Eksportet kanë shënuar një rritje prej 13.4% me bazë vjetore për periudhën janar-qershor, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, duke ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes, teksa për 5 mujorin, zgjerimi ishte gati 17%.
Arsyeja kryesore e këtij ngadalësimi lidhet me rënien e fortë të shitjeve jashtë vendit të grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, që në qershor pothuajse u përgjysmuan, për të arritur në 2.7 miliardë lekë (nga 5.3 mld lekë të njëjtën periudhë të një viti më parë). Kjo ka bërë që rritja e këtij grupi për 6 mujorin të ngadalësohet në 11%, nga rreth 40% që ishte zgjerimi në muajt e parë të vitit.
Arsyeja kryesore e këtij ngadalësimi lidhet me faktin se prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, një nga eksportuesit më të mëdhenj, po e shet një pjesë të konsiderueshme të naftës në vend, tek kompania IRTC, e cila më pas e përpunon dhe e hedh në tregun e brendshëm. Burime nga Bankers Petroleum pohuan se aktualisht 50% e naftës shitet në vend dhe 50% shkon për eksport, ndërsa vitin e kaluar e gjithë sasia shkonte për eksport. Një tjetër faktor që ka ndikuar lidhet me rënien e çmimit të naftës në bursa në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Grupi më i madh i eksportuar vijuan të mbeten tekstilet dhe këpucët, që për 6 mujorin u rritën me 7.8%, në 58 miliardë lekë, duke përbërë 43% të totalit të eksporteve.
Në vlerë absolute, rritjen më të lartë të eksporteve e ka shënuar grupit “Materiale ndërtimi dhe metale”, me një zgjerim prej 6.4 miliardë lekë me bazë vjetore për 6 mujorin (për tekstilet e këpucët rritja për të njëjtën periudhë ishte 4.2 miliardë lekë), apo me 42%. Rigjallërimi i aktivitetit të Kurum (përmes kompanisë Albametal) dhe shtimi i eksporteve te materialeve të ndërtimit (çimentos) rezultojnë arsyeja kryesore e këtij zgjerimi.
Grupi “Ushqime, pije dhe duhan” ka ngadalësuar rritjen në qershor, çka ka bërë që për 6 mujorin ai të zgjerohej me 13% në 13.6 miliardë lekë.
Grupit “Mak, pajisje dhe pjesë këmbimi” i është kthyer sërish ritmeve të larta të rritje, me 24% për 6 mujorin, por ai mbetet i ulët në vlerë absolute, duke zënë 5.2% të totalit.
Grupet e tjera mbeten ende të papërfillshme përsa i përket eksporteve.
Eksportet ranë në qershor
Sipas INSTAT, Në Qershor 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 23 mld lekë, duke u ulur me 0,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7,1 %, në krahasim me Maj 2017. Importet e mallrave në Qershor 2017 arritën vlerën 56 mld lekë, duke u rritur me 8,4 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 1,3 %, në krahasim me Maj 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 34 mld lekë, duke u rritur me 15,1 %, krahasuar me Qershor 2016 dhe me 7,9 %, në krahasim me Maj 2017.
Rënia vjetore e eksporteve prej -0,3 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -11,4 pikë përqindje dhe “prodhime druri dhe letre” me -0,02 pikë përqindje.
Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, janë: “materiale ndërtimi dhe metale” me +4,5 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +3,8 pikë përqindje dhe “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,6 pikë përqindje.
Në gjashtë muajt e parë eksportet e mallrave arritën vlerën 133 mld lekë, duke u rritur me 13,5 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 295 mld lekë, duke u rritur me 5,6 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 162 mld lekë, duke u ulur me 0,1 %, krahasuar me 2016.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.