Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe i Inteligjencës me asistimin e njësive speciale kanë zhvilluar një aksion kontrolli në Zubin Potok, në katër lokacione për shkak të dyshimit se janë kryer veprimtari të kundërligjshme, transaksione fiktive. Policia në veri ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë kontrolli, por vetëm janë dorëzua 4 ftesa për Inspektori Financiar, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Mbi 4 milionë euro vlerësohet të jenë shmangiet e tatimeve nga të paktën 4 subjekte ekonomike në Zubin Potok.
Për shkak të këtyre dyshimeve, Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe i Inteligjencës në mëngjesin e së mërkurës ka zhvilluar një aksion kontrolli në Zubin Potok, në katër lokacione nën dyshimin se janë kryer veprimtari të kundërligjshme, transaksione fiktive.
ATK-ja nëpërmes një komunikate ka njoftuar se aksioni është zhvilluar me sukses dhe pa ndonjë problem, ku në mbështetje të zyrtarëve të DHTI-së kanë qenë njësitë speciale, ndërsa aksioni është zhvilluar me autorizim të prokurorit, shkruan më tutje “Zëri”.
Sipas ATK-së e duke iu referuar të dhënave nga terreni, janë gjetur disa dëshmi se personat dhe subjektet e caktuara janë marrë me veprimtari të kundërligjshme, lëshimin e faturave fiktive.
Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar prova materiale, si USB dhe dokumentacion tjetër që dëshmojnë shmangie tatimore, ndërsa vlera e faturave fiktive të lëshuara dyshohet të jetë mbi 4 milionë euro.
/ZERI/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.