Qeveria shqiptare njoftoi mosrinovimin e kontratës me kompaninë e konsulencës në dogana, Crown Agents.
Financat raportuan se vlerësonin punën e saj, që nuk lidhej vetëm me të ardhurat, por pohon se “tani do të mund të vazhdojmë të realizojmë standardet që përvetësuam”. ( Lexo: Crown Agents i mbaron kontrata; Financat, tani do vazhdojmë vetë, përvojën e morëm).
Por, si ka qenë historia e kontratës, sa u realizuan kushtet e saj dhe a ishte kjo një kontratë, ku përfitimet i tejkaluan kostot?!
E konceptuar si një kontratë konsulence e ndërthurur me aksione në terren, kompania do të fitonte si pagesa 8.5 milionë euro në dy vitet e para të aktivitetit, plus 400 mijë euro për makina dhe të tjera pagesa për zyrat dhe infrastrukturën operacionale në Shqipëri.
Situata nuk ka qenë shumë dramatike në vitin e parë kur të ardhurat neto në fund të 2014-s ishin 10.9 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013, ndonëse plani vjetor nuk u realizua me 5.5 miliardë lekë ose -3.5%.
Por gjithsesi, Crown Agents nuk e ka përmbushur detyrimin kontraktor me qeverinë shqiptare, pasi të ardhurat faktike ishin vetëm 78 milionë euro më shumë, ndërkohë që kontrata e kërkonte që ato të mos ishin më pak se 90 milionë euro.
Por situata u bë alarmante në 2015-n, ku performanca e doganave ka rënë dukshëm si me planin dhe me faktin e vitit. Deri në fund të muajit nëntor, doganat kishin grumbulluar 7.3 miliardë lekë më pak në krahasim me faktin e vitit 2014, dhe 9.5 miliardë lekë më pak se plani i vitit. Siç shihet nga rezultatet e të ardhurave doganore, kompania britanike, Crown Agents, jo vetëm që nuk e ka përmbushur detyrimin kontraktor për rritjen e të ardhurave, por deri në fund të nëntorit ato ishin 52 milionë euro më pak se fakti i vitit 2014.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka thënë më 12 nëntor të vitit 2013 në Komisionin e Ekonomisë se “treguesit e performancës do t’i kushtëzojnë pagesën nga ana e qeverisë shqiptare kompanisë Crown Agents deri në 25%. Ndërkohë deri në 10% e pagesës kushtëzohet me objektivin e përcaktuar që të ardhurat nga të doganat të arrijnë jo më pak se 90 milionë euro në vit”.
Shqipëria si një vend me zhvillim, ku ekonomia e saj është bazuar në konsum dhe volumi tregtar vjetor me jashtë është mbi 500 miliardë lekë ka njohur raste të mëdha të kontrabandës. Si rasti i naftës virgjin në vitin 2011, ku 11 pronarë dhe administratorë të kompanive “Fisheku” dhe “Eurooil”, u futën në burg. Aktualisht të dy kompanitë kanë falimentuar. Por në dy vitet e fundit, kapja e rasteve të mëdha të kontrabandës ka munguar, edhe pse grosistë brenda tregut të cigareve dhe karburanteve pohojnë se kontrabanda në këto produkte është në nivele të larta.
Si u përjashtua Crown nga taksat
Sipas përcaktimeve në kontratë, Crown Agents ka përfituar për dy vjet 8.5 milionë euro nga fondet e taksapaguesve. Ekspertët e ekonomisë e patën paragjykuar kontratën me Crown Agents që në nisje të saj, por tani qeveria duket se është bindur pas eksperimentimit dyvjeçar duke sinjalizuar edhe mosrinovinim për vitin e tretë të konsulencës.
Crown Agents, përveçse ka përfituar pagesat fikse dhe pagesa të tjera ekstra për shpenzimet e drejtpërdrejta, ka qenë e përjashtuar nga taksat.
Sipas marrëveshjes me qeverinë shqiptare të botuar në Fletoren Zyrtare nr. 194 të vitit 2013, kontraktuesi (Crown Agents) është përjashtuar nga tatimfitimi, tatimi mbi dividentin, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në import dhe tarifat doganore, taksat dhe tarifat në nivel vendor.
