“Monitor” publikon një përmbledhje të disa pikave kyçe të programit ekonomik të Partisë Socialiste lidhur me punësimin, politikat e taksave, turizmin, energjinë, mbështetjen e sipërmarrjes dhe zhvillimin rural, që pritet të jenë baza e zhvillimit të vendit në katër vitet e ardhshme.
Punësimi, si do vijnë 300 mijë vende pune
Sipas programit të PS-së, rritja relativisht e qëndrueshme e periudhës 2000-2008 nuk u shoqërua me rritje të punësimit, zvogëlim të ekonomisë joformale dhe zhvillim të kapitalit njerëzor. Kjo u shoqërua me dëmtim të mjedisit, keqshfrytëzim të burimeve natyrore dhe shpërdorim të territorit.
Sipas PS-së, në Shqipëri janë 1 milion të papunë.
Një nga angazhimet kryesore të Partisë Socialiste është krijimi i 300 mijë vendeve të reja të punës, që sipas programit të PS-së do të arrihet përmes:
1. 40 mijë vende të reja pune dhe 12 mijë vende pune shoqëruese në industrinë prodhuese nëpërmjet financimit shtetëror prej 120 milionë USD në 4 vjet në mbështetje të këtij sektori.
2. 15 mijë vende të reja pune përmes zhvillimit të industrive që lidhen me detin dhe atyre mbështetëse.
3. Të paktën 150 mijë vende të reja pune nga zhvillimi i bujqësisë, blegtorisë dhe aktiviteteve të tjera rurale.
4. 4 mijë vende të reja pune përmes zhvillimit të industrisë së teknologjisë të informacionit që do të punojë për tregjet e huaja.
5. 11 mije vende pune nga politikat e reja në mbështetje të turizmit gjithëvjetor si dhe rritje e kërkesave për shërbime të reja.
6. 62 mijë vende pune përmes reformimit të programit të ndihmës ekonomike, duke e zëvendësuar me mundësi reale punësimi në shërbim të komunitetit.
7. Vënie në dispozicion të realizimit të këtij objektivi e të gjitha mjeteve dhe masave të nevojshme ligjore në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Programi parashikon partneritet me qytetarin për krijimin, nxitjen, kërkimin dhe gjetjen e punësimit dhe në këtë kuadër:
• Riorientim i arsimit profesional drejt nevojave reale të tregut të punës në Shqipëri dhe modelit të ri ekonomik;
• Dyfishim i shkollave të arsimit profesional dhe ndërthurje me Qendrat e Formimit Profesional;
• Zgjerim i shërbimit arsimor dhe formimit profesional në fshat, duke ofruar aftësi në bujqësi, agropërpunim e shërbime bujqësore;
• Trajnim brenda 6 muajsh i të gjithë të rinjve nën 25 vjeç që janë regjistruar si punëkërkues;
• Përgjysmim i papunësisë femërore.
• Të gjitha grave e vajzave u ofrohet një shans punësimi, vetëpunësimi ose trajnimi brenda një viti.
• Përparësi në punësim për gratë dhe vajzat që kanë imigruar në zonat urbane dhe qytetet e mëdha.
• Mbështetje dhe diversifikim i programeve të posaçme të aftësimit e vetëpunësimit në zonat rurale.
• Trajnim brenda 2 vitesh i të gjithë të regjistruarve si punëkërkues;
• Krijim i Programit Kombëtar të Formimit Profesional në Punësim, për të formalizuar e zgjeruar traditën ekzistuese të mësimit të profesioneve;
• Krijim i shkollave të larta të arsimit profesional;
• Bashkëpunim me sektorin privat në Partneritete Publike-Private (PPP) për krijimin e institucioneve të larta të arsimit profesional;
• Krijim i programeve, kurseve kualifikuese të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara.
Taksat, si do kalohet te sistemi progresiv
Në thelb të politikës tatimore të së majtës është taksimi progresiv që ul taksat për 95% të shqiptarëve.
-Zëvendësim i taksës së sheshtë me taksimin progresiv.
