Flet Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë
Qeveria shqiptare, duke pasur parasysh shumë marrëveshje dypalëshe që rregullojnë marrëdhëniet ekonomike mes vendeve tona, duhet të përpiqet për të nxjerrë në pah faktin se një ligj i tillë mund të vërë në rrezik një sektor të tërë të ekonomisë sonë. Në anën tjetër nuk do të zgjidhte problemin që Italia po has…
Çfarë parashikon projektligji që po diskutohet në Itali në lidhje me delokalizimin e kompanive call center?
Do të doja të saktësoja që propozimi ligjor kundër delokalizimit trajton vetëm veprimtarinë e kompanive call center dhe asnjë veprimtari tjetër. Ky propozim ka për qëllim të forcojë masat kundër fenomenit të delokalizimit në sektorin call center, i cili ka prodhuar në Itali krizë papunësie dhe rënie të vazhdueshme të fitimeve.
Sipas këtij propozimi, subjektet italiane, që vendosin të delokalizojnë aktivitetin e call center në vendet jashtë BE-së, duhet të dërgojnë një njoftim, brenda 30 ditëve, në Ministrinë e Punës Italiane dhe Inspektoratin Kombëtar të Punës lidhur me numrin e punëtorëve të përfshirë, si dhe pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Mungesa ose refuzimi i këtij komunikimi do të sjellë aplikimin e një sanksioni administrativ prej 150,000 eurosh. Përveç kësaj parashikohet se kompanitë call center, që kanë vendosur të delokalizojnë në një vend jashtë BE-së, të mos kenë më asnjë ndihmë ekonomike.
Për sa u përket kompanive që aktualisht punojnë në Shqipëri, propozimi ligjor sjell detyrimin që ato duhet të deklarojnë transferimin dhe numrin e punëtorëve të përfshirë pranë institucioneve të cituara më sipër brenda një afati 60-ditor nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në rast vonese apo refuzimi do të aplikohet një sanksion administrativ prej 10,000 euro për çdo ditë vonese.
Normativa e re parashikon të drejtën e subjektit, që kontakton me një call center që gjendet jashtë BE-së, të informohet paraprakisht mbi vendndodhjen fizike të operatorit që përgjigjet. Në këtë rast, subjektit i njihet mundësia që këtë shërbim ta marrë nga operatori telefonik që gjendet jashtë BE-së ose të kërkojë që ky shërbim t’i ofrohet nga një operator me vendndodhje në territorin e Bashkimit Europian. Mosrespektimi i këtij kushti procedural parashikon sanksione administrative në vlerën 50,000 euro në ditë.
Çfarë ndikimi do të ketë te kompanitë që operojnë në Shqipëri?
Hyrja në fuqi e këtij ligji, thuajse me siguri do të sjellë probleme për sektorin e call center që operon në Shqipëri, sepse shumë kompani (gati të gjitha) punojnë për llogari të klientëve italianë dhe këta të fundit mund të dekurajohen për të sjellë punë në vendin tonë dhe si rrjedhojë të spostohen në vende të tjera të BE-së.
A do të ndikojë ky ligj te hapja e kompanive të reja apo nuk do të ketë më tentativa të tilla?
Hyrja në fuqi e këtij ligji me siguri do të jetë një pengesë e madhe për kompanitë e tjera që duan të hyjnë në këtë treg.
Çfarë mund apo duhet të bëjë shteti shqiptar në këtë rast? Si mund të ndihmojë ai?
Qeveria shqiptare, duke pasur parasysh shumë marrëveshje dypalëshe që rregullojnë marrëdhëniet ekonomike mes vendeve tona, duhet të përpiqet për të nxjerrë në pah faktin se një ligj i tillë mund të vërë në rrezik një sektor të tërë të ekonomisë sonë. Në anën tjetër, nuk do të zgjidhte problemin që Italia po has. Në fakt, veprimtaritë thjesht do të transferohen nga Shqipëria në vendet e tjera të BE-së, para së gjithash në Rumani. E gjithë kjo në një kohë kur vetë Italia ka dhënë mbështetjen e saj të fortë për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
A mund të shërbejë kjo si një shtysë për kompanitë call center që do të kalojnë në një stad tjetër, për t’u diversifikuar?
