300 milionë dollarë në dhjetë vjet, 30 milionë për sezon. Kaq kushton ndryshimi i sponsorit për kampionin zviceran. King Roger zgjodhi skenën më prestigjioze për të ndryshuar faqe pas 24 vjetësh.
Ai hyri në lëndinën e shenjtë të Centre Court të Wimbledon, veshja dhe çanta, me rigorozitet në ngjyrë të bardhë, siç e kërkon me rreptësi rregullorja në tempullin e tenisit, e sponsorit të ri teknik.
Është kompania japoneze Uniqlo që, deri vitin e kaluar, ishte sponsor i tenistit serb Novak Djokovic, i cili sot ka marrëveshje me Lacoste. Një pikë kthese epokale, duke qenë se nga viti 1994 (kur ishte vetëm 13 vjeç), zvicerani kishte sponsor Nike.
Kontrata me kompaninë amerikane kishte përfunduar në mars. Si në Shtutgart, edhe në Halle, por edhe pak më parë, në pranverën e vitit të kaluar në Indian Wells dhe Majami, Federer ishte prezantuar me sponsorin e zakonshëm, pa një marrëveshje të shkruar, pasi rinovimi i kontratës po vononte. Jashtë fushe, Federer vishte bluza pa logon e famshme të Nike. Javët e fundit qarkullonin zëra rreth një marrëveshje të mundshme me japonezët. Por zvicerani, as i mohonte dhe as i pohonte ato.
Zërat u konfirmuan në Londër, ku tashmë, letrat janë zbuluar. 300 milionë dollarë për 10 sezone janë një shifër e çmendur, pasi në pjesën më të madhe të kontratës, ai do të jetë një ish-lojtar.
Fituesi i 20 Grand Slam-eve, i cili në Wimbledon synon të fitojë titullin e nëntë, do të ketë më shumë liri përdorimi të sponsorit krahasuar me marrëveshjen e mëparshme me kompaninë amerikane, prej së cilës do të vijojë të përdorë atletet, pasi Uniqlo nuk prodhon atlete. Për momentin, Nike nuk ka bërë asnjë koment për humbjen e një prej kampionëve më të mëdhenj në botë, duke u kufizuar të vërë në shitje disa prej produkteve të saj në faqen e zyrtare. Sipas Financial Times, pak orë pas hyrjes së King Roger në Centre Court me kompletin e ri me logo Uniqlo, kompania amerikane ka humbur 3% të aksioneve në bursë.
Fitorja e tij e lehtë përballë tenistit serb, Dusan Lajovic, natyrisht kaloi disi në heshtje: 6-1 6-3 6-4. “Vitin e kaluar, përballë Lajovic, ka qenë më e vështirë” – ka thënë zvicerani. Megjithatë, në sallën e konferencës u fol pak për ndeshjen dhe shumë për marrëveshjen me japonezët.
“Jam vërtet i lumtur dhe falënderues që luaj tenis dhe që fitoj turne të rëndësishëm – nënvizoi ai. Por gjithashtu e dua dhe kam respekt për jetën, kulturën dhe vlerat e njeriut. Kemi shumë të përbashkëta me Uniqlo, pasi që të dy ndikojmë pozitivisht në botë. Do të përpiqemi të bashkojmë forcat dhe të ndërthurim përpjekjet tona kreative”.
Sipas disa zërave, marrëveshja parashikon pjesëmarrjen e Federer në Lojërat Olimpike të Tokios 2020. Për gjithë fansat e kampionit nga Bazeli, kjo do të thotë se Fenomeni do të vijojë të luajë të paktën edhe për dy sezone.
Me pak më shumë se 116 milionë dollarë në llogarinë e tij bankare, Roger Federer është tenisti që ka fituar më shumë duke marrë parasysh vetëm turnetë ATP. Tani do të jetë i pari në klasifikimin e çdo disipline sportive. Në vitin 2017, Federer fitoi 64 milionë dollarë. Në krye të klasifikimit ishte Cristiano Ronaldo, me 95 milionë dollarë, ndjekur nga ylli i NBA, LeBron James me 86,2 milionë dollarë dhe Lionel Messi në kuotën e 80 milionë dollarëve. I katërti në këtë klasifikim ishte Federer, pas tij basketbollisti i NBA, Kevin Durant (60,6 milionë dollarë), Andrew Luck (yll i futbollit amerikan) dhe Rory Mcllroy (kampion në golf), që të dy në kuotën e 50 milionë dollarëve. Falë 30 milionë dollarëve që do të fitojë në sezon, nga marrëveshja me kompaninë japoneze Uniqlo, King Roger do t’i lërë të gjithë pas krahëve.
Burimi: Federazione Italiana Tennis