Personeli ka qenë i përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe nga TVSH-ja dhe tarifat doganore, në lidhje me importet për sendet e tij vetjake.
Kohëzgjatja e marrëveshjes
Marrëveshja mes Crown dhe qeverisë u lidh në pranverë të 2014-s për një afat 24-mujor (viti I dhe viti II), me të drejtë rinovimi edhe 12 muaj të tjerë (viti III). Vendimi për rinovimin ose përfundimin e zbatimit të marrëveshjes merret nga Këshilli i Ministrave, i cili vendosi mosrinovimin.
Por Autoriteti kontraktues (qeveria) kishte të drejtë që të kërkojë zgjidhjen e marrëveshjes brenda dymbëdhjetë muajve të parë të zbatimit të saj, nëse nuk përmbusheshin treguesit kryesorë të performancës, sipas parashikimeve të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave. Por pavarësisht se detyrimet e performancës nuk u përmbushën nga britanikët as në vitin e parë, qeveria nuk e ndërpreu marrëveshjen.
Pagesat
Për qëllimet e kryerjes së shërbimeve, qeveria ia ka ofruar kontraktuesit pa pagesë, duke nisur nga data e fillimit të shërbimit, zyrat, automjetet, pajisjet dhe lehtësitë e tjera të përcaktuara në shtojcën B, e cila nuk është bërë publike dhe nuk është e botuar në QPZ.
Vlera totale e tarifave dhe shpenzimeve të drejtpërdrejta për vitin e parë, sipas kontratës, nuk do të kalonte shumën 4,250,000 euro (katër milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë euro), plus koston e furnizimit dhe vënies në përdorim të 10 (dhjetë) automjeteve operacionale (deri në një shumë limit prej 400.000 eurosh).
Vlera e përgjithshme e tarifave dhe e shpenzimeve të drejtpërdrejta për vitin e dytë të kontratës nuk do të kalojë shumën 4,250,000 euro (katër milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë euro).
Në rast se Autoriteti Kontraktues i jep Kontraktuesit njoftimin për zgjatjen e afatit të kontratës (viti i tretë) vlera e përgjithshme e tarifave dhe e shpenzimeve të drejtpërdrejta për vitin e tretë të kontratës nuk do të kalojë shumën 4,250,000 euro (katër milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë euro), plus TVSH-në (nëse zbatohet) sipas saktësimit në tabelën e pagesave të Kontraktuesit.
Qeveria do t’i paguante Crown sipas kontratës, një paradhënie të barabartë me 10% të vlerës së tarifave dhe shpenzimeve të drejtpërdrejta për vitin e parë dhe të dytë të kontratës (pagesa e paradhënies), për të mbuluar mobilizimin dhe kostot e tjera.
Përfitimet sipas financave
Ministria e Financave në një njoftim zyrtar për shtyp ditën e djeshme ka sqaruar se kontrata me Crown Agents nuk lidhej vetëm me të ardhurat.
Kontrata me Crown Agents kishte 4 objektiva kryesore që lidheshin me:i) luftën kundër korrupsionit, ii) me miradministrimin, iii) me elementë që kanë të bëjnë me përmirësimin e performancës dhe burimet njerëzore. Të gjitha këto do të çonin në një rritje të efektivitetit,që ne shpresonim të përkthehej nëiv) të ardhura më të larta.
“Nga ky bashkëpunim kemi disa elementë kyç të performancës, që bazohen në realizimin më të mirë, më të shpejtë dhe më zbatues të këtyre katër faktorëve, ku fokusohemi tek procedurat, antikontrabanda dhe antikorrupsioni, por dhe tek analiza e riskut. Rritja e të ardhurave nuk varej vetëm nga shoqëria e konsulencës. Kontrata ishte një kontratë konsulence, ndërsa punën duhet ta bënte dhe duhet të vazhdojë ta bëjë Dogana”, njoftoi Ministria.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.