Për sa i përket diversifikimit në fushën e call center mund edhe të kërkohet që të zhvillohen shërbime në gjuhë të tjera, përveç asaj italiane, por sigurisht ky do të ishte një proces i gjatë. Unë mendoj se nuk do të jetë e mundur të zëvendësohen të gjitha shërbimet që sot zhvillohen në gjuhën italiane.
Si po loboni ju pranë autoriteteve italiane? Dhe çfarë sinjalesh keni marrë deri tani?
Në rolin e Kryetares së Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë kam detyrën të mbroj dhe të përfaqësoj interesat e gjithë sipërmarrjes dhe sektorët e saj brenda e jashtë territorit shqiptar. Gjatë këtij viti, brenda vendit, kemi organizuar takime ku janë diskutuar problemet në sektorin e call center dhe zgjidhjet e mundshme ku mund të përmend ato me: Zyrën Tregtare të Ambasadës Italiane dhe me vetë Ambasadorin Italian; me Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe së fundmi me Ministrinë e Ekonomisë e cila po e shqyrton këtë çështje, duke i dhënë rëndësinë e duhur. Në Itali kemi punuar me studio të rëndësishme ligjore për ndërtimin e një strategjie veprimi dhe hartimin e komunikimeve karshi institucioneve që kanë lidhje me këtë argument. Sigurisht që çdo vend ka të drejtë që të miratojë ligjet e veta dhe nuk është e lehtë të ndërhyhet. Megjithatë duhet të kujtoj se Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE dhe në muajin nëntor të këtij viti, Komisioni Europian, duke marrë parasysh progresin e bërë nga Shqipëria, rekomandoi hapjen e negociatave, ku një mbështetje të madhe ka dhënë edhe qeveria italiane. Duke u bazuar në këtë argument, mendoj se zgjidhja e problemit mund të jetë pikërisht kjo që vendet të cilat janë në prag të hapjes së negociatave për në BE, të trajtohen nga ky propozim ligjor në të njëjtën mënyrë si vendet e BE-së.
Zgjidhja
Zgjidhja e problemit mund të jetë pikërisht kjo që vendet, të cilat janë në prag të hapjes së negociatave për në BE, të trajtohen nga ky propozim ligjor në të njëjtën mënyrë si vendet e BE-së
————
Amendimet e ligjit, frenimi i delokalizimit të call center, gjoba marramendëse
Ja çfarë parashikon ligji që po shkakton një stuhi të vërtetë tek operatorët call center në Shqipëri…
E përditshmja italiane ‘ilSole24ore’, në një artikull ka bërë një analizë të amendimeve që po i bëhen projektligjit kundër delokalizimit të shërbimeve call center.
Giampiero Falasca shkruan se rishikimi i ligjit tenton të forcojë masat ndaj fenomenit ‘dumping’ në sektorin e call center, që kanë sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit.
Hartuesit e këtyre amendimeve kanë parashikuar një ndërhyrje të dyfishtë që ka të bëjë si me shërbimin inbound, ashtu edhe outbound, janë forcuar normat që rregullojnë fenomenin e delokalizimit.
Masa e parë konkretizohet në rishikimin e plotë të nenit 24, që është pjesë e ligjit 83/2012. Sipas disiplinës së re, nëse një operator ekonomik vendos të lokalizohet, qoftë edhe duke e dhënë shërbimin ndaj të tretëve në një vend që nuk është anëtar i BE-së duhet të komunikojë brenda 30 ditëve destinacionin tek organet përkatëse, përfshi këtu edhe numrin e punonjësve.
