Industria e përpunimit të peshkut po njeh rritje vit pas viti dhe jep një kontribut të rëndësishëm në punësim. Potenciali i zgjerimit të kësaj industrie, nisur prej disa faktorëve është i lartë, mirëpo po pengohet për shkak të kufizimit në kuotat e eksportit.
Qeveria po përpiqet të nxisë sektorin nëpërmjet subvencioneve, ndërsa presin që BE t’iu hapë dritën jeshile negociatave…
Nga Ledina Loga
Helidon Rruga prej pak muajsh ka diversifikuar portofolin e produkteve që prodhon, duke u bërë pjese e tregut të açugeve. Potenciali i këtij tregu është i madh, por problemi vazhdon të mbetet i njejtë, kufizimi në kuotat e eksportit. Helidoni, administrator i kompanisë Coral, ndër më të mëdhatë në treg, tregon se kuotat e eksportit të këtij produkti prej 1600 ton në vit, mbarojnë që në shtator. Megjithëse u fol se kuotat e eksportit do të rinegocioheshin, aktorët e tregut thonë se ende nuk është bërë asgjë. Pas plotësimit të kuotave, ata mund të eksportojnë vetëm produkt gjysmë të gatshëm, në të kundërt duhet të paguajnë 25% të vlerës së eksportit.
Vitet e fundit industria e përpunimit aktiv të peshkut ka njohur rritje të vazhdueshme, veçanërisht e kompanive që merren me eksportet e açugeve, sardeleve dhe karkalecave, kjo gjë e dukshme edhe nga pasqyrat financiare të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Eksportet në 2017-n përllogariten rreth 85 milionë euro për të gjithë industrinë, ndërsa vetëm për açugen 39 milionë euro.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë janë 8 kompani që merren me eksportin e këtij peshku. Një ndër to është edhe Mare Adriatica, fabrikë që operon që në fillim të viteve ’90. Numri i të punësuarve është 400, nga rreth 2800 që numëron e gjithë industria. Për Mark Babanin kërkesa për qeverinë është e njëjtë, negocimi i kuotave. Kufizimi në vetëm 1600 tonë eksporte pa tarifë, nuk po e lejon që të zgjerojë aktivitetin e tij dhe plani për të hapur një fabrikë të dytë ka mbetur pezull.
Në vitin 2016, qarkullimi vjetor i kompanive që merren me ndër të tjera edhe me eksportin e produkteve të përpunuara të peshkut ishte 3.8 miliardë lekë, nga 3.1 miliardë lekë që ishte një vit më parë. Të ardhurat vjetore të tetë kompanive u rriten me 20%. Ndërsa fitimet e kompanive në 2016-n u rriten me 29 për qind.Për sa i përket peshës së tregut të 8 kompanive që merren edhe me eksportimin e açugeve, Coral ka rreth 46% të tregut, me një qarkullim prej 1.7 miliardë lekësh në 2016-n.
Kompania e dytë sipas peshës është Rozafa, e cila kishte një qarkullim vjetor në 2016-n prej 653 milionë lekë, apo 17% të tregut.
Kompania e tretë me peshë më të lartë në treg është Mare Adriatika, e cila ka një qarkullim 584 milionë lekësh, apo 15% të tregut.
Kompania e katërt është Euro-Fish, me 8% të tregut. Qarkullimi vjetor ishte 301 milionë lekë dhe krahasuar me një vit më parë të ardhurat nga aktiviteti i shfrytëzimit u rritën me 10%.
