Eshtë diskutuar në Komisionin e Ekonomisë drafti për disa ndryshime në ligjin e prokurimeve publike, i cili synon rregullimin e këtij procesi.
Një ndër diskutimet kryesore në Komision është propozimi për shkrirjen e Avokatit të Prokurimeve. Ndërkohë që pritet që Komisioni i Ekonomisë të marrë vendimin lidhur me këtë propozim.
Arsyeja që kërkohet ky ndryshim lidhet me pretendimet se Avokati i Prokurimeve e ka përmbushur misionin e tij dhe rolin e tij do ta luajë Komisioni i Prokurimit Publik.
Ndërkohë, nga 1 janari, edhe blerjet e vogla në shtet do të jenë dixhitale. Vendosja e sistemit dixhital në blerjet e vogla përbën një hap të rëndësishëm për të shmangur çdo marrëveshje të shkurtër për këto blerje, që në fund bëhen të mëdha. Agjencia e Prokurimeve Publike ka përfunduar me kompaninë përkatëse, softin e këtij programi dhe është e domosdoshme që të gjitha agjencitë që kanë autoritet kontraktues të trajnojnë personelin, në mënyrë që të kalohet tërësisht në blerje elektronike. Kjo përbën një hap shumë të rëndësishëm edhe në rritjen e transparencës së procesit të shpenzimeve publike.
Më poshtë paraqiten të gjitha ndryshimet e këtij projektligji.
Në mbështetje të nenit 81, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Pika 20, e nenit 3, “Përkufizime”, riformulohet, si më poshtë vijon:
“20. “Kërkesë për propozim” është procedura, me anë të së cilës autoriteti kontraktor kërkon oferta nga një numër i kufizuar operatorësh ekonomikë të përzgjedhur prej tij, por pranon edhe oferta të paraqitura nga operatorë të tjerë ekonomikë, të interesuar.”.
Neni 2
Në nenin 4,“Fusha e zbatimit”,fjalët “… dhe ato që rregullohen me ligj tjetër …”hiqen.
Neni 3
Titulli i nenit 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kontratat sekrete, kontratat që kërkojnë masa të veçanta sigurie dhe kontratat që diktohen nga interesa thelbësore të shtetit”.
Neni 4
Në nenin 12, “Përgjegjësia e autoritetit kontraktor”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në pikën 1 fjalët “… që i janë vënë në dispozicion …” hiqen.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2.Autoriteti kontraktor duhet të mbajë procesverbale dhe dokumentacion të plotë për procedurat e kryera në përcaktimin e fituesit të kontratës, në mënyrë të tillë që të lejojnë kontrollin e zbatimit të ligjit.
Për çdo procedurë prokurimi, procesverbalet duhet të përmbajnë, të paktën, këto të dhëna:
a) Një përshkrim të shkurtër të mallrave, punëve ose shërbimeve, që do të prokurohen, ose të nevojës për prokurim, për të cilën autoriteti kontraktor ka vendosur nisjen e procedurës;
b) Arsyet për zgjedhjen e një procedure të caktuar;
c) Një përmbledhje të të gjitha kërkesave për sqarim për dokumentet e tenderit, përgjigjet e dhëna për këto kërkesa, si dhe një përmbledhje të të gjitha korrigjimeve të bëra në këto dokumente;
ç) Emrat dhe adresat e ofertuesve që kanë dorëzuar oferta, emrin dhe adresën e ofertuesit, nëse ka një të tillë, oferta e të cilit është përcaktuar si fituese, si dhe vlerën e kontratës;
d) Mënyrën e kualifikimit të ofertuesve ose kandidatëve apo të mungesës së tyre;
dh) Vlerën ose mënyrën e përllogaritjes së vlerës dhe një përmbledhje të kushteve të tjera thelbësore për çdo ofertë dhe kontratë prokurimi;
e) Një përmbledhje të vlerësimit dhe të krahasimit të ofertave;
ë) Në rast të refuzimit të të gjitha ofertave, sipas nenit 24, të këtij ligji, deklaratën dhe arsyet e këtij refuzimi;
f) Për rastin kur një ofertë është refuzuar për shkaqe të parashikuara në nenin 47, të këtij ligji;
g) Një përmbledhje të ankesave dhe të zgjidhjes së tyre.”.
