Ndërsa Donald Trump po ngrihet kundër botës të cilën ai e trashëgoi pas marrjes së postit, aleatët e Amerikës ndihen të shqetësuar dhe me të drejtë
Uashingtoni është në prag të një revolucioni. Zymtësia e inaugurimit të muajit të kaluar është ende e pranishme, sidomos pas veprimit që bëri Donald Trumpi kur hodhi për herë të parë bombën molotov të politikave dhe realizimit të urdhrave ekzekutivë, shkruan The Economist.
Ai nuk ka të ndalur. Largimi i Amerikës nga Partneriteti Trans-Paqësor, kërkesat për rinegocim të NAFTA-s, muri me Meksikën, rregullat mbi emigrimin, afrimiteti me Britaninë në prag të daljes nga BE-ja, lidhjet që po mundohet të vendosë me Rusinë, ftohja ndaj Bashkimit Europian, përkrahja e formave të ndryshme të torturave dhe sulmi ndaj shtypit, pra me pak fjalë, ai dhe njerëzit e tij kanë sjellë me vete mbeturinat e një mendimi që duhej të ishte kthyer në hi shumë kohë më parë.
Për kritikët, z. Trump është shumë i pamatur dhe gjithmonë shkakton situata kaotike.
Një ndër rastet më të fundit është edhe ndalimi i hyrjes së qytetarëve nga Lindja e Mesme në Amerikë – urdhër ky, i hartuar në fshehtësi, i miratuar me nxitim dhe që duket qartazi se nuk ka lidhje fare me qëllimin për të cilin u hartua, mbrojtja e Amerikës nga terrorizmi. Ky veprim është kontestuar edhe nga një pjesë e madhe e mbështetësve të tij republikanë.
Në politikë, zakonisht kaosi i paraprin dështimit
Me z. Trump në krye, kaosi duket sikur është pjesë e planeve të ardhshme të Amerikës. Premtimet e hiperbolizuara gjatë fushatës së tij elektorale janë shndërruar në një revoltë serioze vdekjeprurëse, që synon të shkundë jo vetëm Uashingtonin, por të gjithë botën.
Festa me molotovë
Për të kuptuar kryengritjen e Trump-it, duhet kuptuar fillimisht origjina e zemërimit të tij.
Sa më shumë e fyente Trump-i mendimin e lirë dhe me etikë gjatë fjalimeve elektorale, aq më shumë bindeshin përkrahësit e tij se ai do ta dëbonte elitën nga sallonet e tyre mondane në Uashington.
Granatahedhësit e tij si Stephen Bannon dhe Stephen Miller, e kryejnë më së miri këtë detyrë në qeverinë e re Trump. Sa herë që demonstruesit dhe media ngrihen kundër tij, me siguri ata revoltohen pa arsye, sepse Trump-i gjithmonë ndërmerr veprimet e duhura, ato më të drejtat, shprehen ata.
Nëse vërshimet e West Wing-ut duket se krijojnë shumë kaos, kjo shpjegohet me faktin se Trump-i është njeri që e mban fjalën e dhënë, ai do t’i mbajë të gjitha premtimet që ka bërë gjatë fushatës.
Fshehtësia e marrjes së vendimit dhe konfuzioni që shkaktuan masat e marra ndaj emigrantëve nuk janë aspak shenjë e një dështimi të afërt politik.
Politika e konfliktit shfrytëzohet nga ajo pjesë e botës e cila ka refuzuar politikën e jashtme për dekada me radhë. Në fakt, z. Trump ka shumë pak kohë të lirë për t’u marrë me organet shumëpalëshe që drejtojnë çështjet e sigurisë, tregtisë dhe mjedisit. Ai beson se vendet e vogla janë ato të cilat përfitojnë më shumë dhe është Amerika ajo që në fund paguan “faturën”. Dhe ajo çka ai mund të bëjë, duke shfrytëzuar fuqinë e tij, është nënshkrimi i marrëveshjeve më të mira, sidomos duke i larguar këto vende të vogla një nga një.
Z. Bannon dhe të tjerët e refuzojnë diplomacinë amerikane në mënyrë strategjike.
Ata besojnë se multilateralizimi mishëron internacionalizmin liberal të vjetruar. Lufta e sotme ideologjike nuk bëhet më për të drejtat e njeriut, por për mbrojtjen e kulturës “hebreo-kristiane” nga bombardimi i qytetërimeve të tjera, në veçanti, islamit. E parë në këtë prizëm, OKB-ja dhe BE-ja janë pengesa, ndërsa Vladimir Putin për momentin është mbështetësi i vetëm.
Dhe askush nuk mund ta vërtetojë plotësisht bindjen e z. Trump në lidhje me një situatë të tillë. Ndoshta i ndodhur në skenën e shndritshme të pushtetit, ai mund të tërheqë (harrojë) luftimet guerilase. Ndoshta një përmirësim në situatën e tregjeve të bursës do ta fluturojë jashtë z. Bannon. Mbase një krizë e mundshme do ta detyrojë atë të shkojë në anën e kryetarit të Stafit dhe sekretarit të Mbrojtjes dhe të Shtetit, ku asnjëri prej tyre nuk është kryeneç. Por duhet të kemi parasysh që edhe nëse ndodh një gjë e tillë, nuk ka për të ndodhur në një periudhë të afërt kohore dhe, mbi të gjitha, nuk duhet të nënvlerësojmë edhe dëmin që mund të shkaktohet, i cili mund të jetë i parikuperueshëm.