Kjo normë ekzistonte edhe në ligjin e vitit 2012, por amendimet zgjerojnë listën ndaj të destinuarve të komunikimit, ku përveç Komisionerit për Mbrojtjen e të Drejtave të Informimit, në dijeni duhet të vihet edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik në lidhje me numrat telefonikë që do të vihen në dispozicion të publikut.
Një aspekt tjetër ka të bëjë edhe me ashpërsimin e sanksioneve për mosnjoftime apo vonesa që llogariten deri në 150,000 euro.
Njoftimi duhet të bëhet jo më shumë se 60 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit të Buxhetit edhe nga operatorët që tashmë janë të delokalizuar. Nëse këta të fundit nuk zbatojnë detyrimin, atëherë mbi ta do të zbatohen sanksione administrative deri në 10,000 euro për çdo ditë vonesë.
Gjithmonë me qëllim frenimin e delokalizimit, reforma vendos (duke konfirmuar një princip që ekzistonte) përjashtimin nga lehtësitë fiskale të këtyre tipologjive.
Amendimet parashikojnë edhe forcimin e së drejtës së subjektit që merr një telefonatë nga një call center për t’u informuar për vendin nga bëhet thirrja. Kjo do të bëhet e detyrueshme 90 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të buxhetit. Moszbatimi i këtij detyrimi do të shoqërohet me një sanksion administrativ prej 50,000 eurosh për çdo ditë të shkeljes së ligjit, pavarësisht nga numri i thirrjeve ‘jo të rregullta’.
Po me 50,000 euro gjobë ndëshkohet edhe moskomunikimi me Ministrinë e Punës në lidhje me identifikimin e vendndodhjes të call center.
————
Mediat italiane: Shqipëria, “Las Vegasi” i call center, të rinjtë shqiptarë po e fitojnë betejën
Prej muajsh, mediat italiane po ziejnë nga lajmet për problemet që po kalojnë kompanitë call center në Itali dhe rrezikun e humbjes së 80 mijë vendeve të punës. Shqipëria fajësohet hapur për këtë situatë, pasi ka ulur ndjeshëm çmimet e shërbimit, duke i bërë kompanitë që kanë aktivitetin në Itali jokonkurruese.
“Për të kuptuar se sa po vuan sektori, mjafton të shohësh se çfarë ndodh në anën tjetër të Adriatikut, ku – në Shqipëri – call center po lulëzojnë, duke ofruar të njëjtat shërbime, me çmime të ulëta. Çmimet kaq të ulëta i kanë bindur tashmë kompani të ndryshme italiane që të prishin kontratat për të emigruar në Shqipëri”, shkruan ‘La Repubblica’ në një artikull të tetorit të këtij viti. Më herët, kjo gazetë kishte publikuar një artikull me titullin “Në call center shqiptare, ku po punësohet gjithnjë e më shumë, ndërsa në Itali ka shkurtime”.
“Mirë se vini në Las Vegasin e call center, thuhet ndër të tjera në artikullin e ‘La Repubblica’.
Rreth njëzet qendra të mëdha e të mesme të thirrjeve telefonike, kryesisht me pronësi italiane, punojnë për porositë e Vodafone Group, Sky, Enel, Fastweb, ACEA apo ndonjë institucion publik, dhe mbi treqind kompani më të vogla, shpesh mikroskopike, punojnë si nënkontraktorë. Ky është praktikisht biznesi kryesor i ekonomisë shqiptare, me një peshë të madhe në prodhimin e brendshëm bruto, dhe punëson mbi 25 mijë punëtorë të cilët çdo ditë vënë kufje dhe mikrofon për të folur në telefon me Italinë. Një ushtri e djemve dhe vajzave të cilët, me pavetëdije, janë duke luftuar në luftën e call center. Dhe ata janë duke e fituar.
Në artikull merret si shembull Fiber ICT, që ka 6 seli në Tiranë dhe 600 të punësuar. Ajo është në pronësi të një biznesmeni italian, Daniele Volpe, i cili tregon se “dëshira për të ecur para e shqiptarëve është shumë e madhe dhe janë një popull kryesisht i ri dhe me një shkallë shumë të lartë të arsimit”.
