Drejtor i Përgjithshem i Menaxhimit të Borxhit Publik në Ministrinë e Financave.
Pse e mbajmë borxhin e lartë.
Borxhi publik i qeverisë shqiptare do të vijojë të mbahet i lartë edhe në një periudhë afatmesme, duke e ulur atë gradualisht në 58% deri në vitin 2014, ndryshe nga parashikimet fillestare që pretendonin për një reduktim të tij në rreth 55% të PBB-së pas tre vitesh. Por, a është i rrezikshëm ky nivel borxhi? Pse u vendos të mbahet ai i lartë? çfarë strategjie do të përdoret për uljen e tij? Në një intervistë për Monitor, z.Xhentil Demiraj, Drejtor i Përgjithshëm i Menaxhimit të Borxhit Publik në Ministrinë e Financave, shpjegon të gjitha pikëpyetjet që janë ngritur kohët e fundit.
Sa është aktualisht niveli i borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe sa i shëndetshëm është ai?
Aktualisht raporti i borxhit publik ndaj PBB-së arrin në 59% dhe pritet të arrijë në 59.4% në fund të vitit. Miratimi i kuadrit makro-ekonomik afatmesëm shpreh vullnetin e qeverisë për uljen graduale të borxhit publik deri në nivelin 58% ose më poshtë në vitin 2014. Ajo çka është më e rëndësishme, është përbërja e portofolit të borxhit dhe qëndrueshmëria e shërbimit të tij. Rreth 60% e borxhit është në monedhë vendase, ndërkohe që afro 90% e pjesës së borxhit të denominuar në monedhë të huaj, përbëhet nga kredi zhvillimi me interesa të ulëta dhe afate shlyerje të gjata. Të gjitha këto karakteristika flasin për një portofol borxhi me risk të moderuar dhe me qëndrueshmëri shërbimi e shlyerje.
Me ndryshimet në buxhet, qeveria ka vendosur për të mos rritur më tepër se 60% borxhin publik. Nga ana tjetër, FMN ka rekomanduar një ulje deri më 50% brenda 5 viteve. A mund të realizohet ky objektiv, çfarë skenarësh do të përdoren?
Kërkesa e FMN-së për ulje deri në nivelin e 50%-it nuk është realiste, ndonëse të gjithë do të dëshironim të ndodhte. Skenari i propozuar nga FMN-ja bazohet në premisën e rritjes se taksave, gjë për të cilën qeveria është shprehur qartazi se nuk dëshiron ta realizojë. Një nga themelet e politikës fiskale të kësaj qeverie ka qenë barra e ulët fiskale, ndaj nuk ka kuptim të përpiqesh të përmirësosh një tregues fiskal, duke shkatërruar një nga shtyllat kryesore të filozofisë së qeverisjes. Të ulet aq shpejt sa rekomandon FMN-ja borxhi, nëpërmjet shtrydhjes së investimeve publike, mund të sillte pasoja më të rënda për ekonominë në tërësi dhe për disa sektorë në veçanti. Ajo që mendoj unë se është më e rëndësishme, është zotimi i prerë i qeverisë për të mos lejuar kalimin e borxhit mbi 60% dhe mbajtja e deficitit ne nivelin e 3%, çka kuadri i sapomiratuar e thekson qartë.
Ecuria e borxhit lidhet edhe me rritjen ekonomike. Cilat janë parashikimet e Ministrisë së Financave?
Qeveria ka parashikuar që rritja ekonomike për vitet 2011-2014 të jetë në nivelin e 5%. Nëse kjo realizohet, borxhi do te ulet përtej 58% në 2014. Natyrshëm, nëse rritja do të rezultojë më e ulët, raporti i borxhit ndaj PBB-së i afrohet me tepër nivelit të 60%. Anasjelltas, ekziston një mundësi reale që rritja ekonomike të kthehet në nivelin e potencialit të ekonomisë, pra rreth 6%, çka do ta ulte borxhin deri ne nivelin e 55%. Unë besoj që rritja do të realizohet në nivelin e 5%-it për vitet 2012-2014, dhe sigurisht shpresoj që të jetë më e lartë.
Personalisht, ju do të gjykoni një borxh të ulët, pra për me pak risk për ekonominë, apo investime të larta, që rrisin borxhin, por që zhvillojnë PPB-në?
Në rolin e drejtorit të menaxhimit të borxhit publik, sigurisht që do të preferoja një borxh më të ulët, pra dhe më të menaxhueshëm. Në anën tjetër, unë nuk do të sugjeroja që një ulje me ritme shumë të shpejta të borxhit të sillte si pasojë paralizimin e investimeve publike, çka me gjasë do të ulte rritjen ekonomike dhe vononte zhvillimin e vendit. Është vërtet e vështirë për të gjetur një balancë optimale, por ndërkohë është evidente që është në të mirën tonë që ne të vijojmë të marrim kredi zhvillimi me norma interesi sa më të ulëta dhe afat maturimi sa më të lartë, duke siguruar njëkohësisht që këto kredi të financojnë projekte prioritare dhe me potencial kthimi të sigurt.
çfarë strategjie do të përdoret për uljen e borxhit?
