Klauzola marramendëse për Los Blancos. Pas rinovimit të kontratës së Isco dhe Asensio javët e kaluara, me klauzola 700 milionë euro, Real Madrid vijon strategjinë e tij. Objektivi është blindimi i të gjithë yjeve të skuadrës.
Më pak se një vit më parë rinovuan kontratat e tyre edhe Lucas Vazquez (deri në vitin 2021), Gareth Bale (2022), Toni Kroos (2022) dhe Luka Modric (2020) përveç Cristiano Ronaldo-s (2021).
Tani ishte radha e Marcelo (2022), Benzema (2021); Dani Carvajal (2021), Marcos Llorente (2021) dhe Raphael Varane (2022).
Rekordi sa i përket klauzolave të vendosura nga klubi madrilen mbahet nga treshja e sulmit BBC (Bale, Benzema, Cristiano Ronaldo), 1 miliard euro për secilin.
Sipas burimeve të klubit, Carvajal (350), Marcelo (200) e Varane (200) janë lojtarët me klauzolat më të ulëta.
Objektivi është garantimi i vazhdimësisë i skuadrës që ka fituar 3 nga 4 Champions League e fundit.
Por ndërkohë … ka ende futbollistë që presin rinovimin e radhës.
Është Cristiano Ronaldo, i cili në pritje të Topit të Artë të pestë, dëshiron një kontratë të re, që ta kthejë në krye të klasifikimit të futbollistëve më të paguar në botë, duke ia kaluar Lionel Messi-t (25 milionë euro neto në sezon).
Disa ditë më parë, portugezi i ka dërguar mesazhe presidentit Florentino Perez, me të cilin kishte diskutuar muajt e fundit për qëndrimin e tij në Madrid.
Por me një klauzolë si ajo e vendosur në kontratën e tij, situata dukshëm e vë shoqërinë në një pozitë të fortë. Edhe pse në fund të fundit, një si CR7 është gjithnjë e vështirë t’i thuash jo.