Operatorët e Fiber janë pothuajse të gjithë të diplomuar ose studentë, që flasin mesatarisht tri gjuhë dhe fitojnë (me kontrata me afat të caktuar dhe kombinime të 4, 6 dhe 8 orë), nga një minimum prej 250 eurosh në muaj (plus bonus) në një maksimum prej 500 eurosh për profesionistët. Duke pasur parasysh koston e jetesës në Shqipëri (qiraja minimale e një banese, është rreth 70 euro në muaj), me 500 euro ju mund të mendoni edhe për fillimin e një familjeje.
“Por kjo nuk është vetëm çështja e kostove më të ulëta të punës – shpjegon Volpe – këtu ju mund të mbështeteni në një fleksibilitet që në Itali e kemi ëndërr. Shqipëria është një ekonomi në rritje. Për të thënë një element, vendi është tërësisht i mbuluar me fibra optike dhe pas call center janë duke ardhur gjithashtu kompanitë e para shumëkombëshe me investimet e tyre”.
————
Almaviva, kompania që nuk erdhi në Shqipëri dhe tashmë po lobon kundër
Në mediat italiane është rritur shqetësimi për Almaviva, kompaninë më të madhe të këtij sektori në Itali, me 45 mijë të punësuar në Itali e jashtë, me xhiro mujore prej 2.3 milionë eurosh, po deklaron humbje të vazhdueshme dhe po shkurton vende pune.
Alarmi është dhënë edhe nga sindikatat. Përfaqësuesit e të punësuarve, sindikatat, kanë kërkuar prej Komisionit të Punësimit në Senat që të ndërhyjnë me anë të ligjeve kundër zhvendosjes dhe sanksioneve që tashmë janë të parashikuara, shkruan Corriere.
Alarmin e kanë lëshuar Slc-Cgil, Fistel-Cisl dhe Uilcom, tre sindikata, të cilat janë dëgjuar në një takim jozyrtar nga Komisioni i Punësimit në Senat për mosmarrëveshjen që kanë me Almaviva-n.
“Në rast se nuk zgjidhjet kjo çështje shumë shpejt, brenda pak muajve rrezikohen 70-80 mijë vende pune në sektorin e call center, nga operatorët të cilët telefonojnë klientët deri tek ata që merren me problemet e rendit publik.
Almaviva është kompania më e madhe italiane në sektorin e call center. Në të shumtën e rasteve, punonjësit me kohë të pjesshme, katër orë në ditë, fitojnë nga 550 deri në 600 euro në muaj duke qëndruar përpara kompjuterit me kufjet vendosur në vesh për t’iu përgjigjur konsumatorëve të kompanive lider në Itali, si Enel, Eni, Posta italiane, Hekurudha, Equitalia, INPS, si dhe të gjigantëve privatë si Mediaset, Telecom, Sky, Vodafone, Wind, Fast Web. Drejtuesit e Almaviva-s deklarojnë humbje rekord prej një milionë e gjysmë euro më muaj, për shkak të konkurrencës së shtuar nga kompanitë e huaja, të cilat kanë kosto më të ulëta të punës.
Dy prej klientëve të saj më të mëdhenj, Green Network dhe Enel, kanë refuzuar të nënshkruajnë sërish pasi kanë zbuluar se në Shqipëri, operatorët paguhen më pak, shkruan ‘La Repubblica’.
Sipas Giorgi Serao (Fistel), Pierpaolo Mischi (Uilcom) dhe Riccardo Saçone (Slc-Cgil), të cilët kanë apeluar në qeveri dhe Parlament, tre janë pikat kryesore për t’u trajtuar: ndërhyrja në ligje për të penguar zhvendosjen e call center dhe vendosja e sanksioneve që tashmë janë parashikuar, kushtëzimi në rastet e prokurimit publik dhe parashikimi i masave për të amortizuar efektet sociale për të gjithë sektorin. Për të kuptuar se sa po vuan sektori, mjafton të shikosh se çfarë po ndodh në anën tjetër të Adriatikut, në Shqipëri, ku call center ofrojnë të njëjtat shërbime me çmime të ulëta, shkruan ‘La Repubblica’. Kjo ka bërë që shumë kompani të refuzojnë kontratat në Itali dhe për të emigruar në Shqipëri.
