Kështu studimi dhe vlerësimi i zonave me ndotje termike të rëndësishme për komunitete të caktuara, filloi të nxitë politikat vendore e rajonale për zbatimin e ligjeve përkatëse dhe masave parandaluese të dëmeve që ajo shkaktonte. Situata e ndotjes termike në Shqipëri Zhvillimi i ekonomisë shqiptare pas viteve 1960, krijoi mundësinë e realizimit të mjaft veprave industriale të shpërndara në zona të ndryshme të Shqipërisë dhe kryesisht pranë brigjeve të lumenjve apo të zonave bregdetare. Kështu, 5-vjeçar pas 5-vjeçari, u ndërtuan vepra të industrisë së lehtë e ushqimore, të prodhimit të materialeve të ndërtimit, industrisë kimike dhe përpunimit të thellë të naftës, shfrytëzimit dhe përpunimit të mineraleve, të termo dhe hidroenergjetikës etj. Të gjitha këto vepra, edhe pse përputheshin pak a shumë me teknologjitë e asaj kohe, nisur nga mosvlerësimi i duhur i efekteve negative ambjentale dhe vështirësitë financiare të shtetit, për të investuar në zbutjen e ndikimeve negative të tyre, krijuan probleme të mëdha të ndotjes e dëmtimit të ekosistemeve dhe habitateve të tyre për më se 40 vjet.
Periudha e ndryshimeve politike dhe tranzicioni kaotik në Shqipëri, u shoqëruan me pezullimin e prodhimit, grabitjen e bazës materiale dhe deri në nxjerrjen jashtë përdorimit të shumicës së fabrikave. Megjithë, pasojat që la mungesa e investimeve për minimizimin e ndotjes së mjedisit gjatë 40 vjeçarit të kaluar, kjo periudhë ndikoi pozitivisht në përmirësimin e situatës së mjedisit nga ndotjet e industrisë, në përgjithësi, dhe me efekt të kundërt, në dëmtimin e pasurive e burimeve natyrore, që filluan të dëmtoheshin abuzivisht jashtë çdo kriteri. Me këtë rast, industritë që krijonin ndonjë pasojë të ndotjes termike në ujrat sipërfaqësore, nuk funksionuan duke eliminuar efektet negative të tyre. Kjo nuk do të thotë që disa aktivitete të mëdha të industrisë nuk lanë pasoja të mëtejshme, pasi vetëm shkarkimet dhjetra vjeçare, dampat e mbetjeve të tyre, gjendja e stoqeve të prodhimeve dhe lëndeve të tjera speciale apo të rrezikshme, që u lanë në mëshirën e fatit, do të ishin më pas, një kërcënim i vazhdueshëm për mjedisin dhe shëndetin.
Pasojat degraduese të ndotjes termike Përdorimi i ujrave sipërfaqësore apo nëntokësore gjatë proceseve teknologjike të prodhimit industrial, përdorimi i tyre si ftohës në kondensatorë, gjatë proceseve të ndryshme industriale, dhe më pas shkarkimet e tyre në përrenj, lumenj apo liqej, rritin temperaturat e ujrave të tyre në zona të vecanta me 6º-13º C. Një rritje e tillë e temperaturës mund të provokojë ndryshime të theksuara të karakteristikave fizike të ujrave dhe sedimenteve të tyre, me pasoja në transformimin e strukturave apo zhdukjen e habitatit të ekosistemeve ujore.Vetitë fizike të ujrave, që i nënshtrohen këtij ndryshimi janë densiteti, tretshmëria e gazeve dhe kripërave dhe viskoziteti. Me zvogëlimin e densitetit të ujit nga rritja e temperaturës, në përgjithësi, ndodh shtratifikimi në temperatura të ndryshme i ujrave edhe në distancë të largët nga vendshkarkimi industrial. Qëndrueshmëria në kohë e këtij fenomeni varet nga shpejtësia dhe turbolenca e rrjedhjes së ujrave sipërfaqësore. Kështu, rritja e temperaturës së ujrave sipërfaqësore, që ndikon tepër në zvogëlimin e tretshmërisë së gazeve dhe kryesisht të O2, që është jetik për organizmat e gjalla, rrit shpejtësinë dhe shkallën e sedimentimit të grimcave pezull, duke pakësuar densitetin dhe viskozitetin e ujrave. Në varësi të turbolencës dhe shpejtësisë së rrjedhjes, këto sedimente pësojnë ndryshime të mëdha si në sasi e në qëndrueshmëri, ashtu dhe në distancat e shpërndarjes së tyre.Këto efekte ndodhin, jo vetëm për karakteristikat abiotike të sipërpërmendura të ujrave, por edhe për karakteristikat biotike të këtyre ekosistemeve.