3.Në pikën 3 fjalët “… krijon një regjistër për…” zëvendësohen me fjalën “… administron …”.
4. Pika 3/1 riformulohet, si më poshtë vijon:
“3/1. Në rastin e prokurimit elektronik, raporti i realizuar nga vetë sistemi, sipas përcaktimit në rregullat e prokurimit me mjete elektronike, bëhet pjesë e dosjes së prokurimit.”.
Neni 5
Në nenin 13, “Agjencia e Prokurimit Publik”, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
- Shkronja “g”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“g) verifikon zbatimin e procedurave të prokurimit publik, pas fazës së nënshkrimit të kontratës së prokurimit në përputhje me kërkesat e përcaktuara në kete ligj dhe aktet nënligjore si dhe monitoron mbarëvajtjen e sistemit të prokurimit publik nëpërmjet informacioneve të marra nga raportet periodike të autoriteteve kontraktore.”.
- Në pikën 3 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Shkronja “ç” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç. mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale në kontratat publike, brenda afateve të përcaktuara në rregullat e prokurimit;”.
b) Pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) kur ka një vendim të formës së prerë të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës për marrëveshje në oferta.”.
3. Në pikën 5 fjalët “… personeli tjetër …” zëvëndësohen me “… stafi ndihmës …”.
Neni 6
Nenet 14, 15,16,17,18 e 19 shfuqizohen.
Neni 7
Në nenin 21, “E drejta për informim”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Informacioni i administruar sipas nenit 12, të këtij ligji, i vihet në dispozicion çdo personi të interesuar, palë në proces me kërkesë të tij, pasi ka përfunduar klasifikimi i ofertave. Autoriteti kontraktues është i detyruar ta vërë në dispozicion informacionin brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës.”.
- Në pikën 2 bëhen këto ndryshime:
a) Në paragrafin e parë fjalët “ … sa më shpejt të jetë e mundur, por …” hiqen.
b) Në shkronjën “c” fjalët “… për karakteristikat dhe avantazhet e ofertës së përzgjedhur …” zëvendësohen me “… për klasifikimin e ofertave …”.
Neni 8
Në nenin 22, “Format e komunikimit”, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
- Në pikën 1, pas fjalëve “… me shkrim …” shtohen fjalët “… ose me mjete elektronike …”.
- Pikat 2 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Në rastet kur autoriteti kontraktor komunikon në formë elektronike, mjetet e komunikimit elektronik dhe karakteristikat e tyre teknike duhet të jenë jodiskriminuese, të disponueshme dhe të ndëroperueshme me produktet e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, të cilat përdoren gjerësisht. Rregullat dhe procedurat për këtë formë komunikimi përcaktohen në rregullat e prokurimit publik.
3. Në rast se komunikimi ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe autoritetit kontraktor kryhet në ndonjë formë tjetër, të ndryshme nga ato të parashikuara në këtë nen, përmbajtja e tij duhet të dokumentohet menjëherë me shkrim.”.
Neni 9
Në fund të shkronjës “c”, të pikës 3, të nenit 23, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje :
“Çdo referencë duhet të shoqërohet nga fjalët “ose ekuivalenti i tij/saj.”.
Neni 10
Në nenin 24, “Anulimi i një procedure prokurimi”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pikat 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1.Autoriteti kontraktor anulon procedurën e prokurimit vetëm:
a) për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në kohën e fillimit të procedurës së prokurimit, duke respektuar parimet e barazisë dhe të transparencës, sipas përcaktimit në rregullat e prokurimit publik;
b) nëse nuk është paraqitur asnjë ofertë brenda afateve kohore;
c) kur në fazën e parë të procedurës së kufizuar dhe me negociim me shpallje paraprake të njoftimit kualifikohen më pak se 2 (dy) kandidatë;
ç) nëse asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentat e tenderit;
d) nëse të gjitha ofertat e pranuara përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktor, të parashikuar për një kontratë të caktuar;
dh) kur Komisioni i Prokurimit Publik vendos anulimin, sipas parashikimit të shkronjave “b” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 64, të këtij ligji.”.
