Në Dubai, lajmet e reja nuk kanë fund. Projekti i fundit i prezantuar nga Sheiku Mohammed bin Rashid Al Maktoum është ai i dy ishujve të rinj artificialë, në të cilat do të ndërtohen rezorte luksoze, por jo vetëm.
Ndërtimi i tyre do të përfundojë në 2020, vit kur Dubai do të mirëpresë Panairin botëror “Expo 2020”.
Sipas përgjegjësve të projektit të ri, dy ishujt, emri i të cilëve do të jetë Marsa Al Arab, mund të mirëpresin 20 milionë vizitorë.
Një nga ishujt do t’i kushtohet kënaqësisë dhe pushimeve për familjet, me një park ujor dhe një park detar, si dhe një teatër me kapacitet 1700 spektatorë në të cilin do të japë shfaqje Cirque du Soleil.
Në ishullin tjetër do të ndërtohen 140 vila luksoze, një hotel, një marinë private ku do të ankorohen super jahte dhe një heliport.
Në të dy ishujt do të ndërtohen pista për biçikleta, shtigje dhe pishina për relaksin e vizitorëve. Do të ndërtohet edhe Dubai Pearl Museum, muzeu i perlave, në të cilin do të ekspozohen perla të rralla dhe antike, por edhe një laborator, i cili do të jetë i lidhur drejtpërdrejt me detin, nga ku mblidhen perlat.
Dubai është i gjithi një shesh ndërtimi. Me rastin e Expo 2020 janë duke u çuar përpara një numër i madh projektesh, ndër të cilat aeroporti ndërkombëtar Al Maktoum që do t’u shërbejë 146 milionë pasagjerëve brenda vitit 2025. Në Marsa Al Arab do të ketë edhe 2,2 km plazhe në brigjet mjaft të frekuentuara të Emirateve.
Në Dubai ekzistojnë tre ishuj artificialë. Më i famshmi është Palm Jumeriah ku janë ndërtuar disa hotele, vila dhe apartamente. Në të ishin parashikuar të ndërtoheshin edhe shumë të tjera, por këto projekte kanë mbetur pezull për shkak të krizës që goditi Emiratet e Bashkuara në vitin 2009.
Palm Jebel Ali, ndërtimi i të cilit nisi në vitin 2002, duhet ende të përfundojë. Ndërsa projekti i Palm Deira është ndryshuar dhe do të ndërtohen ishuj Deira. Në fund, projekti gjigant për të ndërtuar një arkipelag artificial, The World, i formuar nga 300 ishuj që kanë formën e botës, është realizuar veç pjesërisht.
Sot Dubai është një ndër vendet më të vizituara në botë. Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2017, ka mirëpritur më shumë se 3 milionë vizitorë, thuajse katër herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rritje 12 për qind sipas të dhënave të Dubai Tourism.
Brenda vitit 2020, Dubai mund të bëhet vendi më i vizituar në botë.