Shitjet botërore të smartphone-ve ranë për të tretin tremujor radhazi, nga prilli në qershor me 1,8% në 342.0 milionë njësi, krahasuar me 348.3 milionë njësi një vit më parë, sipas raportit të fundit të IDC.
Kjo është rënia e katërt tremujore në histori, e cila i atribuohet tkurrjes në disa tregje me penetrim të lartë, edhe pse raporti tregon se ekzistojnë tregje me rritje të shpejtë që duhet t’i rikthejnë dërgesat e smartphone-ve te një rritje të përgjithshme.
Në termat e shitjes, Huawei ka lënë pas Apple gjatë tremujorit të dytë, duke u bërë kompania e dytë më e madhe e smartphone-ve sa i përket pjesës së tregut. Huawei ka shitur në total 54.2 milionë njësi gjatë tremujorit të dytë 2018, duke shënuar një pjesë tregu prej 15,8%, nga 11.0% vitin e kaluar, dhe duke lënë pas Apple, me 41.3 milionë smartphone të shitur, me një pjesë tregu prej 12,1%, në rritje nga 11,8% një vit më parë. Por kjo është hera e parë që nga tremujori i dytë i 2010-s që Apple nuk është një nga dy kompanitë e para sa i përket pjesës së tregut.
Rritja e Huawei u nxit nga shitjet e tij në Kinë, ku ishte lider me një pjesë rekord tregu prej 27.0% në tremujorin e dytë. Raporti shtoi se modelet Huawei P20 dhe P20 Pro kanë shënuar një kërkesë në rritje në segmentin e çmimeve, nga 600 në 800 dollarë në gjysmën e parë të tremujorit.
Kompania është zhvendosur me sukses në tregje ku, deri pak kohë më parë, ishte pak e njohur. Megjithatë parashikohet që Apple do të renditet në dy vendet e para pas daljes së tre gjeneratave të reja modelesh të iPhone në shtator.
Samsung mbeti lider në tregun botëror të smartphone-ve pavarësisht një rënie me 10.4% të shitjeve nga viti i kaluar në 71.5 milionë njësi, me një pjesë tregu prej 20.9%. Modelet S9 dhe S9+, të cilat dolën në treg nga fundi i tremujorit të parë, kanë shënuar shitjet më të ngadalta për shkak të rritjes së konkurrencës në modelet “top të gamës” dhe një tregu në përgjithësi të vakët, sipas vetë Samsung. Megjithatë në javët e ardhshme, kompania do të përpiqet të rrisë shitjet me prezantimin e një modeli të ri Galaxy Note 9, me një bateri më të madhe, një S-Pen të ri dhe përmirësimin e disa funksioneve.
Xiaomi dhe Oppo u renditën në pesëshen e parë, me shitjet që arritën në 31,9 milionë dhe 29,4 milionë njësi, me një pjesë tregu respektivisht 9,3% dhe 8,6%.
Xiaomi ka lënë pas Samsung, duke u pozicionuar i pari në Indi në tremujorët e fundit dhe ka ngushtuar hendekun me Samsung në Indonezi. Ndërkohë Oppo është përballur me një ngadalësim në tregje kryesore si India dhe në pjesën më të madhe të Azisë Juglindore, pasi zbuti strategjinë e saj agresive të marketingut dhe shitjeve. Megjithatë, kompania u rrit me 5,1% krahasuar me një vit më parë, pasi ka vijuar rritjen e saj në tregje si Lindja e Mesme dhe Afrika.
Burimi: telecompaper