Ndërkohë, bilanci i llogarisë korente pritet të përkeqësohet, nga -10.3% e PBB-së në vitin 2014, në -14.8% të PBB-së në 2016, duke qenë më i larti në gjithë rajonin e Europës Qendrore Lindore e Juglindore, pas Malit të Zi.
Rritja e konsumit privat do të vijojë të jetë negative, edhe për vitin 2014, me -1.2%, për t’u kthyer pozitive në vitet në vijim, përkatësisht 4.3% dhe 4.7% në 2015 dhe 2016.
Për ekonominë globale, raporti parashikon që pavarësisht dobësive fillestare, rritja pritet të gjallërohet me kalimin e vitit dhe PBB-ja botërore pritet të zgjerohet me 3.4% në 2015 dhe 3.5% në 2016 – duke qenë gjerësisht në linjë me parashikimet e mëparshme.
Rreziqe në rritje për Europën Juglindore
Veçanërisht për Europën Juglindore (Shqipëria, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia), ka rreziqe që do të ndikojnë në rritjen ekonomike, duke iu referuar përmbytjeve shkatërruese (veçanërisht në Serbi dhe Bosnjë Herzegovina), dhe në afatin e mesëm ndaj papunësisë ende të lartë, borxhin e lartë të sektorit publik dhe rimëkëmbjen e ngadaltë të huasë bankare dhe në disa raste rritjen e kredive me probleme (NPL). Edhe pse niveli i lartë i NPL-ve nuk ka shkaktuar paqëndrueshmëri serioze në sektorin financiar deri tani, teksa këto hua janë të mirë provigjionuara dhe të mbështetura nga kapital i mjaftueshëm, nëse këto rreziqe nuk zgjidhen, mund të destabilizojnë më tej sektorin e brishtë financiar dhe të kërcënojnë rimëkëmbjen e kredisë dhe perspektivën e rritjes.
Në të njëjtën kohë, paralajmëron raporti, mungesa e progresit në konsolidimin fiskal dhe përpjekjet e pamjaftueshme në zgjidhjen e problemeve strukturore (psh, fatura e madhe e pagave në sektorin publik, transfertat e kushtueshme sociale, ristrukturimi i ndërmarrjeve shtetërore) lënë pak hapësirë fiskale për veprime të guximshme të politikave që do të përballeshin me kërcënimet deflacioniste.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.