Problemi i “leksioneve të jetës që mund të mësojmë nga sipërmarrësit më të famshëm” lidhet me arsyen që na shtyn të sillemi në një mënyrë të caktuar.
Vetëm sepse Elon Musk punon 120 orë në javë, nuk do të thotë që nëse bëjmë edhe ne të njëjtën gjë, do të kemi të njëjtin sukses (çështja këtu nuk është nëse jeta e Musk është për t’u pasur zili ose jo, gjithçka varet nga pasioni që kemi për udhëtimet hapësinore etj).
Musk punon si një i çmendur sepse do që ta bëjë këtë. Ne mund të diskutojmë për arsyet psikologjike të kësaj zgjedhje: lind nga dëshira altruiste për të ndihmuar njerëzimin apo është një formë patologjike për të punuar për shkak të dëshirës së dëshpëruar për të treguar atë që vlen? Si do që të jetë, në njëfarë kuptimi, Elon Musk i pëlqen kjo gjë. Ndërkohë, nëse ne do të përpiqeshim të ndiqnin të njëjtat ritme, do të ishim të detyruar ta bënim këtë gjë. I njëjti diskutim vlen edhe për këshilla më pak kategorike. “Shkruani çdo ditë” nuk funksionon nëse nuk kemi dëshirë për të shkruar. Dhe asnjë program me aktivitete fizike nuk do të zgjasë nëse nuk na pëlqen disi ajo që po bëjmë.
Kjo gjë më erdhi në mendje ndërkohë që lexoja një vepër për sociologun e famshëm gjerman Niklas Luhmann, një libër i mrekullueshëm me titull: How to take smart notes të Sönke Ahrens (bazuar në sistemin e ndërlikuar të skedarëve që Luhmann përdorte për të organizuar dijet e tij). Si ka mundur Luhmann të publikojë 58 libra dhe qindra artikuj – pa numëruar shumë libra të tjerë pas vdekjes në vitin 1998, falë dorëshkrimeve që kishte lënë? Sepse, siç shkruante vetë Luhmann: “Nuk bëj kurrë diçka që nuk më pëlqen. Çdoherë që jam i bllokuar, bëj diçka tjetër”.
Kënaqësia për të bërë diçka është gjithnjë një motivim më i fortë se teknikat e produktivitetit
Kam eksperimentuar teknika të ndryshme për menaxhimin e kohës, por duke parë rezultatet që kam arritur nuk jam dakord me Luhmann. Mënyra më e mirë për të parashikuar nëse diçka do të bëhet është të dini nëse ju jep kënaqësi. Sekreti i produktivitetit është i thjeshtë: mjafton të bëjmë atë që na pëlqen.
Keni ndonjë kundërshtim në lidhje me këtë gjë? Po, e prisja. Së pari është frika që, nëse do të kishim mundësi të bënim vetëm atë që na pëlqen, do të shpërdoronim (edhe më shumë) orët në rrjetet sociale apo do të bënim gjëra të padobishme, në vend që t’u kushtonim kohë gjërave me vlerë. Por kjo është e vërtetë deri në njëfarë pike: kur jemi përpara një pune që kërkon mund, shpesh kemi nevojë për një nxitje, që të na kujtojë që nuk është e nevojshme “të kemi dëshirë” për ta bërë.
Gjithsesi, kënaqësia për të bërë diçka është gjithnjë një shtysë më e fortë se teknikat e produktivitetit. Edhe pse, ndonjëherë këto mund t’i përkeqësojnë gjërat: nëse themi ‘të ndodhë çfarë të ndodhë’, duhet t’i kushtojmë të paktën katër orë në ditë ndonjë projekti të caktuar, duke rrezikuar ta shndërrojmë një aktivitet që na pëlqente në diçka të padurueshme.
Një tjetër mendim është që shumë njerëz nuk e kanë privilegjin të bëjnë një punë që i pëlqen dhe i jep kënaqësi, kështu që nuk mund ta organizojnë ditën e tyre në bazë të asaj që i bën të ndihen mirë. Kjo është e vërtetë. Por nuk është faji i qasjes ndaj produktivitetit të bazuar te kënaqësia e Luhmann. Faji është i shoqërisë, ky është një lloj problemi që nuk mund ta zgjidhë kurrë asnjë teknikë produktiviteti.
*Oliver Burkeman
Burimi: The Guardian