Kur vjen puna te lumturia, shqiptarët renditen të 109-ët nga 155 vende në të cilat është zhvilluar anketa e Indeksit të Lumturisë, duke lënë pas vetëm vendet e Afrikës dhe vendet ku po zhvillohet luftë. Në raportin më të fundit të Lumturisë Botërore për 2017-n, për hartimin e të cilit janë dashur mbi tre vjet, në fokus vendosen faktorët socialë si PBB-ja për frymë, niveli i perceptuar i korrupsionit, pritshmërinë për jetën, etj.
Në vendet e Ballkanit Perëndimor, në krye të renditjes është Serbia në vendin e 73-të, Kosova në të 78-in, Greqia në vendin e 87-të, Bosnjë dhe Hercegovina në vendin e 90, Maqedonia në të 92-tin. Ndërsa një vit më parë renditeshim në vendin e 95, të parafundit në rajon.
Raporti i Lumturisë është i bazuar në një anketë vjetore, ku pyeten rreth 1000 individë në më shumë se 150 vende të botës, të cilëve ju kërkohet që të rendisin, nga 1 në 10, për të parë nëse janë duke jetuar mirë apo jo.
Studiuesit kanë përdorur gjashtë tregues për të kuptuar rezultatet: Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë, pritshmërinë për jetën, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.
Renditja është hartuar duke marrë në konsideratë tre vite anketim. Vendet nordike, sigurisht që ishin më të lumturat. Vendin e parë për periudhën 2014-2016 e zuri Norvegjia, pasuar nga Danimarka dhe Islanda. Vendet më pak të lumtura, Siria, Tanzania, Burundi dhe Republika e Afrikës Qendrore. Shtetet e Bashkuara u renditën të 14-at në renditjen më të fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.