2. Në pikën 4 fjalët “… brenda 10 (dhjetë) ditëve …” zëvendësohen me “… jo më vonë se 5 (pesë) ditë …”.
Neni 11
Pas pikës 2, të nenit 26, “Veprimet korruptive dhe konflikti i interesave”, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Në rast se në momentin e hapjes së ofertave evidentohet se një ose disa prej operatorëve ekonomikë ndodhen në kushtet e konfliktit të interesit me një ose disa prej zyrtarëve të caktuar për vlerësimin e ofertave dhe kjo situatë konflikti nuk mund të evidentohej përpara këtij momenti, atëherë duhet të zëvendësohet zyrtari/zyrtarët në fjalë dhe më pas të vazhdojë procesi i prokurimit.”.
Neni 12
Pas shkronjës “d”, të pikës 1, të nenit 29, “Procedurat standarde të prokurimit”, shtohet shkronja “dh”, me këtë përmbajtje:
“dh) procedurë “shërbim konsulence”.”.
Neni 13
Pas shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 31, “Procedura e kufizuar”, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) kriteret e përcaktimit të ofertës fituese siç përcaktohen në nenin 55.”.
Neni 14
Në fund të fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 34, “Kërkesa për propozime”, fjalët “… dhe i vlerëson ato në bazë të cilësisë dhe çmimit …” hiqen.
Neni 15
Pas nenit 34, “Kërkesa për propozime”, shtohet neni 34/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 34/1
Shërbim konsulence
- Autoriteti kontraktor, që ndërmerr një procedurë “shërbim konsulence”, njofton qëllimin e prokurimit me anë të botimit të njoftimit të kontratës, në përputhje me nenin 38, të këtij ligji. Njoftimi duhet të përmbajë informacionin e parashikuar në nenin 39, të këtij ligji.
- Procedurat e hollësishme të zhvillimit të kësaj procedure prokurimi parashikohen në rregullat e prokurimit.”.
Neni 16
Pika 1, e nenit 36, “Rregullat e zbatueshme të komunikimeve elektronike”,ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Pa cenuar parimin e përgjithshëm të mosdiskriminimit dhe dispozitat e nenit 22, të këtij ligji, rregullat e mëposhtme janë të zbatueshme për marrjen e ofertave dhe kërkesave për pjesëmarrje nëpërmjet mjeteve të transmetimit elektronik, si më poshtë:
a) Informacionet, që lidhen me specifikimet e nevojshme për paraqitjen elektronike të ofertave dhe kërkesave për pjesëmarrje, përfshirë enkriptimin, janë në dispozicion të palëve të interesuara. Mjetet për marrjen elektronike të ofertave dhe kërkesave për pjesëmarrje duhet të jenë në përputhje me kërkesat e përcaktuara në rregullat e prokurimit publik dhe me legjislacionin përkatës;
b) Ofertat elektronike duhet të shoqërohen nga nënshkrimi elektronik, sipas standardeve ndërkombëtare ose rregullat e prokurimit mund të paraqesin skema vullnetare akreditimi, për arritjen e niveleve të larta të shërbimit të certifikimit për mjetet në fjalë;
c) Përpara përfundimit të afatit kohor, të përcaktuar për dorëzimin e ofertave ose të kërkesave për pjesëmarrje, ofertuesit marrin përsipër të paraqesin dokumentet, certifikatat dhe dëshmitë, të përmendura në nenet 45 dhe 46, të këtij ligji, nëse këto të fundit nuk ekzistojnë në format elektronik.”.
Neni 17
Pika 1, e nenit 38, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1.Autoriteti kontraktor, që kryen procedura prokurimi për kontrata publike me anë të procedurës së hapur, të kufizuar, me negociim, me shpallje paraprake të njoftimit, kërkesës për propozim ose shërbim konsulence, në përputhje me nenet 30, 31, 32 ,34 e 34/1, të këtij ligji, ose kur fillon procedurën për konkurs projektimi, sipas nenit 35, të ligjit, bën njoftimin publik për kryerjen e llojit përkatës të prokurimit publik.”.