Në fakt, rritja e temperaturës së ujrave provokon ndryshime në proceset bio-kimike të lëndës organike ushqyese (dekompozimin e mineralizimin e tyre), sikurse dhe efekte me pasoja në sjelljen, fiziologjinë dhe shpërndarjen e organizmave të gjalla ujore.Është llogaritur që bakteret dekompozuese të lëndës organike në ujë dyfishojnë nevojën për oksigjenin e tretur në ujë (B.O.D.) për çdo 10ºC rritje të temperaturës së ujit, ndërkohë që kjo rritje pakëson tretshmërinë e tij. Po kështu ndodh dhe për strukturat e tjera të komunitetit biotik të këtij ekosistemi ujor. Në fakt, shumë specie të florës apo faunës ujore, nuk janë në gjendje të përballojne rritjen e ndjeshme të temperaturës dhe mungesën e O2 të tretur në ujë si pasojë e saj. Kështu që, këto specie rrezikojnë të zhduken dhe të zëvëndësohen me lloje të tjera organizmash, që i rezistojnë më mirë këtyre ndryshimeve. Është i njohur në botë fakti që në shumë nga lumenjtë dhe zonat bregdetare ku shkarkohen ujrat e nxehtë të inceneritorëve, termocentraleve elektrikë apo atomikë, grupi i algave Diatome është zëvendësuar me grupin e algave të tjera, Cloroficetë një qelizore. Nga ana tjetër, është evidentuar që disa lloje peshqish, që jetojnë në ujra të pastër dhe të ftohtë si trofta, blini, krustacet amfipodë si Gammarus fossarum, etj., humbasin aftësinë riprodhuese të tyre në temperatura mbi 18ºC. Gjithashtu, ndotja termike provokon çeljen e parakohshme të vezëve të disa invertebrorëve dhe ngordhjen e larvave të tyre, si pasojë e mungesës së ushqimit dhe pamundësisë së kërkimit të tij. Rritja mbi temperaturat natyrore të ujrave sipërfaqësore ndikon në përhapjen e shumë sëmundjeve tek peshqit, si rezultat i shtimit të baktereve parazite. Të gjitha këto efekte ndikojnë pa tjetër në çoroditjen e tërë ekosistemit ujor dhe rivierës së tij, për vetë korrelacionin që ekziston ndërmjet habitateve të tyre. Masat parandaluese të dëmeve në mjedis Në këto momente zhvillimi të ekonomisë shqiptare, ndotja termike pothuaj nuk është prezente, pasi TEC-et, që janë dhe ndotësit termikë kryesorë, nuk funksionojnë prej 13 vjetësh dhe Kombinati Metalurgjik në Elbasan ka vetëm 2-3 vjet që ka vënë në shfrytëzim disa nga linjat e prodhimit të çelikut. Megjithatë, gjendja deficitare energjetike e vendit tonë dhe përmirësimi i bilancit financiar energjetik, detyron Qeverinë Shqiptare të investojë për të vënë në eficiencë termocentralet ekzistuese dhe të ndërtojë të tjerë me kapacitet të madh që ti paraprijnë investimeve të tjera të rëndësishme.
Këto investime dhe të tjerat më pas, nuk mund të jenë pa ndikime të ndotjes termike sikurse dhe me efekte të tjera ndotjeje. Parandalimi i tyre ka të bëjë me vlerësimin mjedisor të aktiviteteve dhe zbatimin e detyrimeve, që rrjedhin nga aktet ligjore mjedisore, tashmë të konkretizuara vetëm për ndotjet e tjera, pa përfshirë ndotjen termike.Përvoja botërore ka treguar se mënyrat më të përshtatshme të eliminimit të ndotjes termike në ujrat sipërfaqësore është trajtimi i ujrave të nxehtë industrialë, në prodhimin e përdorimin e avullit ose shkarkimin e tij direkt në atmosferë. Per këtë qëllim, si zgjidhje efikase përdoren kullat e ftohjes dhe sprucatorët e kombinuar me kanalet e shkarkimit të ujrave te ftohur në një distancë të llogaritur nga lumi ku do shkarkohen.
Një zgjidhje tjetër realizohet nëpërmjet ndërtimit të disa baseneve ftohës, të llogaritur për sasinë e prurjeve, kapacitetin dhe kohën e ftohjes së tyre para se të shkarkojnë në ujrat natyrore sipërfaqësore. Interesat ekologjike të ruajtjes së ekuilibreve biologjike natyrore të ujrave sipërfaqësore, kanë detyruar institucione dhe shtete të ndryshme të vendosin normativa ligjore për këtë qëllim, që për vendet e zhvilluara janë me rigoroze në krahasim me vendet e tjera. Shqipëria, si vend me pak probleme të ndotjes termike të ujrave sipërfaqësore, ende nuk ka miratuar normativat përkatëse. Megjithatë, ka ardhur koha që këto normativa të vendosen dhe të jenë në përshtatje me normat e Komunitetit Europian, ku pretendojmë të antarësohemi. Është detyrë funksionale e Ministrisë së Mjedisit të parapërgatisë propozimet ligjore përkatëse për Qeverinë dhe Kuvendin Shqiptar, para licencimit të aktiviteteve që ndikojnë në ndotjen termike të ujrave sipërfaqsore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.