Travis Kalanick jep dorëheqjen nga posti i drejtorit ekzekutiv të Uber-it. Një epokë e re po fillon në gjigantin e transportit publik
“Aktualisht ne po tërheqim mjaft vëmendje dhe sinqerisht nuk e di nëse mund të marrim më shumë sesa kaq”, u shpreh vitin e kaluar Travis Kalanick, drejtori ekzekutiv i Uber. Por gjiganti i transportit publik dështoi në menaxhimin e pasojave të një sërë gabimesh dhe skandalesh të profilit të lartë. Më 20 qershor, ai dha dorëheqjen nga posti i drejtorit ekzekutiv të firmës, të cilën ai vetë së bashku me disa të tjerë e themeloi në vitin 2009.
Uber po përballet me disa kriza të njëpasnjëshme, duke përfshirë largimet e disa prej ekzekutivëve më të lartë, një padi mbi vjedhjen e supozuar të pronësisë intelektuale, padi për ngacmime seksuale dhe një hetim shtetëror mbi përdorimin në mënyrë ilegale të software të saj potencial për të gjetur rregullatorët, shkruan The Economist.
Z. Kalanick e kishte shprehur edhe më parë se do të merrte një leje të gjatë, pjesërisht për t’u qetësuar edhe nga një tragjedi personale që goditi familjen e tij, vdekja e së ëmës për shkak të një aksidenti, në një shëtitje me varkë.
Por kjo arsye nuk ishte e mjaftueshme për investitorët e Uber, të cilët i kërkuan atij që të largohej përgjithmonë.
Uber nuk do të ndryshojë brenda natës. Z. Kalanick e menaxhoi atë që të jetë sa më konkurruese, agresive dhe e gatshme për të thyer rregullat. Dhe ishte pikërisht kjo kulturë që e ndihmoi atë të shndërrohej në një prej firmave më të njohura amerikane të teknologjisë, me një vlerë të ardhurash, afërsisht rreth 70 miliardë dollarë. Por ndikimi i qasjes së z. Kalanick “gjithmonë tregohuni të ashpër” mbase nuk ka qenë ai i duhuri.
Kundërshtimet e shumta që ka marrë Uber e kanë dëmtuar markën e saj dhe mbi të gjitha aftësinë për të rekrutuar inxhinierët më të mirë, të cilët janë duke shkuar te rivali i tij, Lyft.
Zëvendësimi i identitetit të z. Kalanick do të jetë vendimtar. Bordi i Uber do të kërkojë një drejtues të ri me përvojë, ndoshta një femër.
Ai ose ajo duhet të ketë përvojën e duhur në drejtimin e një kompanie të tillë. Ende nuk është e qartë fusha nga e cila bordi i kompanisë Uber pritet që të zgjedhë drejtuesin e ri, mbase dikë që të ketë përvojë në fushën e transportit (ndoshta nga një kompani ajrore ose logjistike) ose një kandidat nga industria e teknologjisë.
Qarkullojnë zëra se Sheryl Sandberg, nr. 2 në kompaninë e Facebook-ut, pas Zuckerberg, do të ishte një zgjedhje e mirë, por ajo mund të mos jetë e gatshme ta pranojnë një ofertë të tillë.
Twitter, kompania e cila po përpiqet të tërheqë më shumë përdorues, pohoi se është e vështirë përcaktimi i një strategjie të qartë, pjesërisht sepse disa prej bashkëthemeluesve të saj vazhduan të ishin pjesë e strukturave drejtuese.
Largimi i z. Kalanick duhet të jetë më se i mjaftueshëm për të qetësuar situatën sidomos me disa klientë të huaj. Edhe rregullatorët duhet ta trajtojnë Uber-in me më shumë dashamirësi.Skandalet e tij jashtë vendit nuk kanë pasur ndonjë rëndësi të madhe. Në tremujorin e parë të këtij viti, ai regjistroi të ardhura rekord, prej 3.4 miliardë dollarësh. Humbjet e tij, afërsisht në 700 milionë dollarë, janë ende të mëdha, por po zvogëlohen.
Shefi ekzekutiv i ardhshëm do të duhet të vendosë nëse do të ndjekë të njëjtën strategji, pra të përqendrohet te rritjet dhe të përballojë humbjet e vazhdueshme të pjerrëta, ose të zvogëlojë zgjerimin ndërkombëtar në mënyrë që të bëjë më shumë para. Pas vëzhgimit të strategjisë së z. Kalanick, i cili ecte me ritme shumë të shpejta, investitorët e Uber shpresojnë që një epokë më konservative sa u përket financave dhe kulturës, do të fillojë shumë shpejt në këtë kompani.