-Vendosje e taksimit progresiv për të ardhurat personale.
-Zbatim i parimit kush fiton më pak do të paguajë me pak – kush fiton më shumë do të paguajë me shumë.
-Tatim mbi fitimin në dy nivele për biznesin: Një nivel për biznesin e madh dhe një nivel më i ulët se ai ekzistues për biznesin e vogël.
-Politikë e re fiskale, e cila mbështetet kryesisht në uljen e kostos së jetesës për shumicën e popullsisë.
-Heqje apo përgjysmim për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për ushqimet jetike të shportës.
-Heqje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për barnat dhe shërbimet mjekësore.
-Reduktim i ndjeshëm për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për furnizimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.
-Rishikim në mënyrë të plotë i gjithë sistemit të tarifave.
-Tarifat do të jenë transparente dhe brenda mundësive të përballimit të kostos së shërbimit që ofrohet.
-Politika fiskale të përputhshme me modelin e ri ekonomik dhe kontribuuese në lehtësimin e gjendjes kritike ku ndodhet ekonomia e vendit.
-Politika tatimore që synojnë lehtësimin e menjëhershëm të barrës ekonomike të familjeve me të ardhura të ulëta e të mesme.
-Taksimi i ndershëm si kontribut për më shumë investime publike, më shumë vende pune dhe më shumë kërkesë konsumatore.
-Ndryshim radikal në shpenzimet publike dhe në përdorimin e parave e pasurisë publike, duke siguruar sukses në zbatimin e politikës fiskale.
-Heqje e taksës së biznesit të vogël për të lehtësuar gjendjen e vështirë ku gjendet ky biznes dhe të vetëpunësuarit në Shqipëri.
-Tatimi i fitimit për biznesin e madh do të ketë vetëm një nivel dhe nuk do të ndryshojë në fund të vitit 2013. Shkalla e re tatimore do të vendoset në bashkëbisedim me sipërmarrjen pasi të kemi provuar se kemi shmangur taksën e korrupsionit dhe taksën e kohës.
-Heqje e referencave aktuale në dogana e tatime.
-Parashikueshmëri; asnjë ligj fiskal nuk do të ketë efekt të menjëhershëm pa i lënë kohë biznesit të përgatitet për ndryshimet.
-Ndalojmë gjobat e vendosura me kulturën e shtypjes dhe si mjet alternativ i mbledhjes së të ardhurave.
-Rimbursimin korrekt i TVSH-së duke rimodeluar të gjithë hallkat administrative.
-Thjeshtëzim real i procedurave tatimore.
-Fuqizim dhe shtrirje masive e shërbimit të asistencës së tatimpaguesve me qëllim rritjen e pajtimit të tyre me tatimet.
-Stabilizim i një administrate tatimore të qëndrueshme dhe profesionale me anë të krijimit të një Administrate të vetme Doganore dhe Tatimore.
-Përdorim i teknologjisë së informacionit për të gjitha llojet e tatimeve dhe taksave në vend.
-Konsultim me komunitetin e biznesit dhe angazhim i këtij komuniteti në të gjitha reformat e administrimit tatimor.
-Rikthim i Komunitetit Konsultativ të Biznesit dhe shoqatave përfaqësuese të tij në një partner real në konsulencë dhe vendimmarrje.
-Ristrukturim i Këshillit Kombëtar të Biznesit.
-Partneritet publik-privat i mbështetur e promovuar me objektivë të qartë të dobishmërisë publike, legjislacion inkurajues e transparencë.
-Kontrata të qarta me sipërmarrësit dhe eliminim i të gjithë mundësive për shantazhimin e tyre nga administrata e pushteti.
-Hartim i Planit të Përgjithshëm Kombëtar dhe ngritje e Kadastrës Shumëqëllimëshe si instrumente themelore për orientimin e investimeve.
-Axhendë katërvjeçare e mbështetur në dialog e bashkëpunim për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre dhe krijimin e një klime lehtësuese për bizneset.
