Tregu i transferimeve ka parë një rritje eksponenciale të shifrave për blerjen e futbollistëve në vitet e fundit.
Ky fakt nënvizohet edhe nga një raport i FIFA, “Global Transfer Market”, i publikuar dje. Në analizë theksohet se si klubet e futbollit në vitin 2017 kanë shpenzuar një total prej 6.37 miliardë dollarësh për blerjen e lojtarëve.
Bëhet fjalë për një rekord absolut në historinë e futbollit, një shifër e cila përfaqëson një rritje prej 32% krahasuar me maksimumin e arritur më parë (4.80 miliardë dollarë një vit më parë). Ky rekord është rezultat i 15.624 transferimeve që kanë përfshirë 13.415 lojtarë nga 181 vende.
Më shumë se gjysma (47.4%) e transferimeve vitin e kaluar janë kryer nga klube europiane, pothuajse tre herë më shumë krahasuar me klubet e kontinenteve të tjerë.
Aspekti më befasues i këtyre shifrave është që totalit të shpenzuar (d.m.th 6.370 milionë dollarë) i korrespondon vetëm 16% e futbollistëve të transferuar.
Kampionati me investimet më të mëdha është Premier League, me një total prej 1.6 miliardë dollarësh në vitin 2017, dyfish më shumë se Franca (860 milionë dollarë).
Ndërsa Paris Saint-Germain është klubi që ka nënshkruar kontratën më të kushtueshme për vitin 2017 dhe në të gjithë historinë e futbollit në të njëjtën kohë, me blerjen e Neymar për 222 milionë euro nga Barcelona.
Brazili është vendi me numrin më të madh të transferimeve ndërkombëtare, 1,775 futbollistë që kanë ndryshuar klub në vitin 2017.
254 klube braziliane kanë kryer marrëveshje me klube në Gjermani (143), Angli (132), Argjentinë (111) dhe Spanjë (98) duke qenë në Top 5.
Klubet spanjolle kanë përfituar më tepër para nga transferimet e futbollistëve (840.4 milionë dollarë), por klubet portugeze kanë regjistruar fitimet më të mëdha neto 707.5 milionë dollarë.