Në vitin 2018, në sektorin bullgar të automobilave janë bërë investime me vlerë mbi 200 milionë leva bullgare, që kanë ndikuar mbi të gjitha në hapjen e rreth 3,200 vendeve të reja pune. Kjo u deklarua nga zëvendësministrja e Ekonomisë, Lilia Ivanova në hapjen e një forumi kushtuar dizajnit italian në industrinë e automobilave, i cili u zhvillua në Sofje, raportoi Econ.bg
Forumi u organizua nga Confindustria Bulgaria dhe Automotive Cluster dhe nga i ftuari special në këtë ngjarje, inxhinier Paolo Pininfarina, drejtor i Pininfarina AD, një nga emrat më me influencë në botë në dizajnin e makinave, duke prezantuar arritjet dhe tendencat më të fundit në fushën e dizajnit të automobilave, interiorit dhe arkitekturës.
Zëvendësministrja e Ekonomisë vuri në dukje se “vitet e fundit, zhvillimi i sektorit të automobilave në Bullgari ka qenë jashtëzakonisht pozitiv dhe dinamik dhe vendi ynë është shndërruar në një prej destinacioneve më të preferuara të investitorëve në drejtim të industrisë së automobilave”.
Sipas saj, ka rreth 220 kompani në këtë industri, me mbi 50,000 njerëz që punojnë në sektorin e prodhimit të pjesëve të ndryshme të makinerive për secilin prej prodhuesve më të mëdhenj të makinave në botë.
“Ne jemi optimistë që trendi i këtij zhvillimi pozitiv do të vazhdojë edhe këtë vit, duke qenë se aktualisht kanë nisur rreth tetë projekte të reja të investitorëve potencialë në këtë sektor”, tha zëvendësministrja Ivanova. Ajo theksoi edhe marrëdhëniet shumë të mira ekonomike me Italinë.
“Gjatë 2018-s, vlera e tregtisë ndërmjet dy vendeve ishte rreth pesë miliardë euro, gjë që e bën Italinë, një ndër partnerët kryesorë të Bullgarisë”, përfundoi znj. Ivanova.