Drejtuesit e Almaviva-s i janë drejtuar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, mbi tavolinën e së cilës është ende transferimi i 135 punonjësve nga Palermo për në Rende. Çështja nisi me mosrinovimin e kontratës nga ana e Enel në dhjetor të vitit të kaluar. Nga 300 punonjës, 135 duhet të ishin larguar që nga data 24 tetor.
Çështja e transferimeve është vetëm një nga problemet që shqetëson punonjësit e Almaviva-s, e cila vetëm pak ditë më parë ka lajmëruar shkurtimin e 2500 vendeve të tjera pune në Romë dhe Napoli, një çështje që ka shkaktuar pakënaqësi te sindikatat
Refuzimi i Shqipërisë
Mësohet se kompania ka shfaqur interes dhe për Shqipërinë në fillim të këtij viti, teksa ka parë si zgjidhje të vetme zhvendosjen e aktivitetit në një vend të rajonit. ‘Monitor’ ka mësuar se ajo ka zhvilluar një analizë risku për gjithë rajonin, ku Shqipëria kishte avantazh të dukshëm, si për gjuhën ashtu dhe për koston e ulët të fuqisë punëtore. Nuk dihet pse Almaviva vendosi të mos hynte në tregun shqiptar, teksa tani qartazi po lobon që shteti përtej Adriatikut të mos jetë konkurrues.
Paga mesatare në Shqipëri është rreth 350-400 euro; në Rumani 600-650 euro dhe në Itali mbi 1200 euro. Kjo diferencë e lartë e bënte Shqipërinë shumë të favorshme dhe tërheqëse.
Edhe në rast se Almaviva do të zhvendoset në Rumani, konkurrenti më i afërt me Shqipërinë, lobimi i saj në mënyrë të pashmangshme do të çojë në rritjen e kostos së shërbimeve nga operatorët që punojnë me Shqipërinë, duke e bërë më pak konkurruese këtë të fundit dhe me një risk më të lartë.
————
Rritja e zinxhirit të vlerës me teknologjinë e informacionit
Rritja e shpejtë e sektorit call center në Shqipëri, në vetëm pak vjet tregoi që ky vend ka avantazhe konkurruese të larta, që duhen shfrytëzuar. Por, tashmë ka ardhur koha të kalohet në një fazë më të lartë, të iket nga industria fason dhe call center, që janë skllavëruese dhe shfrytëzojnë vetëm koston e lirë të fuqisë punëtore. I këtij mendimi është Armand Frangu, drejtor ekzekutiv i kompanisë B360 dhe anëtar i Shoqatës Shqiptare të Teknologjisë së Informacionit (AITA), që është zëri i sektorit të teknologjisë dhe komunikimit. “Është koha që vendi të shkojë drejt ofrimit të shërbimeve profesionale”, thotë ai.
Frangu wshtw i mendimit se Shqipëria, ndonëse ka një zhvillim më të vonuar të teknologjisë së informacionit në raport me rajonin, madje edhe me Kosovën, ka potenciale në këtë drejtim. Vendi mund të eksportojë shërbime IT në tregun e bashkimit Europian dhe atij amerikan, ku sipas rëndësisë sektorët që mund të përparojnë janë:
-zhvillimi i programeve
-zhvillim web/design
-aplikacione mobile/zgjidhje mobile
-testim programesh
-modelim 3D dhe animacion
-programim dhe mbështetje e sistemit të IT
-platformat EPR dhe CRM
-Cloud CCTV
-Data Centers dhe Cloud hosting.
