Një lojë kroate kompjuterike e quajtur SCUM ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm në vetëm pak ditë pas hedhjes në treg, duke u renditur si loja më e shitur në Steam, platformën më popullore të lojërave kompjuterike.
Loja ka shitur rreth 660,000 kopje që prej 29 gushtit të këtij viti.
Loja u krijua si rezultat i bashkëpunimit midis dy ekipeve kroate të zhvillimit, “Gamepires” dhe “Croteam”. “Rreth 20 vetë kanë punuar për këtë projekt”, tha për BIRN, Josip Barisic, menaxher i “Gamepires”.
I pyetur se cili ishte ai faktor që ndikoi në gjithë këtë sukses të menjëhershëm, ai u shpreh se fillimisht ishte puna e palodhur dhe përpjekja e të gjithë ekipit që u angazhua në këtë projekt, komunikimi i vazhdueshëm me lojtarët dhe transparenca. Dhe, sigurisht, pastaj është edhe çështje fati.
Duke qenë se loja është ende duke u zhvilluar dhe duke u përmirësuar, të gjithë ata që e kanë blerë, e kanë marrë me një çmim shumë më të ulët nga ai final prej 16.79 dollarësh amerikanë.
Do të jenë pikërisht këta klientë që do të ndihmojnë në përmirësimin e saj, duke shprehur kritikat e tyre.
Më 29 gusht, Devolver Digital, publikuesi i videolojërave, njoftoi se SCUM ishte lançimi i saj më i madh deri më sot.
Një ditë përpara se të hidhej në treg, SCUM kishte më shumë se 230,000 shikues në Twitch, rrjetin kryesor social në botë për lojtarë, gjë që e bëri SCUM një nga lojërat më të ndjekura ndonjëherë në “YouTube for Gamers”. Disa prej lojërave më të shikuara janë: League of Legends, Fortnitea, World of Warcraft dhe Overwatch.
Z. Barisic tha për BIRN-in se edhe përpara publikimit, ata ishin në komunikim të vazhdueshëm me lojtarët të cilët e kishin testuar lojën.
“Ata e kuptuan menjëherë punë që ishte bërë për këtë lojë dhe mbi të gjitha, cilësinë e saj dhe e përhapën menjëherë lajmin. Menjëherë pasi ajo u prezantua, morën një numër shumë të madh telefonatash, ku njerëzit kërkonin ta blinin atë, të gjithë donin të provonin SCUM-in”, kujton ai.
Një lojë mbijetese e zhvilluar në mjedis të hapur, peizazhi i së cilës të sjell ndër mend disa pjesë të Kroacisë. Lojtarët duhet të përpiqen të mbijetojnë dhe të zbresin nga një ishull duke hequr pengesën që nuk i lë ata që të largohen.
Lojtarët fitojnë pikë përmes pjesëmarrjes në ngjarje të ndryshme ose thjesht duke mbijetuar në një mjedis armiqësor.
“Ne u frymëzuam nga ishulli Brac, veçanërisht nga arkitektura e tij. Por edhe të gjitha peizazhet ku luajnë lojtarët kanë emrat e disa vendeve të vogla kroate”, tha z. Barisic. Secili lojtar duhet të krijojë një karakter përpara se të fillojë një fushatë. Ndryshe nga lojërat tradicionale të mbijetesës, ky proces nuk është thjesht sipërfaqësor, shkruhet në faqen online të video-lojërave, GameSkinny.
Kjo do të thotë që një lojtar duhet të tregohet i kujdesshëm në përzgjedhjen e detajeve si pesha, masa muskulare, aftësitë dhe mangësitë e personazhit që do të krijojë.
Këtë vit, Croteam feston 25-vjetorin e krijimit të tij. Një tjetër lojë që ata krijuan, “Serious Sam: The First Encounter” dhe që u lançua në vitin 2001, pati sukses të madh. Të shumtë janë ata që ende e kujtojë lojën intensive me të shtëna, e pajisur edhe me një dozë të mirë humori.