Juventus ëndërroi deri në minutën e 93-të në stadiumin “Santiago Bernabéu”, por një penallti e diskutueshme dhe shumëkundërshtuar i dhuroi kualifikimin në gjysmëfinale Realit të Madridit.
Bardhezinjtë arritën të përmbysnin rezultatin e ndeshjes së parë, në “Allianz Stadium”, falë dopjetës së Mandzukic në pjesën e parë dhe golit të Matuidi. Por, pak sekonda para fërshëllimës finale, me ndeshjen që do të shkonte në kohën shtesë, “Los Blancos” shënuan një gol pas penalltisë së diskutueshme (Buffon u ndëshkua me karton të kuq, dhe u zëvendësua nga portieri i dytë Szczęsny; Cristiano Ronaldo nuk gaboi nga pika e 11-metërshit).
Me eliminimin në çerekfinale, Juventus nuk do të jetë klubi italian që do të fitojë më shumë në Champions League – eliminimi i bardhezinjve do t’i japë mundësinë Romës të fitojë më shumë të ardhura (falë fitores në ndeshjen e kthimit 3 – 0 kundër Barcelonës).
Juventus, të ardhurat nga Champions League 2017/18, market pool
Juventus do të luajë minimalisht dy ndeshje më pak krahasuar me Romën: verdhekuqve do t’u shkojë pjesa më e madhe e market pool 2, pas eliminimit të Napolit që në fazën e grupeve. Situata aktuale është kështu: ndarja e të ardhurave do të konfirmohej me eliminimin e Romës në raundin e ardhshëm, në gjysmëfinale.
Juventus, me eliminimin e Romës në raundin tjetër, do të fitonte 77,8 milionë euro. Ndërsa verdhekuqtë, 81 milionë euro. Eliminimi i bardhezinjve i buzëqesh klubit të Pallotta-s që, në rast të kualifikimit të Juventusit, do të fitonin rreth 2 milionë euro më pak.
Në rast se verdhekuqtë kualifikohen në finalen e madhe, të ardhurat e Juventus do të pësonin një rënie me rreth 600 mijë euro, në 77,2 milionë euro. Ndërsa për Romën, të ardhurat do të rriteshin në 92 milionë euro në rast se mundet në finale ose 96,5 milionë euro nëse shpallet kampione e Europës në ndeshjen që do të zhvillohet në Kiev.