Revista e përjavshme amerikane “The New Yorker” i ka dedikuar një artikull të gjatë librit “Kapitalizmi në shekullin e 21-të”, me autor Thomas Piketty e që sapo ka mbërritur në libraritë amerikane. Është një libër që nuk mund ta injorojë askush. Profesori i ri i “Paris School of Economics” përcakton “rregullat” që drejtojnë pabarazinë sociale. E këtë nuk e bën përmes një teorie të thjeshtë, por përmes një studimi që nis nga numrat dhe është realizuar nga ekonomisti i Berkeley, Emmanuel Saez. Janë numrat ata që vënë në dukje përqindjen e pasurisë që shkon nga 10% e popullsisë deri në 1% e 0.1%. Këta të fundit janë super të pasur, të cilët në 70% janë menaxherë të nivelit të lartë dhe është pikërisht kjo arsyeja që Piketty i atribuon sistemit të shumëkombësheve rritjen e pabarazisë.
Në vitin 1950, një administrator i deleguar paguhej rreth 20 herë më shumë se një punonjës i së njëjtës kompanie. Sot, diferenca mes një menaxheri të lartë dhe punonjësi të një kompanie të “Fortune 500” llogaritet në mbi 200:1. Por, ka edhe Ceo që paguhen shumë më shumë. Në vitin 2012, 1% e më të pasurve të SHBA-së siguruan të ardhura sa 22,5% e PBB-së së vendit, shifra më e lartë që nga viti 1928.
Grumbullimi i kapitalit bën që diferenca mes sipërmarrësve dhe punëtorëve është e destinuar që të zgjerohet, madje, as zgjidhjet fiskale të disa qeverive që shpesh synojnë që të tutelojnë më të dobëtit, nuk mund të bëjnë gjë për të zvogëluar diferencat: kthimi i kapitalit do të jetë gjithmonë, në mënyrë të pashmangshme më i madh se rritja ekonomike.
Përjashtimi nga rregulli përfaqësohet nga 60-vjeçarët e që nga koha e Luftës së Parë Botërore e deri në vitin 1973, kur norma e rritjes së ekonomisë e tejkaloi kthimin e kapitalit, sepse pasuritë private arritën të “thithnin” krizën e ‘29-s dhe të dy Luftërave. Pas kësaj periudhe rritja ekonomike ngadalësoi ritmin e rritjes, ndërsa kthimi i kapitalit arriti nivelin e përpara luftës.
Nga këto rrjedh edhe paradigma: thelbi i pabarazisë ka të bëjë me shpërndarjen e të ardhurave që shpërblen kapitalin në vend të punës.
Në të ardhmen, gjërat do të vijnë duke u përkeqësuar. Sipas projektimeve të Organizatës Botërore të Punës (ILO) për periudhën 2012-2013, të papunët arritën në nivelin 202 milionë në të gjithë botën dhe do të arrijnë në 215 milionë deri në 2018-n. Është kjo arsyeja që Piketty hipotetizon kthimin te një shoqëri pasurore e shekullit XIX në Europë.
E vetmja rrugë, sipas profesorit francez, është vendosja e një takse globale progresive ndaj pasurisë.