Ajax nderon legjendën Johan Cruyff, babain e futbollit total, i ndarë nga jeta më 24 mars të vitit të shkuar. Dje, ditën që ‘holandezi fluturues’ do të kishte festuar 70-vjetorin e lindjes, klubi nga Amsterdami zyrtarizoi ndryshimin e emrit të stadiumit “Amsterdam ArenA”, në “Johan Cruyff ArenA”.
Dhjetorin e shkuar, familjarët e kapitenit historik të Holandës së viteve ’70 ishin të disponueshëm të lejonin përdorimin e emrit të tij.
Në këtë mënyrë u shuan zërat, sipas të cilëve disa aksionerë të klubit nuk ishin dakord me këtë zgjedhje, duke synuar vendosjen e emrit të një sponsori për arsye ekonomike. Stadiumi sa për kujtesë, është nën pronësinë e klubit të Ajax-it të Amsterdamit, por jo vetëm: disa aksione zotërohen nga komuna e qytetit dhe gjithashtu nga disa investitorë privatë.
Siç thuhet në komunikatën zyrtare të klubit, brenda 6 muajve të ardhshëm, impianti do të quhet “Johan Cruyff ArenA”. Ky vendim u mor bashkërisht nga Këshilli i Administrimit të stadiumit, drejtuesit e klubit dhe Kryebashkiaku i Amsterdamit.
“Amsterdam ArenA”, tanimë “Johan Cruyff ArenA”, u ndërtua mes viteve 1994-1996, dhe u përurua në miqësoren Ajax-Milan. Me një kapacitet prej 51.000 vendesh është stadiumi më i madh në Holandë dhe ndër më modernët në Europë, duke pasur edhe një çati lëvizëse, e cila mund të mbulojë gjithë fushën në vetëm 20 minuta.
Ndërtimi i këtij stadiumi u financua nga Qeveria holandeze, Bashkia e qytetit të Amsterdamit, klubi i Ajax-it dhe një financim bankar. Ajax zotëron rreth 7% të pronësisë së stadiumit, nëpërmjet një shoqërie që kujdeset për mirëmbajtjen e tij.