Katër kompanitë e tjera kanë një qarkullim më të ulët. Kiara-fish edhe Konservin Adriatik përgjigjen për 6% të tregut me një qarkullin vjetor gjatë 2016-s, përkatësisht 72 dhe 149 milionë lekë. Ndërsa dy kompanitë e tjera, Fenxi I.C dhe Poesidon raportuan të ardhura më të ulëta nga aktiviteti i shfrytëzimit krahasuar me një vit më parë. Megjithatë gjatë 2016-s, të gjitha kompanitë e sipër pëmendura kanë raportuar fitim në pasqyrat financiare të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Kapaciteti i industrisë vendase
E gjithë industria e përpunimit të produkteve të detit numëron rreth 4000 të punësuar, ndërsa punëtorët që janë të lidhur me përpunimin e açugeve llogariten të jenë 2800. Aktualisht sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, kjo industri eksporton rreth 6000 mijë tonë produkt të përpunuar. Prej tyre rreth 3500 tonë janë karkaleca. Ndërsa açuget përgjigjen për pjesën tjetër. Prej tyre 1600 ton, sa ç’është edhe kuota e lejuar e eksportit drejt vendeve të BE-së pa tarifë, shkon si produkt i gatshëm, me etiketë “Made in Albania”. Pjesa tjetër, prej 900 tonë shkon si produkt gjysmë i gatshëm. Në rast se do të shkonte si produkt final, do të tarifohej me 25% të vlerës së produktit. Kompanitë shqiptare deklarojnë se kapacitetet e tyre për të prodhuar produkt të gatshëm janë më të larta.
Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1600 tonë peshk të përpunuar, açuge të konservuar. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, në vitin 2015, kuotat e eksportit u përmbushën që në tetor, ndërsa në 2016-n që në gusht. Pas plotësimit të kuotave, produktet taksohen me 25% të vlerës. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptar do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore. Momentalisht ato kanë operuar duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja europiane, çdo kategori produkti do të taksohet.
Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është zgjerimi i kuotave me BE-në deri në 4000 tonë-4500 tonë. Aktualisht, industria operon me dy kategori produkti; produkt gjysmë i gatshëm, i cili shërben si lëndë e parë për prodhuesit europianë dhe produkt përfundimtar, të cilat janë konservat me peshkun açuge. Ky ngërç është krijuar, pasi në treg janë zgjeruar dhe kompanitë që funksionojnë si fason, pra përpunojnë lëndën e parë për llogari të industrialistëve europianë, kryesisht italianë, dhe taksohen vetëm mbi vlerën e punës.
Zgjidhja që japin industrialistët në këtë rast është ndarja e tyre në kategori, në produkt shqiptar dhe produkt i huaj, i cili në Shqipëri ka të shtuar vetëm vlerën e punës.
Në bazë të këtij regjimi, importohet peshk i papërpunuar, kryesisht nga Kroacia dhe Italia, përpunohet dhe ambalazhohet në Shqipëri dhe eksportohet në BE.
Negocimi i kuotave, hapa para
Zëvendës ministri i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural, Roland Kristo, tha për Monitor se negociatat me Bashkimin Europian për rritjen e kuotave për disa kategori produktesh kanë avancuar dhe se shumë shpejt mund të hapet drita jeshile nga BE-ja.
Në fund të dhjetorit Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, kërkoi në rrugë zyrtare mbështetje për sektorin e peshkimit në një letër drejtuar komisionerit të BE-së për Mjedisin, Çështjet Detare dhe Peshkimin, Kamenu Vella.
Në letrën drejtuar Komisionit Europian, Ministri vinte theksin se Shqipëria është në fazën e zbatimit të Strategjisë për Peshkimin 2016-2021, e cila është hartuar në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe kërkonte zyrtarisht rritjen e kuotave.
Çështja e kuotave të eksportit për produkte të caktuara të peshkimit është vendimtare, shtron ministri në letrën e nisur në 29 dhjetor.
Shqipëria aktualisht ka kuota të eksportit për açugeve të përgatitura ose të ruajtura në 1600 tonë dhe mbi këtë kuotë deri në tarifën doganore prej 25%, shtron ministri në letër. Ndërsa kapacitetit shqiptar i përpunimit shkon deri në 4000-4500 ton në vit dhe përfshin mbi 2800 punonjës. Ministri shprehet se kjo është një pengesë për industrinë tonë të përpunimit e cila ka investuar deri më tani rreth 39 milionë euro.
Heqja e kuotave të eksportit për açugeve të përgatitura ose të ruajtura dhe sardelet do të mbështesë rritjen ekonomike dhe punësimin në vend.
