Që nga momenti kur kompanitë bullgare dhe ato maqedonase nënshkruan një marrëveshje miqësore në gusht të 2017-s, ato janë më të prira për të bashkëpunuar në fushën e biznesit, si dhe në bërjen e investimeve në tregjet e njëri-tjetrit, deklarojnë organizatat e biznesit.
Sipas një sondazhi të kryer kohët e fundit nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Bullgarisë, numri i kompanive bullgare që shprehin interes për të investuar në sektorin e biznesit në Maqedoni u dyfishua në janar të këtij viti.
Ndërsa Kina vazhdon të mbetet tregu më i madh i interesuar për të investuar në kompanitë bullgare, rreth 24% e pjesëmarrësve në anketë thanë se do të donin të vizitonin Maqedoninë dhe të gjenin partnerë biznesi atje, dyfishi i pjesëmarrësve prej 12% në vitin 2017.
Lubomir Levicharov, një ekspert ekonomie në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Bullgarisë, thotë se marrëveshja e miqësisë duhet të çojë në projekte të reja të infrastrukturës. Hyrja “e mundshme” e Maqedonisë në BE, ka qenë një tjetër faktor që ka ndikuar në nxitjen e kompanive bullgare për ta parë tregun fqinj të Maqedonisë si një mundësi e mirë për të investuar dhe për të bashkëpunuar.
Kryeministri i Bullgarisë dhe ai i Maqedonisë, Bojko Borisov dhe Zoran Zaev nënshkruan në Shkup, në gusht të 2017-s, marrëveshjen historike, për të cilën është negociuar në më shumë se një dekadë.
Të dyja parlamentet e ratifikuan marrëveshjen në janar të 2018-s, duke shënuar njëkohësisht një etapë të re për të dyja vendet, një etapë e cila pritet t’i afrojë edhe më shumë vendet me njëra-tjetrën përmes një partneriteti të orientuar nga BE-ja.
Marrëveshja parashikon mbështetjen bullgare ndaj Maqedonisë, në përpjekjet për t’iu bashkuar NATO-s dhe BE-së, përmirësimin e tregtisë, infrastrukturës së transportit, lehtësimin e doganave dhe formaliteteve kufitare. Pas gushtit të 2017-s, në një përpjekje për të rritur lidhjet ekonomike me Maqedoninë, Ministria e Ekonomisë bullgare njoftoi se po rihapte shërbimin e saj komercial në Shkup, i cili ishte mbyllur që prej 2015.
“Klima politike pozitive mes dy vendeve është në nivelin më të lartë, situatë nuk shihej prej vitesh”, tha për BIRN Vladimir Vladimir, themeluesi i Klubit të Biznesit bullgaro-maqedonas, me bazë në Sofje dhe Shkup, i cili u themelua pothuajse menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes. Ai tha se Maqedonia ishte një partner që ngjallte interes te kompanitë bullgare, për shkak të afërsisë, mungesës së barrierave gjuhësore dhe faktit që të dy popujt e njohin shumë mirë njëri-tjetrin.
“Ka banka, sigurues dhe kompani të tjera bullgare të pranishme në tregun maqedonas, që kanë krijuar një platformë dhe mjedis të mirë për të bërë biznes”, shtoi z. Vladimirov, i cili ka një kompani që merret me bujqësinë.
Bullgaria ishte partneri i gjashtë më i madh tregtar i Maqedonisë në 2016, me një shkëmbim total prej rreth 430 milionë eurosh dhe një deficit tregtar në anën maqedonase prej 41 milionë eurosh. Në krahasim me 2015, këto vlera tregonin një rënie me 9%.
Mallrat më të tregtuara midis dy vendeve deri më tani janë metale të tilla si plumbi, bakri, zinku dhe koncentratet e tyre.
Investimet e Huaja Direkte bullgare në Maqedoni arritën kulmin në vitin 2011, ku u investuan rreth 31 milionë euro. Por që prej atij viti, investimet filluan të shënojnë rënie çdo vit. Megjithatë, sipas Bankës Qendrore të Maqedonisë, investimet bullgare filluan të rriten përsëri në vitin 2016, kur vlera e ulët u rrit në 16 milionë euro.
Z. Vladimirov shtoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme bullgare dhe maqedonase përdorin shërbimet e klubit të tij të biznesit për të kërkuar partnerë të rinj.
Ai tha se që të dyja vendet kanë nevojë emergjente të përmirësojnë infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, si dhe lidhjet e gazit, nëse duan që ky biznes midis këtyre vendeve të zhvillohet më tej.
“Pritshmëritë tona janë shumë pozitive. Këtë herë, ndryshe nga herët e tjera, çuditërisht, politikanët i bënë shumë mirë detyrat e shtëpisë. Tani është momenti i duhur që biznesi të shikojë drejt së ardhmes”, përfundoi ai.