Qeveria e Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria e Gjermanisë përfaqësuar nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë nënshkruar marrëveshjen kornizë, marrëveshje kjo e cila rregullon bazën e bashkëpunimit teknik dhe financiar në mes të të dy Qeverive.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri i Financave Bedri Hamza, është shprehur se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për vendin, pasi sipas tij përmes saj krijohet baza e bashkëpunimit për të gjitha aspektet teknike dhe financiare.
Kreu i Ministrisë së Financave ka thënë se shteti gjerman është një nga donatorët më të mëdhenj në Kosovë, e arritja e kësaj marrëveshje sipas tij tregon edhe një herë qëllimin e Qeverisë gjermane që përmes institucioneve të saja të kontribuoj në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës.
Në anën tjetër edhe ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt, është shprehur se kjo marrëveshje në mes dy vendeve është shumë e rëndësishme.
Ai bëri të ditur se negociatat për këtë marrëveshje janë zhvilluar tash e 7 vite me radhë, e sipas tij marrëveshja është rezultat i një pune të përbashkët të institucioneve gjermane dhe të Kosovës.
Për institucionet gjermane, sipas ambasadorit Heldt është shumë i rëndësishëm serioziteti në bashkëpunim, e këtë seriozitet ai tha se e ka gjetur tek institucionet e Kosovës.
Kjo marrëveshje në mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Gjermanisë është e para e llojit që rregullon bazën e bashkëpunimit teknik dhe financiar në mes të dy vendeve.
/KosovaPress/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.