Ka disa raste pozitive të kompanive shqiptare që po shkojnë drejt shërbimeve të integruara. Deloitte Albania, kompani audituese dhe konsulence, ka 100 të punësuar për platformat e biznesit ERP dhe CRM, që punojnë kryesisht për tregun italian. Gener 2, grup i diversifikuar në ndërtim por dhe shërbime IT, ka disa vjet që po investon në Data Centers dhe Cloud Hosting.
Frangu thotë se avantazh i Shqipërisë është niveli i lartë i kualifikimit të personelit nga njëra anë, por nga ana tjetër këtu kemi një dobësi, pasi numri i programuesve në Shqipëri llogaritet me qindra, që nuk do të mjafton as për të përmbushur kërkesën e një kompanie gjermane psh. “Zakonisht për të bërë kontrata me zhvillues të mëdhenj të programeve , kërkohet minimalisht një skuadër prej 50-100 personash, por më e preferueshme është mbi 100”.
Gjithsesi, ka zhvillime pozitive në këtë drejtim. “Reformat e fundit të qeverisë në fushën e edukimit profesional (rigjallërimi i edukimit profesional), reforma në sistemin e lartë të edukimit dhe rritja domethënëse e numrit të studentëve të rinj të regjistruar në profilin e ICT tregojnë se po bëhen hapat e duhura për të korrektuar këtë problem, duke shtuar numrin e diplomuarve në IT”. Por, e rëndësishme mbetet cilësia e edukimit, që ka qenë një problem vitet e kaluara. “Do të duhen 5-10 vjet, që të shihen rezultatet e para pozitive në tregun e punësimit të IT”.
Vetë firmat e IT po investojnë vazhdimisht në trajnime për të përgatitur zhvillues të mirë, por sërish kjo kërkon kohë dhe investimi është i konsiderueshëm.
Avantazhe të tjera që mund të nxisin kompanitë e huaja të punojnë me kontraktorë shqiptarë janë çmimet konkurruese për të optimizuar strukturën e kostos në zinxhirin e vlerës, specializimi në tregjet europiane përsa i përket aftësive teknike, aftësive të gjuhëve dhe metodologjisë, fokusi te klientët e vegjël dhe të mesëm dhe nevojat e tyre specifike.
Frangu pohon se të huajt janë të pasionuar pas kulturës shqiptare dhe aftësive të personelit, ndërsa dhe afërsia gjeografike ndihmon.
Një pengesë, por më e vogël, është mungesa e ndërlidhjes (networking). Kompanitë shqiptare nuk janë pjesë e rrjetit të biznesit global. AITA ndërkohë po përdor rrjetin e saj dhe aktivitetet ndërkombëtare për të promovuar kompanitë programuese më me eksperiencë në Shqipëri te partnerët që janë të fokusuar te klientët e vegjël e të mëdhenj dhe t’u mundësojnë atyre që të rriten në vijim.
Bullgaria është një model që ka ecuri shumë mirë në eksportet e IT-së dhe tashmë ajo ka problem në gjetjen e fuqisë punëtore të kualifikuar. Një tjetër përparësi e Shqipërisë është se në vendet jashtë Europës ka rrezik më të lartë, si rrjedhojë e konflikteve sociale, çka do të favorizonte ardhjen e sipërmarrjeve të BE-së në Shqipëri. Gjithsesi, “mosqenia në BE është një element negativ dhe shpejt a vonë do e nxirrte kokën, siç ndodhi me call center”. Në Bullgari dhe Rumania, psh, qeveria italiane nuk mund të vendosë kushte, pasi ato janë pjesë e tregut europian.
Frangu është optimist se potencialet e Shqipërisë janë shumë të mëdha, por se sa do të arrihet zhvillimi varet nga fakti sa programues të mirë do të prodhohen në vitet e ardhshme. Biznesi e gjen rrugën vetë, pohon ai, ndërsa shteti duhet të kujdeset të rrisë cilësinë e arsimit, të zhvillojë arsimin profesional dhe të nxjerrë në treg sa më shumë IT të kualifikuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.