Neni 18
Pika 4, e nenit 40, “Ftesa për ofertë”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Autoriteti kontraktor, kur përdor procedurën e kufizuar dhe procedurën me negociim, fton për të paraqitur ofertë të gjithë kandidatët që kualifikohen në fazën e parë të procedurës. Autoriteti kontraktor mund të vazhdojë procedurën e prokurimit vetëm kur janë të paktën 2 (dy) kandidatë me përjashtim të procedurës me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit. Në njoftimin për tender, autoriteti kontraktor duhet të përcaktojë kriteret objektive, jodiskriminuese si dhe rregullat që do të zbatohen.”.
Neni 19
Neni 41, “Dokumentet e tenderit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 41
Dokumentet e tenderit
- Autoriteti kontraktor, në hartimin e dokumenteve të tenderit, përdor dokumentet standarde, sipas përcaktimit në rregullat e prokurimit dhe i vë në dispozicion falas në rrugë elektronike.
2. Autoriteti kontraktor, kur i kërkohet nga operatorët ekonomikë, do të vërë në dispozicion të të interesuarve dokumentet e tenderit, kundrejt pagesës. Në çdo rast, emrat dhe numri i operatorëve ekonomikë, që kanë shfaqur interes për blerjen e dokumentacionit të tenderit apo këqyrjen e tij, duhet të mbahen sekret.”.
Neni 20
Fjalia e fundit, e pikës 1, të nenit 42, “Sqarimet dhe ndryshimi në dokumentet e tenderit”, hiqet.
Neni 21
Në pikën 3, të nenit 46, “Kualifikimi i ofertuesve”, pas fjalëve “… dhe të mesëm …” shtohen fjalët “… dhe në çdo rast të jenë sipas përcaktimeve në rregullat e prokurimit publik …”.
Neni 22
Në fjalinë e parë, të nenit 47, “Skualifikimi i ofertuesve”, hiqen fjalët “… ose një dokument të falsifikuar …”.
Neni 23
Pika 4, e nenit 48, “Paraqitja dhe pranimi i ofertave”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Paraqitja e ofertave bëhet, si më poshtë vijon:
a) Ofertat dorëzohen me shkrim, dorazi ose përmes postës, të nënshkruara dhe të mbyllura në zarf, me përjashtim të rasteve të përmendura në shkronjën “b”, të kësaj pike, kur autoriteti kontraktor, sipas kërkesës, pajis ofertuesit me një dëshmi, ku shënohen data dhe ora e pranimit të ofertës;
b) Ofertat dorëzohen në rrugë elektronike, sipas përcaktimit në aktet nënligjore.”.
Neni 24
Në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 49, pas fjalës “… vlera …” shtohet “ … e përllogaritur …”.
Neni 25
Pika 1, e nenit 55, “Kriteret e përcaktimit të ofertës fituese”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Oferta fituese duhet të jetë:
a) oferta që, në bazë të kërkesave dhe kritereve të përcaktuara në dokumentet e tenderit, plotëson kërkesat e objektit të prokurimit me çmimin më të ulët; ose
b) oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në kritere të ndryshme të lidhura me objektin e kontratës që prokurohet, si: cilësia, çmimi, cilësitë teknike, karakteristikat estetike, funksionale, mjedisore, kostot e funksionimit, efektshmëria ekonomike, mirëmbajtja pas shitjes, afati i lëvrimit apo ekzekutimit, me kusht që këto kritere të jenë objektive dhe jodiskriminuese.”.
Neni 26
Në pikën 1, të nenit 56, “Oferta anomalisht e ulët”, fjalët “… përpara se t’i refuzojë ato ,…” zëvendësohen me “… përpara se t’i kualifikojë ato ,…”.
Neni 27
Në nenin 58, “Njoftimi i fituesit dhe nënshkrimi i kontratës”, bëhen këto ndryshime:
1. Pikat 2 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Brenda 5 (pesë) ditëve nga data e njoftimit të fituesit, autoriteti kontraktor dërgon një njoftim në Agjencinë e Prokurimit Publik për botimin në Buletinin e Njoftimeve Publike.
Në rastin e procedurave të zhvilluara me mjete elektronike, njoftimi i fituesit dërgohet në platformën elektronike të prokurimit, ditën e nesërme të punës nga marrja e vendimit.
