Dikur një prej tregjeve në zhvillim më të egra, Tajlanda po plaket shumë shpejt. Politikëbërësve të saj ekonomikë u duhet të ndryshojnë kursin
Tridhjetë vjet më parë, Tajlanda ishte një prej tregjeve në zhvillim më të egra dhe më të forta. Pas një periudhe rritjeje të lartë dhe deficiteve të larta të llogarive rrjedhëse, ajo kishte ezauruar rezervat e këmbimit valutor dhe monedha e saj humbi shumë pikë kundrejt dollarit. Pas kësaj, inflacioni iu afrua 10% dhe Banka e Tajlandës (BoT) luftoi shumë për të rikthyer besimin në monedhën vendase, shkruan The Economist.
Në një publikim të fundit nga Romain Ranciere nga Universiteti i Kalifornisë Jugore dhe dy bashkautorëve të tjerë, Tajlanda u përdor si një ilustrim i zymtë për të treguar se dinamizmi dhe rreziku, rritja e shpejtë dhe krizat e mundshme, ecin krah për krah me njëra-tjetrën. Por edhe në ditët e sotme, ka disa tregje që përdorin një ndërthurje ndërmjet elementeve të mësipërme. Turqia, për shembull, ka kombinuar rritjen e parakohshme me inflacionin me dy shifra dhe një rënie shqetësuese të Lirës. Por Tajlanda nuk është një prej këtyre tregjeve.
Investimet private në Tajlandë u rritën me vetëm 1.7% vitin e kaluar. Bonot e thesarit të Tajlandës nuk janë aq fitimprurëse sa ato të Amerikës.
Inflacioni është edhe një herë në qendër të vëmendjes si një prej çështjeve më të rëndësishme, por jo sepse është shumë i lartë, por për shkak se është tmerrësisht i ulët. Sipas të dhënave të publikuara, çmimet e konsumit u rritën me vetëm 0.8% në muajin mars. Inflacioni është poshtë nivelit të caktuar nga Banka e Tajlandës prej 1-4% për 13 muaj radhazi. Inflacioni bazë, duke përjashtuar ushqimin e papërpunuar dhe energjinë, ka qenë nën 1% për gati tre vjet.
“Kjo është Japonia”, shprehet një vëzhgues veteran i ekonomisë së Tajlandës. “Është marrë shembulli i demografisë së Japonisë që prej 25 vjetësh dhe Tajlanda është duke ndjekur rrugën japoneze të inflacionit zero, normave të interesit të ulëta dhe një teprice të madhe llogarish rrjedhëse”. Deri në vitin 2022, Tajlanda do të jetë vendi i parë në zhvillim me moshë popullsie më të plakur. Sipas Bankës së Tajlandës, më shumë se 14% e popullsisë së saj do të jetë mbi 65 vjeç. Përqindja e të moshuarve po rritet më shpejt në Tajlandë sesa në Kinë.
Por një e ardhme gri nuk është justifikim për një të tashme të zymtë. Në të kundërt, Tajlanda duhet të bëjë thirrje për një emergjencë ekonomike. Vendi duhet të investojë në infrastrukturë dhe makineri për të siguruar që ajo fuqia e vogël punëtore e së nesërmes, të jetë e pajisur mirë për të siguruar një popullsi të madhe pensionistësh.
Fatkeqësisht, Tajlanda është e ngjashme me Japoninë edhe në drejtim të politikëbërësve ekonomikë, të cilët gjithashtu shfaqin një pjesë të pasivitetit makroekonomik që dikur e paralizoi Japoninë. Banka e Tajlandës nuk i ka ulur normat e interesit që nga prilli i vitit 2015. Në takimin e saj më të fundit, vetëm një prej anëtarëve të bordit votoi për rritje të normave të interesit.
Por, diskutimi në këtë drejtim është më i thellë. Banka e Tajlandës u themelua në vitin 1942, pak përpara hiperinflacionit të kohës së luftës, që ndikoi gjatë në mënyrën e të menduarit të politikëbërësit tajlandezë. Guvernatorit të parë të Bankës Qendrore i pëlqente të merrte si shembull Gjermaninë, për të shpjeguar se cilët do të ishin pasojat në rast se stabiliteti i çmimeve do të neglizhohej.
Një prej guvernatorëve që ka qëndruar më gjatë në shërbim të bankës qendrore të Tajlandës, Puey Ungphakorn, besonte se oferta e parasë nuk duhet, si rregull, të rritet më shumë se dy deri tre pikë përqindje më shpejt se PBB-ja. Sipas tij, stabiliteti ekonomik ishte më i dëshirueshëm se rritja e shpejtë, shkruhej në “Mrekullinë makroekonomike të Tajlandës”, të botuar më 1996, nga Peter Warr dhe Bhanupong Nidhiprabha.
Tailanda mund të shqetësohet për përgjigjen e Amerikës në drejtim të lehtësimit të mëtejshëm monetar, gjë që do të ndikonte në humbjen e pikëve të monedhës tajlandeze ndaj dollarit.
Tajlanda është i vetmi vend në Azi që plotëson të tre kriteret (një suficit tregtar prej 20 miliardë dollarësh me Amerikën, një suficit të madh të llogarisë rrjedhëse dhe akumulim i konsiderueshëm i rezervave), thekson Capital Economics, një firmë konsulence.
Në mungesë të lehtësimit monetar, Tailanda duhet të mbështetet në një politikë më të gjerë fiskale. Për fat të keq, investimet publike u tkurrën në 1.2% vitin e kaluar. Vetëm në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, punëtorët filluan punën mbi një projekt, për ndërtimin e një linje hekurudhore të shumëpritur me shpejtësi të lartë, që do të lidhë Tajlandën, Laosin dhe Kinën.
Tailanda po ngjason gjithnjë e më shumë, sidomos gjatë kohëve të fundit me Japoninë edhe në drejtim të antipatisë në rritje ndaj emigracionit. Qeveria, vitin e kaluar, vendosi masa të ashpra ndëshkimore ndaj emigrantëve të paligjshëm, shumë prej tyre nga Vietnami dhe Mianmari, të cilët konsiderohen si hajdutë të vendeve të punës dhe jo si rinovimin e një fuqie punëtore që po shkon drejt plakjes. Për Tajlandën janë më të rëndësishëm turistët që shpenzojnë shumë para kur vijnë për ta vizituar atë.
Flukset e turistëve të huaj u rritën me 11.7% në vitin 2017, duke nxitur rritjen kundrejt një sfondi të zymtë të kërkesës së brendshme të dobët. Vendi është i famshëm për plazhet e mrekullueshme, jetën e natës dhe mbi të gjitha për kulturën tërheqëse. Por tashmë autoritetet e turizmit tajlandeze dëshirojnë që turistët të zbulojnë edhe “nuancat e saj të reja”. Në ekonomi, nuancat e reja të Tajlandës janë mjaft të zymta.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.