Në krahasim me fundin e 2015-s, stoku në total i huasë me probleme në sistemin bankar është rritur me rreth 100 milionë euro, pra krahas huasë së Kurum, sistemit i janë shtuar dhe rreth 60 milionë euro kredi të tjera, që janë vonuar në shlyerje më shumë se 3 muaj…
Huatë me probleme kanë shënuar rënie në nëntor, pasi ishin rritur për disa muaj radhazi, sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë.
Treguesi i huave të pakthyera në afat zbriti në 20.44% në nëntor, nga 21.35% që ishte muajin e mëparshëm, por ai gjithsesi mbetet më i lartë se fillimi i 2016-s kur ishte 18.41%.
Ky është niveli më i ulët që nga qershori 2016. Pozitivisht ka ndikuar dhe rritja e stokut të kredisë në nëntor me rreth 2.5 miliardë lekë. (Lexo: Rritet ndjeshëm huaja në nëntor, por zgjerimi vjetor vetëm 0.7%)
Në vlerë absolute, huatë që nuk janë kthyer në afat në fund të nëntorit ishin rreth 113 miliardë lekë (rreth 820 milionë euro), me një rënie prej 4% në raport me muajin e mëparshëm.
Edhe në fund të vitit të kaluar u konstatua e njëjta tendencë, ku treguesi i kredive me probleme u ul ndjeshëm për të arritur në 18.22% në dhjetor 2015. Më shumë se përmirësim real, ai erdhi nga fshirja e huave të këqija, që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin, nga bilancet e bankave.
Më pas, përgjatë 2016-s, ky tregues vijoi të rritej me shpejtësi, teksa dhe kreditë e mira (ato deri në 90 ditë vonesë) filluan të bëheshin të këqija. Niveli më i lartë arriti në gusht prej 21.44%.
Ndikimin më negativ përgjatë e kishte shpallja e falimentit të Kurum për arsye ristrukturimi në shkurt 2016. Sipas të dhënave më të fundit, të bëra publike nga Gjykata, që po shqyrton falimentin e Kurum, nga 230 milionë euro borxhe që kishte në total kompania Kurum, rreth 18% e kësaj shume, apo 42 milionë euro, është kredi e marrë në bankat shqiptare. Rreth 21 milionë euro është kredi tek Raiffeisen, 10.2 milionë euro tek BKT. Më pas, janë Societe Generale me 5 milionë euro, NBG me 3.6 milionë euro dhe ProCredit me 500 mijë euro.
Në vlerë absolute, në krahasim me fundin e 2015-s, stoku në total i huasë me probleme në sistemin bankar është rritur me rreth 100 milionë euro, pra krahas huasë së Kurum, sistemit i janë shtuar dhe rreth 60 milionë euro kredi të tjera, që janë vonuar në shlyerje më shumë se 3 muaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.