Turizmi
E majta synon të shndërrojë Shqipërinë në një prej destinacioneve turistike në Ballkan dhe pjesë integrale e ofertës turistike mesdhetare, duke e pasur turizmin, një prej tre shtyllave kryesore të ekonomisë kombëtare:
-Zhvillim i një industrie të qëndrueshme turistike.
-Themelimi i trekëndëshit që na jep avantazh konkurrues: trashëgimi kulturore, peizazh natyror dhe mikpritje shqiptare.
-Mbështetje në këtë trekëndësh për ndërtimin e ofertës turistike “Made in Albania.”
-Krijim i një oferte tërheqëse që nuk përqendrohet në muajt e verës, por përfshin të gjithë vitin.
-Fushatë informimi dhe promovimi për ofertën turistike gjithëvjetore.
-Zhvillim i turizmit shqiptar mbështetur në 10 pole.
-Përqendrim i energjive projektuese, investuese, bashkëpunuese dhe promovuese në 10 polet e zhvillimit të turizmit.
-Krijim i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, përgjegjëse për planifikimin hapësinor dhe mbrojtjen e territorit të bregdetit.
-Në bashkërendim me Kosovën, mundësojmë ofertë turistike mbarëshqiptare, duke përfshirë në një rrjet të gjitha burimet turistike të hapësirave shqiptare.
-Miratimi i Masterplanit Kombëtar për Zhvillimin e Turizmit, i cili duhet të orientojë çdo investitor potencial shqiptar apo të huaj.
-Masterplani Kombëtar për Zhvillimin e Turizmit do të ndërveprojë aktivisht me Planin e Përgjithshëm Kombëtar që në fazën e hartimit.
-Pajisje e zonave turistike me studime dhe plane afatgjatë zhvillimi të qëndrueshëm, brenda vitit të parë të qeverisjes.
-Implementimi i një studimi të integruar për zhvillimin e bregdetit të Jugut dhe i një strategjie për konsolidimin dhe densifikimin e zonave turistike.
-Rishikimi i barrës fiskale mbi njësitë akomoduese, me qëllim uljen dhe përafrimin e saj me vendet e tjera të rajonit.
-Nxitje e shkollimit profesional turistik.
-Krijim i zërave të veçantë dhe progresivë në buxhetin e shtetit për investime në infrastrukturën turistike.
-Harmonizim i aktiviteteve kulturore me ofertën turistike gjithëvjetore.
Miradministrim i pasurive natyrore
Në Shqipëri nxirren 1 milion ton naftë bruto të cilat eksportohen, ndërsa nevojat e tregut të brendshëm prej rreth 650 mijë tonësh naftë të përpunuar plotësohen me naftë të importuar. Vetëm nga mungesa e përpunimit në vend, ekonomia kombëtare humbet rreth 200 USD për çdo ton të konsumuar, vlerëson PS.
Në program theksohet se menaxhimi i ndërmarrjes publike “Albpetrol” është krejtësisht politik, klientelist dhe korruptiv. Aktualisht vidhen 100.000 tonë naftë duke krijuar një humbje të drejtpërdrejtë prej 45 mln USD, ndërkohë që “Albpetrol” gjendet në vështirësi financiare për të paguar punonjësit e vet. Ndërkohë, sasia e naftës së vjedhur përfundon të tregun e tregtimit me pakicë duke krijuar një evazion fiskal prej rreth 95 milionë dollarësh.
Përpunimi i naftës në vend në të vetmen rafineri ka rënë në nivelet më të ulëta historike. Privatizimi i ARMO-s është një tjetër histori dështimi në listën e dështimeve të privatizimeve strategjike. Privatizuesi nuk ka arritur të realizojë planin e investimeve ndërkohë që ka krijuar borxhe edhe ndaj administratës fiskale.