Njoftimi përmban minimalisht këtë informacion:
a) Emrat e ofertuesve pjesëmarrës;
b) Vlerat e ofertave;
c) Emrat e ofertuesve të skualifikuar dhe arsyet e skualifikimit;
ç) Emrin e ofertuesit të suksesshëm dhe vlerën e ofruar prej tij;
d) Ankesa, nëse ka pasur ose jo të tilla.
3. Autoriteti kontraktor dhe ofertuesi fitues nënshkruajnë kontratën sipas afateve të përcaktuara në rregullat e prokurimit publik. Në çdo rast kjo periudhë nuk duhet të tejkalojë afatin e vlefshmërisë së ofertës, të përcaktuar në njoftimin e kontratës, ose në dokumentat e tenderit.”.
- Pika 5 riformulohet, si më poshtë vijon:
“5. Kur ofertuesi fitues nuk arrin të nënshkruajë kontratën ose nuk bën sigurimin e kontratës, kur një gjë e tillë kërkohet, autoriteti kontraktor bën konfiskimin e sigurimit të ofertës dhe përzgjedh ofertuesin e renditur i dyti në listën e ofertave të përzgjedhura, që kanë mbetur. Në rastin kur si kriter i përcaktimit të ofertës fituese është përdorur “çmimi më i ulët”, autoriteti do të përzgjedhë ofertuesin e renditur të dytin, vetëm nëse diferenca ndërmjet ofertës së kualifikuar në vendin e parë dhe të dytë do të jetë jo më e madhe se vlera e sigurimit të ofertës. Kjo nuk cenon të drejtën e autoritetit kontraktor, sipas nenit 24, të këtij ligji, për të refuzuar të gjitha ofertat e mbetura dhe për të anuluar procedurën e prokurimit. Njoftimi, sipas pikës 1, të këtij neni, i dërgohet ofertuesit, oferta e të cilit është përzgjedhur sipas kësaj pike.”.
Neni 28
Në nenin 63, “Të drejtat e personit të interesuar”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1.1 Në rastin e ankesave për dokumentet e tenderit, operatorët ekonomikë mund të ankohen pranë autoritetit kontraktor brenda 7 (shtatë) ditëve nga data e publikimit të njoftimit të kontratës në faqen në internet të Agjencisë së Prokurimit Publik.
Me marrjen e ankesës me shkrim, autoriteti kontraktor pezullon vazhdimin e procedurës së prokurimit, derisa ankesa të jetë shqyrtuar plotësisht, përfshirë dhe nxjerrjen e një vendimi brenda 3 (tri) ditëve nga data e depozitimit të ankesës. Ndaj vendimit përfundimtar të autoritetit kontraktor mund të bëhet ankim në Komisionin e Prokurimit Publik në përputhje me pikën 6 e në vijim të këtij neni.”.
2. Në pikën 2, pas fjalës “… ankesa …” shtohen fjalët “… kundër vendimeve të autoritetit kontraktor …”.
3. Në pikën 3 fjalët “… të përcaktuar në pikën 5 …” zëvendësohen me “… të përcaktuara në pikat 5 dhe 6 …”.
4. Në pikën 6, fjalët “… brenda 7 (shtatë) ditëve …” zëvendësohen me “… brenda 10 (dhjetë) ditëve …”.
5. Në pikën 9 fjalët “… rregullat e prokurimit publik …” zëvendësohen me “… vendimin e Këshillit të Ministrave …”.
6. Pas pikës 10 shtohet pika 11, me këtë përmbajtje:
“11. Për procedurat e prokurimit, për të cilat nuk bëhet njoftim publik sipas nenit 38, të këtij ligji, nuk zbatohen dispozitat lidhur me procedurat e rishikimit administrativ.”.
Neni 29
Shkronja “c”, e pikës 4, të nenit 64, “Të drejtat e Komisionit të Prokurimit Publik”,hiqet.
Neni 30
Pika 1, e nenit 64/3,“Ankimi në gjykatë”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Palët kanë të drejtë që, kundër vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, të bëjnë padi për shqyrtim të mosmarrëveshjes administrative në gjykatën përkatëse.”.
Neni 31
Pas nenit 64/3, “Ankimi në gjykatë”, shtohen nenet 65 dhe 66, me këtë përmbajtje:
“Neni 65
Procedura e hetimit administrativ
- Agjencia e Prokurimit Publik verifikon zbatimin e procedurave të prokurimit publik, pas fazës së nënshkrimit të kontratës së prokurimit, kur ka fakte të mjaftueshme se ka pasur shkelje të këtij ligji.
