërmujor që mbështetet edhe nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale. Z. Beka sqaron se “në kuadër të këtij projekti personat e papunë ftohen për të punuar për pastrimin e plazhit, kundrejt një page sa trefishi i ndihmës ekonomike dhe në këtë mënyrë nxitet punësimi dhe ulet varfëria”. Një projekt tjetër me ndikim të drejtëpërdrejtë për rritjen e të ardhurave ekonomike të sektorit privat është tregu për shitjen e fruta perimeve me prodhimet e freskëta të vetë fermerëve të Velipojës. Gjatë vitit 2005, tregu është ngritur në një zonë më të rëndësishme të plazhit dhe është ndërtuar me një infrastrukturë më të plotë. Në këtë mënyrë plotëson të gjitha kriteret e një tregu modern për fermerët dhe, në krahasim me një vit më parë është shtuar numri i fermerëve, që shesin në treg (deri në 25 fermerë), por në mënyrë të veçantë është rritur llojshmëria e produkteve.Promocioni i Volipojes si destinacion turistikËshtë botuar për të dytin vit broshura me informacionin e të gjitha hoteleve dhe shtëpive që ofrojnë kushte për pritjen e turistëve në Velipojë, e cila është promovuar në Shqipëri dhe në panairet e turizmit ITB Berlin, Kosovë dhe Maqedoni. “Velipoja përbën një destinacion modest turistik për nga infrastruktura, por shumë të frekuentuar dhe çka është e rëndësishme hotelet në sezonin turistik janë më të shfrytëzuara në krahasim me zonat tjera turistike të vendit”, thotë Z. Beka.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.