Nxjerrja dhe shfrytëzimi i mineraleve është në një gjendje po kaq të mjerueshme. Vijon shfrytëzimi dhe tregtimi pa leje, pa kritere profesionale, pa standarde si dhe pa zbatuar kushtet teknike. Në pothuajse të gjitha kontratat e shfrytëzimit të vendburimeve minerare konstatohet shpërdorim dhe shkatërrim i pasurive të dobishme. Vetëm në minierën e kromit në Bulqizë rrezikohen të humbasin rreth 1.5 milionë tonë krom i pasur që vlerësohen rreth 300 milionë dollarë, vlerëson PS.
Programi i Partisë Socialiste parashikon përmirësim rrënjësor të administrimit të pasurive natyrore, duke i kthyer ato në dobi të vendit e qytetarëve:
-Politika dhe praktika që kthejnë naftën në pasuri reale të shqiptarëve, duke përmirësuar dhe bilancin e rezervave efektive të naftës në vend.
-Politika në shërbim të rritjes së investimeve private në sterë dhe det në kërkim-zbulimin për shtimin e rezervave të naftës nga vendburimet e reja.
-Analizim ligjor dhe kontroll zbatimit të kontratave hidrokarbure, licencave dhe dhënies së lejeve.
-Vendosim të drejtën sovrane të shtetit shqiptar mbi naftën e nxjerrë nga nëntoka shqiptare.
-Rreth 150 milionë USD të ardhura në buxhetin e shtetit do të mund të krijohen nga e drejta sovrane e bazuar në nivelet më të ulëta të zbatimit në botë.
-Krijojmë të paktën 200 milionë USD të ardhura shtesë në ekonominë shqiptare nga vënia nën kontroll e prodhimit dhe tregtimit të naftës.
-Rikonceptim i rolit, misionit dhe kapaciteteve administrative dhe profesionale të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
-Ringritje e Qendrës Shkencore të Naftës dhe Gazit.
-Mbështetje projektit të ndërtimit të gazsjellësit TAP në Shqipëri. Ofrojmë të gjithë kontributin e nevojshëm ligjor dhe administrativ për zbatimin e suksesshëm të këtij projekti.
-Realizim i ciklit të plotë të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës në vend.
-I japim fund evazionit dhe kontrabandës që realizohet në rrjetin e tregtimit me pakicë.
-Garantojmë cilësinë e karburantit për konsumatorët.
-Përmirësim i legjislacionit dhe praktikave të dhënies së lejeve koncesionare duke synuar efikasitet dhe transparencë.
-Zbatim i standardeve të Nismës për Transparencë në Industritë Nxjerrëse (Extractive Industries Transparency Initiative).
-Ristrukturim i Njësisë së Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave, si institucion teknik, shkencor e inspektues.
-Njësia e Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave, si institucion operativ në ndihmë të veprimtarisë minerare dhe të shëndetit e jetës së minatorëve.
Si do arrihet pavarësia energjetike
Qeverisja e PD-së nuk arriti të përmirësojë asnjë nga hallkat e sektorit elektroenergjetik, dhe për më shumë konsumatorëve familjarë, çmimi me pakicë i energjisë elektrike u është rritur nga 5,2 lek/KËh në 2005 në 9,5 lek/KËh në vitin 2013, vlerësohet në program.
Privatizimi i sistemit të shpërndarjes i propaganduar me shumë bujë në prag të zgjedhjeve të vitit 2009, rezultoi një dështim. Privatizimi u bë në mungesë të plotë transparence, madje kontrata e privatizimit iu fsheh deputetëve në momentin e votimit në Kuvendin e Shqipërisë. Privatizimi i shpërndarjes nuk solli përmirësim në furnizimin me energji elektrike, nuk solli përmirësim në cilësinë e shërbimit, nuk uli treguesit e humbjeve joteknike në sistemin elektroenergjetik.
Zinxhiri i borxheve të krijuara nga keqmenaxhimi i sistemit elektroenergjetik vlerësohet rreth 1 miliard USD.
Megjithëse është folur shumë për veprat koncesionare, në vitin 2012 prodhuesit jopublikë prodhuan vetëm 5,6% të energjisë që u prodhua në Shqipëri.
