10 futbollistët më të kushtueshëm, duke llogaritur të gjitha transferimet e një lojtari
Hames Rodriguez është vetëm 26 vjeç, por kolumbiani është një ndër lojtarët më të shtrenjtë në histori.
Mesfushori me tipare sulmuese iu bashkua Bayern Munchen të mërkurën. Kolumbiani u largua nga Real Madrid me formulën e huazimit dyvjeçar.
Kjo do të thotë që deri më sot, Rodriguez ka ndryshuar 5 klube, për një shifër totale 140.1 milionë euro, duke u renditur i katërti, vetëm 100.000 euro më pak se 24-vjeçari Romelu Lukaku, i cili u transferua te Manchester United javën që shkoi për 84.8 milion euro.
Duke pasur parasysh moshën e tij (35 vjeç) dhe ç’është më e rëndësishme agjentin e tij (Mino Raiola) është e habitshme që sulmuesi Zlatan Ibrahimoviç renditet i dyti, falë, në pjesën më të madhe – por pa sukses, transferimit të tij nga Interi te Barcelona në vitin 2009 për 69.5 milionë euro.
Lojtari më i shtrenjtë, duke bërë bashkë gjithë transferimet e tij, është Angel di Maria, i cili në harkun e një viti është transferuar nga Real Madrid tek Manchester United për 74.6 milionë euro dhe më pas nga Manchester United tek Paris Saint-Germain për 61.6 milionë euro.
Falë transferimit verën e kaluar nga Napoli tek Juventus për 90 milionë euro, Gonzalo Higuain renditet në vend të pestë. Më pas gjejmë emra të tillë si Nicolas Anelka, Juan Sebastian Veron dhe Hernan Crespo, përkatësisht në vend të 6, 7 dhe 9.
Në vend të 8 ndodhet mbrojtësi brazilian, David Luiz, i cili në karrierën e tij ka luajtur për katër skuadra. Spikasin transferimet nga Benfica te Chelsea, nga Chelsea te Paris SG, ku qëndroi vetëm për dy sezone, për t’u rikthyer sërish në Stamford Bridge.
Dhjetëshen e mbyll sulmuesi uruguaian, Luis Suarez, i cili renditet përpara yjeve të Real Madrid, Gareth Bale apo Cristiano Ronaldo, falë transferimit prej 82.3 milionë eurosh nga Liverpool te Barcelona në vitin 2014. Më parë i ishte bashkuar të “Kuqve” nga Ajax-i për 26.4 milionë euro.