- Gjatë hetimit administrativ, Agjencia e Prokurimit Publik ka të drejtë:
a) të kryejë hetime administrative në vend, duke përfshirë edhe hyrjen në çdo zyrë të institucioneve publike dhe këqyrjen në vend të akteve ose dokumenteve që kanë lidhje me çështjen që heton;
b) të kërkojë informacione e shpjegime nga çdo organ i administratës, qendrore dhe vendore, si dhe të marrë çdo dosje apo material që ka lidhje me hetimin administrativ;
c) të marrë në pyetje çdo person që, sipas tij, është i lidhur me çështjen nën hetim dhe të thërrasë të gjithë personat pa imunitet;
ç) të kërkojë ekspertizat përkatëse nga ekspertë të palëve të treta.
3. Për të realizuar funksionet, Agjencia e Prokurimit Publik ka të drejtë të ketë akses në të gjitha zyrat e institucioneve të administratës publike, të cilat njihen si autoritete kontraktore, sipas këtij ligji.
4. Agjencia e Prokurimit Publik ka të drejtë të caktojë një afat për përgjigjen ndaj kërkesave të saj për informacion dhe për dorëzimin e dokumenteve përkatëse, sipas legjislacionit që rregullon procedurat administrative.
Neni 66
Veprimet pas përfundimit të hetimit administrativ
- Pas përfundimit të hetimit administrativ, Agjencia e Prokurimit Publik mund të marrë këto vendime:
a) Të mbyllë hetimin, në qoftë se veprimet ose mosveprimet e autoritetit kontraktor nën hetim nuk përbëjnë shkelje të këtij ligji.
b) Të propozojë masë disiplinore ose të vendosë gjobë në përputhje me nenin 72, të këtij ligji, për shkeljet e gjetura.
2. Në çdo rast, palët do të njoftohen me shkrim për vendimin e marrë.”.
Neni 32
Nenet 69, 70, 71, 71/1, të kreut IX, “Veprimtaria e Avokatit të Prokurimeve”, shfuqizohen.
Neni 33
Neni 72, “Kundërvajtjet administrative”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 72
Kundërvajtjet administrative
- Mosrespektimi i rregullave të prokurimit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, kur përbën kundërvajtje administrative dënohet me masë disiplinore ose me gjobë, si më poshtë vijon:
a) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 4, të këtij ligji, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë;
b) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në pikën 2, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 15 000 deri në 30 000 lekë;
c) Mospërmbushja e detyrimit për formën e komunikimit, për shkëmbimin dhe ruajtjen e informacionit, të përcaktuar në nenin 21, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë;
ç) Mospërmbushja e detyrimit të parashikuar në nenin 23, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 200 000 lekë;
d) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 25, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë;
dh) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 28, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 20 000 deri 1 000 000;
e) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 38, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë;
ë) Mospërmbushja e njërit prej detyrimeve të përcaktuara në nenet 39, 40, 41 e 42, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 300 000 lekë;
f) Mospërmbushja e detyrimeve të përcaktuara në nenin 43, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 500 000 lekë;
g) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 53, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 1 000 000 lekë;
gj) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 56, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë;
h) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 63, dënohet me gjobë nga 100 000 deri 1 000 000 lekë;
i) Personat, që përpiqen të ndikojnë në vendimmarrjen e Komisionit të Prokurimit Publik, në kundërshtim me nenin 19/7, të këtij ligji, dënohen me gjobë nga 50 000 deri 100 000 lekë.
2. Në të gjitha rastet e mësipërme, kur personat përgjegjës nuk dënohen me gjobë, dhe në çdo rast tjetër të shkeljes së dispozitave të këtij ligji, kërkohet dhënia e masave disiplinore ndaj tyre.
3. Personat e interesuar, në përputhje me Kodin e Procedurës Civile, mund të bëjnë ankim në gjykatë.”.
Neni 34
Në nenin 73, “Sanksionet për mosbashkëpunim”, fjalët “… dhe Avokatin e Prokurimeve …” hiqen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.