Qeveria ka privatizuar 4 HEC-e me një çmim ndjeshëm më të ulët sesa vlera reale e potencialit prodhues të privatizuar.
Qeveria ka shpërdoruar ndihmën bujare të donatorëve të huaj duke krijuar vonesë qoftë në linjën e interkoneksionit Shqipëri – Kosovë, qoftë në Unazën e Jugut.
Programi i PS-së synon krijimin e një sistemi elektroenergjetik efikas, që ofron energji të vijueshme, të stabilizuar dhe me çmim të përballueshëm, përmes:.
-Ulje e TVSH-së së energjisë elektrike në nivelin 6% për përdoruesit familjarë.
-Zbatim sa më i shpejtë i një Ligji për Energjinë.
-Verifikim i të gjitha lejeve koncesionare në fushën e energjisë.
-Anulim i lejeve koncesionare që janë marrë në kushtet e konfliktit të interesit dhe kanë kaluar të gjitha afatet e zbatimit të kontratave.
-Përjashtim nga tatimfitimi, gjatë tre viteve të para të aktivitetit, i sipërmarrësve që angazhohen të zbatojnë me korrektësi lejet koncesionare.
-Krijimi i një mjedisi mbështetës për sipërmarrësit që zbatojnë me korrektësi lejet koncesionare duke përmbushur të gjitha detyrimet ndaj shtetit.
-Reformim i metodologjisë së përcaktimit të tarifave.
-Energji elektrike me tarifë të reduktuar për familjet e varfra, në nevojë dhe me të ardhura të pakta.
-Investime në rrjetin e transmetimit, në mbështetje të modelit tonë të ri ekonomik.
-Investime në rrjetin e transmetimit në përputhje me Planin e Përgjithshëm Kombëtar.
-Investime në rrjetin e transmetimit që sigurojnë edhe lidhjet e mjaftueshme me sistemin energjetik të Europës Juglindore.
-Hartim i një politike të përbashkët energjetike me shtetin e Kosovës.
Zhvillimi rural
“Papunësia është plagë e dukshme kudo në territoret rurale, pavarësisht se përkufizimet zyrtare konsiderojnë të punësuar çdo njeri që jeton në fshat, është mbi 18 vjeç dhe jeton në një familje që ka pak tokë në pronësi”, thuhet në programin e PS-së.
Kapaciteti i vogël i fermave bujqësore, niveli i ulët i teknologjisë së përdorur dhe mungesa e bashkëpunimit midis fermerëve pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm e të shpejtë të bujqësisë shqiptare. Shumica e fermave në vend, rreth 65%, nuk arrijnë të shesin prodhimet e tyre në treg, ndërkohë dhe jetojnë si në mesjetë vetëm duke konsumuar produktin e tyre, duke mos pasur kështu mundësi për të krijuar të ardhura financiare. Ndërkohë që kostot e aktiviteteve ekonomike në bujqësi e blegtori janë rritur ndjeshëm pas vitit 2005.
Një pjesë e qenësishme e fermerëve shqiptarë ende nuk kanë një siguri për pronën e tyre. Pas 22 vitesh rezultojnë të privatizuar 561 mije hektarë tokë bujqësore, ose 80% e sipërfaqes së tokës së punueshme, e njëjta shifër me vitin 2005, gjë që tregon se nuk ka asnjë progres.
Investimet dhe shpenzimet publike për mirëmbajtjen e sistemit kullues e ujitës të vendit janë më të ulëta se në vitin 2005. Praktikat menaxhuese të ujit për ujitje, të cilat i kanë lënë vendin klientelizmit, spontanitetit, korrupsionit dhe shpërdorimit. Mosfunksionimi i sistemit të ujitjes dhe kullimit, ndikon në uljen e 25-30% të prodhimit dhe të ardhurave nga aktivitetet bujqësore.
Programi i PS-së projekton një ekonomi rurale, moderne dhe produktive, që furnizon tregun e brendshëm me produkte ushqimore dhe gjeneron të ardhura të larta për fshatin përmes:.