Në përgjigje të kërkesës zyrtare të palës shqiptare, komisioneri i Bashkimi Europian, Karmenu Vella shprehet i gatshëm për liberalizimin e kuotave.
“Sa i përket çështjeve të tarifave në peshkimin me origjinë nga Shqipëria, e kuptoj se Shqipëria po shfrytëzon plotësisht kuotën tarifore për bregun e detit. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të diskutojmë opsionet për liberalizim më të madh, siç parashikohet në Artikullin 29 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nëpërmjet krijimit institucional të asaj marrëveshjeje”.
Megjithatë, negocimi i kuotave të açuges sjell ndryshime pozitash në tregje, dhe në rast se BE-ja vendos që rrisë kuotat, do të kërkojë diçka në këmbim nga tregu i Shqipërisë. Sipas ekspertëve problemi i BE-së për liberalizimin e kuotave qëndron tek fakti se në pjesën më të madhe kompanitë shqiptare përpunojnë produkt me origjinë jo-shqiptare (kryesisht nga BE-ja). Për shkak të krahut shumë të lirë të punës, grumbulluesit e peshkut në Europë sjellin peshkun për përpunim në Shqipëri, duke dis-favorizuar industritë vendase të Bashkimit Europian.
Rritja e punësimit nëpërmjet subvencionit
Sipas zëvendës ministrit të Bujqësisë, nëpërmjet subvencionit të açugeve të grumbulluar në Shqipëri, pritet që të rritet punësimi së paku me 250 persona. Qeveria ka vendosur që të subvencionojë me 20 lekë për kg për një sasi deri në 2000 tonë açuge e freskët.
Nga përllogaritjet sasia prej 2000 tonësh açuge e papërpunuar, përkthehet në sasi në rreth 600 tonë açuge të përpunuar.
“Për këtë sasi të subvencionuar, do të angazhohen në industri së paku 250 të punësuar, tha zv ministri Kristo.
Së shpejti, me financimin e qeverisë do të nisë investimi për rindërtimin e markatës moderne së peshkut në port, do të financohet ndërrimi i motorëve dhe frigoriferëve të anijeve të peshkimit; do të subvencionohet me 20 lekë për kg peshku kaltër (sardele, açuge), duke ndikuar në rritjen e mëtejshme të eksporti.
Objektivi i qeverisë në katër vite do të ndërtohen markatat moderne të peshkut në Shëngjin, Vlorë e Sarandë dhe objektivi i qeverisë është: dyfishimi i vlerës së eksporteve nga 85 sot në 150 milionë EU në vitin 2021.
Mijëra vjet më parë, anijet Liburne ishin kthyer në legjende në të gjithë Mesdheun për shpejtësinë dhe madhështinë e tyre. Këto anije u krijuan nga fisi ilir i Liburnëve si anije për peshkim, dhe shumë shpejt do të pushtonin Mesdheun, duke u përdorur nga peshkimi, tregtia, luftërat dhe pirateria.
Mirëpo ditët e sotme shkëlqimi i dikurshëm i atyre anijeve, është zëvendësuar nga “anijet plaka” që vegjetojnë në portet shqiptare. Ekspertët e kësaj industrie tregojnë për Monitor se flota detare, veçanërisht e anijeve për peshkim, lenë shumë për të dëshiruar. Pjesa më e madhe e tyre janë të vjetra dhe jo-funksionale. Kjo gjë vërtetohet edhe nga sasitë e mëdha të lëndës së parë që kompanitë shqiptare duhet ta marrin nga grumbulluesit europianë.
Në total numërohen në vend 572 anije në Shqipëri, ku pjesa më e madhe janë të përqendruara në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin. Prej tyre, 370 mjete janë peshkarexha, apo 65% e totalit.