Mbajtja në kontroll e shpenzimeve brenda parametrave të deficitit 3% është shtylla kryesore e strategjisë. Realizimi i rritjes së supozuar ekonomike nëpërmjet fuqizimit të mëtejshëm të administrimit fiskal, thithjes së investimeve të huaja direkte, zhvillimit të sektorëve me potencial konkurrues (pra me potencial fuqizimi të eksporteve) dhe rritjes së përgjithshme të produktivitetit në shumë sektorë, gjithashtu do të sillnin besim në realizimin e strategjisë së uljes së borxhit.
Si po ecën çmimi i bondeve shqiptare në tregun ndërkombëtar? A është çmimi likuid?
çmimi ekuilibër i eurobondit tonë ka qenë në nivelin e 8%, por me trend në rënie. Pra, nëse ne do të emetonim një bond të ri në këtë moment, çmimi që do të ofrohej do të ishte rreth 8%, mbase pak më ulët. Sa i përket tregtimit të eurobondit, për hir të së vërtetës vërejmë një numër të kufizuar transaksionesh shit-blerjeje dhe kjo vjen nga fakti se blerësit fillestare të tij ishin investitorë afatgjatë dhe serioze (siç quhen ndryshe “buy-and-hold”), e jo spekulatorë të tregjeve që do të synonin te shisnin mbajtjet e tyre në afatshkurtër për një fitim oportunist.
A paraqesin risk për ekonominë tonë zhvillimet në Greqi, dhe a mund të dëmtohet menaxhimi i borxhit nga përkeqësimi i ekonomisë greke?
Ekzistojnë 3 aspekte primare të ndërlidhjes së ekonomisë së vendit tone me atë greke: emigrantët/remitancat, tregtia dhe bankat. Në secilën prej tyre ne kemi disa përfitime të vogla afatshkurtra, por ndërkohe dhe risqe afatmesme e afatgjata. Rikthimi i një pjese të emigranteve në momentin e pare sjell infuzion të kapitalit investues dhe “know-how” të nevojshëm për rritjen e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit të ekonomisë sonë. Nga ana tjetër, një kthim masiv në aftmesëm, do të ishte problematik për t’u akomoduar nga ekonomia jonë. Në afatshkurtër, importet greke janë bërë më të lira për tregtarët tanë (ne importojmë më tepër nga Greqia sesa eksportojmë drejt saj), por rrudhja e eksporteve tona në afatmesëm, do ta dëmtonte bilancin tregtar dhe ekonominë në tërësi.
Tronditja e disa bankave greke në momentin e krizës, ka stimuluar një transferim të depozitave të shqiptareve nga Greqia drejt vendit tonë, ndërkohë që nëse tronditja vazhdon, një numër i bankave greke që kanë operacione në Shqipëri, do të ulnin nivelin e kapitalit financues në ekonominë tonë. Është për t’u analizuar me kujdes fakti që 3 nga 4 bankat greke që operojnë në Shqipëri, mbajnë rreth 40% të portofolit të borxhit publik të Greqisë. Fatmirësisht, bankat bija që operojnë këtu janë më mirë të kapitalizuara se mëmat e tyre në Greqi, por rëndësia afatgjatë e këtij faktori varet shumë nga performanca e mëtejshme e bankave greke në Greqi.
Bashkimi Europian sapo ka marre një zotim për të shpëtuar me çdo kusht ekonominë greke, dhe ky është një lajm mjaft i mirë për të gjithë. Për më tepër, me ndihmën që po i akordohet Greqisë, pritet që në vitin 2012 ekonomia greke t’i rikthehet rritjes pozitive.
Si po sillen kompanite e rating-ut të riskut Moody’s and S&P ndaj Shqipërisë? A ka rrezik që ndonjëra prej tyre të ulë vlerësimin për vendin tonë?
Për sa kohë që ekonomia jonë vijon të rritet në mënyrë të qëndrueshme, dhe deficiti e borxhi publik mbahen nën kontroll, nuk ka gjasa që ne të kemi një vlerësim të përkeqësuar prej këtyre kompanive. Të dyja këto kompani vlerësojnë riskun e vendit tonë në mënyrë periodike (çdo 6 muaj), dhe vlerësimet më të fundit të të dyjave kanë qenë pozitive, pra është konfirmuar rating-u aktual B1/B+ me outlook stabël.
Ndikimi i krizës greke
Afatshkurtër
-Rikthimi i një pjese të emigranteve në momentin e pare sjell infuzion të kapitalit investues dhe “know-how” të nevojshëm për rritjen e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit të ekonomisë sonë
-importet greke janë bërë më të lira për tregtaret tanë (ne importojmë më tepër nga Greqia sesa eksportojmë drejt saj),.
-Tronditja e disa bankave greke në momentin e krizës, ka stimuluar një transferim të depozitave të shqiptareve nga Greqia drejt vendit tonë
Afatgjatë
-një kthim masiv në afatmesëm, do të ishte problematik për t’u akomoduar nga ekonomia jonë
-rrudhja e eksporteve tona në afatmesëm, do ta dëmtonte bilancin tregtar dhe ekonominë në tërësi
-nëse tronditja persiston, një numër i bankave greke që kane operacione në Shqipëri, do të ulnin nivelin e kapitalit financues ne ekonominë tonë
Intervistoi: A.S
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.