Sipas gjuhës së Trump-it
Është e natyrshme që për atë pjesë të amerikanëve, të cilët nuk e votuan Trump-in, t’u druhen veprimeve të tij dhe asaj që mund t’i ndodhë vendit të tyre. Ata kanë të drejtë të shqetësohen, por në fund të fundit gjithsesi ata janë të mbrojtur nga institucionet e ndryshme dhe nga shteti. Edhe pse ka kaluar vetëm një kohë e shkurtër që nga marrja e pushtetit e deri tani, duket mjaft qartë që pasojat e veprimeve të Trump-it mund të jenë veçse negative.
Pa mbështetjen aktive dhe pjesëmarrjen e shumicës amerikane, “makineria” e bashkëpunimit global mund të dështojë.
Organizata Botërore e Tregtisë nuk do të jetë më e denjë për emrin e saj. OKB-ja nuk do të funksiononte më. Traktate dhe konventa të panumërta do të mbeteshin thjesht në letër.
Edhe pse secila prej tyre vepron më vete, të gjitha të marra së bashku e lidhin Amerikën me aleatët e saj dhe projektet në mbarë botën. Nëse këto institucione do të prisheshin, dëmi do të ishte i parikuperueshëm, edhe po të kujtojmë këtu faktin se vetëm për nënshkrimin e marrëveshjeve janë dashur dekada të tëra.
Në këtë frymë mosbesimi, vendet të cilat janë të pakënaqura do të tundohen për ta ndryshuar atë dhe po të jetë e nevojshme, edhe duke përdorur forcën.
Por çfarë duhet bërë fillimisht? Gjëja e parë dhe më kryesorja është të minimizojmë në maksimum dëmin, sepse frenimi i Trump-it është pak si shumë i vështirë për t’u arritur.
Republikanët e moderuar dhe aleatët e Amerikës duhet ta bindin Trump-in se përse ideologjitë e z. Bannon dhe kolegëve të tij janë të gabuara.
Edhe po ta shohim këtë çështje vetëm nga këndvështrimi i interesit amerikan, uria e tyre për bilateralizëm nuk është në shinat e duhura, sepse dëmi ekonomik që do të shkaktohet nga kompleksiteti dhe kontradiktat e një rrjeti marrëdhëniesh dypalëshe do të jetë më i madh se çdo fitim që mund të arrihet nga këto negociata.
Gjithashtu z. Trump duhet të bindet se forca më e madhe e fuqisë së Amerikës vjen nga aleancat e nënshkruara ndër vite. Ky rrjet unik, së bashku me ekonominë dhe ushtrinë amerikane, luajnë rol shumë të rëndësishëm në atë që shumë e njohin Amerikën si “Superfuqinë botërore”. Aleancat kanë qenë pikërisht ai faktor që e ka diferencuar Amerikën dhe e kanë bërë atë të qëndrojë mbi rivalët e tjerë përreth – Kina në Azinë Lindore, Rusia në Europën Lindore dhe Irani në Lindjen e Mesme. Nëse vërtet z. Trump do që “Amerika të jetë e para”, atëherë prioriteti i tij duhet të jetë forcimi i lidhjeve me aleatët dhe jo trajtimi i tyre me përbuzje.
Po në rast se një këshillë e tillë nuk merret parasysh?
Aleatët e Amerikës duhet të përpiqen për të ruajtur institucionet multilaterale, duke forcuar financat dhe duke ulur në maksimum grindjet brenda për brenda institucioneve të tyre. Ata duhet të përgatiten edhe për një botë pa lidershipin e Amerikës. Nëse dikush i hedh sytë nga Kina si superfuqia zëvendësuese, ajo ende nuk është gati, edhe pse do ta dëshironte shumë një gjë të tillë.
Europa nuk do të ketë më luksin e financimeve të NATO-s dhe shkurtimeve të shërbimeve të jashtme të BE-së – më i afërti që ajo ka në Departamentin e Shtetit. Brazili, superfuqia rajonale, duhet të përgatitet për të ndihmuar drejtimin e Amerikës Latine. Në Lindjen e Mesme, shtetet arabe duhet të gjejnë një formulë për të jetuar në paqe me Iranin.
Një rrjet bilateralizmi dhe një rajonalizëm i manipulueshëm janë në dukje faktorët më negativë krahasuar me fatin që e pret Amerikën me Trump-in president. Nuk është vonë për të kuptuar sesa dëme të parikuperueshme mund të shkaktojë hedhja e molotovëve dhe, mbi të gjitha, nuk është vonë për të ndryshuar drejtim. Bota nuk duhet të humbasë shpresat, por ajo duhet të përgatitet për një situatë të mundshme kaotike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.