Industria e turizmit në Kroaci cilësohet si një prej industrive më të fuqishme të BE-së, duke u renditur e treta ndër të tjerat, por ekonomia e saj rrezikon të mbështetet shumë në një sektor të paqëndrueshëm, shprehet një analist.
Edhe pse Kroacia është krenare për industrinë e saj të lulëzuar të turizmit, disa analistë paralajmërojnë se mbështetja vetën në një sektor të ekonomisë është potencialisht e rrezikshme.
Sipas agjencisë së statistikave të BE-së, Eurostat, Kroacia kishte 86.1 milionë vizita njëditore në vitin 2017, duke shënuar një rritje të turizmit me 10.6% në krahasim me 2016.
Pikërisht kjo rritje e renditi Kroacinë të tretën pas Letonisë me 12% dhe Sllovenisë me 11.3%, rritje kjo e konsiderueshme në krahasim edhe me 5.1% e rritjes mesatare të BE-së.
Shifrat zyrtare konfirmojnë se industria e turizmit në Kroaci shënoi rritje me 18% të PBB-së së saj në 2016, raporti më i lartë në Europë, përpara vendeve tradicionalisht të orientuara nga turistët, si Malta apo edhe Qipro. Raporti për nëntë muajt e vitit 2017 tregon se kjo shifër ka shkuar në 24% të PBB-së.
Analisti ekonomik, Damir Novotny, tha se lidhja midis turizmit dhe tregut të punës në Kroaci është “mjaft e fortë”, duke shtuar se rritja “varet nga konsumi i turizmit, i cili është i ndjeshëm (ndaj luhatjeve)”.
Ai tha më tej se një vit ne mund të kemi rezultate të mëdha në industrinë e turizmit ndërsa vitin tjetër, në varësi të kohës e cila mund të mos jetë shumë e mirë, këto rezultate ulen ndjeshëm. Prandaj PBB-ja nuk duhet të varet nga turizmi, duke theksuar se kjo është një prej pengesave më serioze në zhvillimin e mëtejshëm të Kroacisë. Gjithashtu e gjithë kjo rritje është e kufizuar vetëm në rajonet bregdetare, duke e lënë në harresë Kroacinë Kontinentale.
Vetëm nëse të gjitha rajonet e Kroacisë do të zhvillohen në mënyrë të barabartë, veçanërisht në pjesët lindore (të Sllavonisë), ekonomia e Kroacisë do të zhvillohet dhe rritet në tërësi”, – paralajmëroi z. Novotny.
Ai vuri në dukje se pothuajse të gjitha projektet kryesore infrastrukturore në rajonin bregdetar janë të lidhura me turizmin, duke thelluar hendekun me rajonet lindore të pazhvilluara.
Këtu, ai përmendi planifikimin për ndërtimin e urës së Peljesaçit, që lidh kontinentin me gadishullin jugor të Peljesaçit. Nëse këto para do të përdoreshin për zhvillimin lokal dhe industrinë përpunuese në Sllavoni, efektet mbi ekonominë do të ishin paksa më të larta, theksoi ai.
Për sa i përket sektorit të turizmit në Kroaci, ai beson se rritja e tij së shpejti mund të kalojë në stanjacion. Industria e turizmit në Kroaci prej kohësh lidhet me rajonet bregdetare me diell të Dubrovnikut, Dalmacisë, Primorjes dhe Istrias. Që nga fillimi i vitit, shifrat në turizëm treguan rritje të mëdha.