Përqendrimi më i lartë i peshkarexhave është në Vlorë me 127, ndërsa Durrësi ka 101 të tilla. Më pas renditet porti i Shëngjinin me 32 dhe Himara me 9. I gjithë peshku që përpunohet aktualisht në Shqipëri vjen nga Kroacia, Greqia dhe pak nga vende të tilla si Maroku, Argjentina. Shqipëria sot importon 50-55% të të gjithë sardeleve dhe açuegeve në Kroaci, duke shërbyer si një mbështetje e madhe për peshkimin e këtij vendi. Më shumë se 80% e lëndës së parë për industrinë shqiptare të konservave importohet pikërisht nga shteti kroat. Fakti që vende që lagen nga të njëjtat dete që lagin edhe Shqipërinë (deti Jon dhe Adriatik) furnizojnë rreth 90% të lëndës së parë, është i mjaftueshëm, sipas operatorëve, për të konkluduar se edhe Shqipëria ka potenciale shumë të mëdha të pashfrytëzuara në këtë fushë.
Deri në vitin 2021, objektivi i shpallur i qeverisë është që eksportet e industrisë së peshkut të arrijnë në nivelin 150 milionë euro sipas Strategjisë së Peshkimit 2016-2021. Sektori i peshkimit, të paktën sipas shifrave të dhëna nga qeveria, solli në ekonominë shqiptare 85 milionë euro në 2017, të ardhura nga eksportet.
Në mbështetje të sektorit të peshkimit është menduar që përmes skemës kombëtare të jepet një shtysë. Kjo lidhet që nga nxitja e volumit të peshkut që nxirret nga deti e deri tek marrja e standardeve.
Konkretisht është menduar që për ambientet e grumbullimit dhe ruajtës frigoriferike prodhime peshkore (përfshirë dhe akuakulturën), të jepen jo më shumë se 20 milionë lekë për një subjekt. Për linjat e filetimit, tharjes, tymosjes së produkteve peshkore nga liqenet të jepen jo më shumë se 3 milionë lekë nga Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit.
“Për standardet IFS (Standardi Ndërkombëtar i Ushqimit), BRC (Konsorciumi Britanik i Shitjes me Pakicë) dhe/ose FS (Miqtë e Detit) në stabilimentet e përpunimit të prodhimeve peshkore në masën 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 325 mijë lekë për standard për produkt” – thuhet në udhëzuesin e ministrisë. Një tjetër mbështetje është parashikuar për sistemet e monitorimit të anijes për pajisjet MTU (Njësi Transmetuese të Sinjalit) të instaluara në bordin e anijeve të peshkimit për identifikimin dhe lokalizimin e anijeve nëpërmjet satelitit. Kjo mbështetje është parashikuar deri në 85 mijë lekë për njësi sipas faturës tatimore.
Po kështu është menduar që deri në 70% të vlerës, por jo më shumë se 20 milionë lekë të jenë mbështetje për instalimin e bankinave lundruese prej betoni, nga Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit. Në vlerën 20 lekë/kg është menduar të jetë subvencionimi për açuge dhe sardele të peshkuara, për anijet e peshkimit. “Pagesa të kryhet kundrejt sasive të tregtuara në stabilimentet shqiptare të përpunimit të këtyre produkteve, të vërtetuara me fatura tatimore përfshirë vlerën e TVSH, por jo më shumë se 2 mijë tonë në total”, – thuhet në udhëzuesin e Ministrisë.
Vlera e shtuar e açuges
Binzeset në sektorin e peshkimit u shprehën se Shqipëria duhet të shkojë drejt përpunimit dhe jo të jetë fason në sektor. Sipas një përllogaritje të tyre për çdo një kilogram açuge që ka një vlerë 1 euro dhe subvencionohet, vlera e shtuar pas përpunimit shkon në 12 euro. Nga ana e tyre ata propozuan menaxhimin e porteve nga privati përmes partneritetit-publik privat duke sjellë në vëmendje rastin e Shkodrës si një model suksesi. “Rasti i Shkodrës është një model suksesi pasi menaxhimi, dhënia e licencave dhe kontrolli bëhet nga privati. Duhet të nxisni kooperativat e kësaj natyre dhe partneritetet se kjo do të ulte dhe informalitetin. Janë një numër i konsiderueshëm që operojnë në informalitet dhe krijojnë dëme të pariparueshme për bregun dhe detin” tha njëri prej përfaqësuesve nga sektori i peshkimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.