-Pesëfishim i financimit publik për mbështetjen e bujqësisë.
-Politika që kanë në qendër të vëmendjes familjet që jetojnë në fshat dhe merren me bujqësi, blegtori e aktivitete rurale.
-Politika fiskale që shënjestrojnë uljen e drejtpërdrejtë të çmimeve të mekanikës dhe inputeve bujqësore.
-Ulje rreth 35% e çmimit të naftës (50-55 lekë bazuar në çmimin aktual), me heqjen e akcizës dhe taksës së qarkullimit, bashkë me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar që zbatohet mbi këto dy taksa.
-Heqje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për të gjithë plehrat kimikë, farat e fidanët dhe materialin gjenetik shumues që përdoret në blegtori.
-Heqje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për vaksinat dhe medikamentet si dhe për çdo lëndë të parë që përdoret për bujqësinë dhe blegtorinë.
-Uji në parcelë – synimi ynë parësor në ndihmë të bujqësisë.
-Investim i 160 milionë USD për të rimëkëmbur sistemin e ujitjes dhe kullimit, brenda periudhës 4-vjeçare.
-Krijim dhe vënie në veprim i një Banke të specializuar për Zhvillimin Rural.
-Skema speciale financimi për Bankën e Zhvillimit Rural, të mbështetura me fonde garantimi.
-Financime me interes zero nga skemat e Bankës për Zhvillimin Rural.
-Reformë institucionale e ligjore e plotë dhe gjithëpërfshirëse për menaxhimin e qëndrueshëm dhe efikas të infrastrukturës së ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja.
-Hartim dhe miratim i një Ligji të ri për Ujitjen, Kullimin dhe Mbrojtjen nga Përmbytjet, duke u bazuar në direktivat e BE-së.
-Përfundimi i reformës së tokës sipas përcaktimeve të ligjit nr. 7501, brenda dy vjetëve të parë të qeverisjes.
-Regjistrim i pasurive në zonat rurale dhe zgjidhje e konflikteve për pronësinë, brenda dy vjetëve të parë të qeverisjes.
-Regjistrim i pronësisë dhe pajisja me certifikatën e pronësisë, brenda dy viteve të para të qeverisjes.
-Krijim i një sistemi informacioni të detajuar, të unifikuar, të shumëllojshëm dhe të hapur për publikun, brenda mandatit të parë të qeverisjes.
-Veprime legjislative dhe teknike për pengimin e fragmentimit të mëtejshëm të tokës.
-Veprime legjislative dhe teknike për zhvillimin e tregut të tokës dhe aplikimin e formave të ndryshme të kooperimit.
-Rishikim dhe përmirësim i legjislacionit ekzistues duke e ngritur nivelin deri në formën e Kodit të Tokës.
-Ndalim i eksportimit të lëndës drusore të papërpunuar apo i qymyrit të drurit, për një periudhë 3-vjeçare.
-Mbështetje fermerëve që duan të kultivojnë bimë mjekësore dhe zhvillim të traditës së vendit tonë në mbledhjen dhe përdorimin e këtyre bimëve.
-Krijim i kushteve shumë të mira për kultivimin e bimëve mjekësore në të gjithë territorin.
TVSH do të hiqet apo ulet në:
-Heqje apo përgjysmim për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për ushqimet jetike të shportës.
-Heqje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për barnat dhe shërbimet mjekësore
-Ulje rreth 35% e çmimit të naftës (50-55 lekë bazuar në çmimin aktual), me heqjen e akcizës dhe taksës së qarkullimit, bashkë me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar që zbatohet mbi këto dy taksa.
-Heqje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për të gjithë plehrat kimikë, farat e fidanët dhe materialin gjenetik shumues që përdoret në blegtori.
-Heqje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për vaksinat dhe medikamentet si dhe për çdo lëndë të parë që përdoret për bujqësinë dhe blegtorinë.
-Ulje e TVSH-së së energjisë elektrike në nivelin 6% për përdoruesit familjarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.