Maqedonia si shtet ka traditë të gjatë të shpërnguljes së popullsisë në vendet e ndryshme të botës, ku njerëzit migrojnë për arsye të ndryshme, por më së shumti për shkaqe ekonomike.
Në shumë vende të botës jetojnë njerëz me origjinë nga Republika e Maqedonisë, të cilët lidhjet e tyre familjare, tradicionale dhe kulturore i mbajnë me vendin e tyre të origjinës.
Edmond Ademi është ministër pa resor në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë përgjegjës për diasporën. Në një bisedë me Anadolu Agency (AA), ai foli për rëndësinë e diasporës, nevojat dhe problemet e tyre, por edhe për aktivitetet që ai si ministër dhe qeveria i zbatojnë për lidhjen e diasporës me vendin, jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe në atë ekonomik.
Siç theksoi ministri Ademi, nuk ka të dhëna konkrete statistikore se sa të shpërngulur nga Maqedonia gjenden në vende të caktuara, ka informacione të ndryshme, por, siç thotë ai, diaspora e Maqedonisë kryesisht jeton në disa vende evropiane, duke përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Italinë, Austrinë dhe Suedinë, ndërsa në vendet e tjera evropiane gjendet në numër më të vogël, kurse në kontinente të tjera, në Kanada, SHBA dhe Australi gjithashtu jeton numër i madh i personave me origjinë nga Maqedonia.
/ AA