Dielli po perëndon në bregdetin e Durrësit dhe disa pushues preferojnë të shikojnë zhdukjen e tij graduale në det, ulur në një lokal të vogël në freskun e pishave. Por, ndryshe nga herët e tjera, kamerieri nxiton të të sjellë faturën me vlerën e shërbimit (biznes i vogël pa TVSH), ndërsa në lokal është ngjitur në disa vende të dukshme njoftimi “Ju lutem mos u largoni pa marrë kuponin tatimor”, si dhe është afishuar lista e çmimeve. Kamerieri pohon nën zë se janë pajisur me kasë dhe kanë filluar të lëshojnë faturë rregullisht pas kontrollit të Tatimeve.
Tatimorët kanë shtuar kontrollet këtë sezon në gjithë bregdetin e Durrësit dhe në atë të Lalëzit, çka ka bërë që edhe njësitë tregtuese të jenë më të kujdesshme në lëshimin e faturave, siç rezulton nga një vëzhgim i ‘Monitor’ në disa njësi në bregdetin e Durrësit.
Në muajin qershor, Drejtoria e Tatimeve njoftoi për krijimin e strukturave të posaçme të monitorimit dhe kontrollit, frenimin dhe goditjen e çdo fenomeni të shmangies nga detyrimet fiskale, në zonat bregdetare. Planin i masave synonte garantimin e ofrimit të shërbimeve konform legjislacionit, si përputhja e çmimit të afishuar dhe të dokumetuar në pajisjet dhe dokumentacionin fiskal si një përgjegjësi e përbashkët që turistëve vendas dhe të huaj t’ju ofrohet një trajtim korrekt, respektimin e detyrimit për deklarimin korrekt të të gjithë të punësuarve etj. Në këtë sezon, njoftuan tatimet, qasja ndaj biznesit do të jetë e mbështetur në modelin e analizës së riskut, konkretisht vizita fiskale, kontrolle nga zyra dhe ndërhyrje në territor aty ku do të konstatohen parregullsi.
Së fundmi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve.
“Beteja me evazionin fiskal është më e vështirë sesa beteja kundër informalitetit, prandaj dhe DPT ka kërkuar në çdo moment bashkëpunimin me qytetarët. Denoncimi prej tyre i mosdhënies së kuponit tatimor, çmimeve të larta të cilat nuk deklarohen në fatura apo i fenomeneve të tjera, është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e ekonomisë sonë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bën thirrje bizneseve kudo ku ata ndodhen, që kjo nuk është një luftë kundër tyre, por një betejë e përbashkët për të ardhmen e ekonomisë së vendit. Ata mund të gjejnë në çdo kohë bashkëpunimin me administratën tatimore, por nuk do të gjejnë kurrë pakte korruptive me asnjë punonjës të administratës tatimore në betejën tonë me evazionin”, thanë tatimet në një njoftim të publikuar ditën e djeshme. (http://www.monitor.al/tatimet-ftojne-qytetaret-te-luftojme-se-bashku-evazionin-fiskal-vemendja-ne-zonat-turistike/)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.