Reformat kanë ndihmuar ekonominë që të përballojnë lulëzimet dhe rëniet
Minerali i hekurit në Australinë Perëndimore dhe qymyrguri i Queensland-it ishin baza e lulëzimit të minierave australiane, ushqyer këto dhe prej industrisë metalurgjike në Kinë. Në pikun më të lartë të pesë viteve, investimi në miniera përllogaritej rreth 9% e PBB-së. Por me rënien e investimeve në 2013-n, borxhi i Australisë u rrit. Në nivelin e 6.5%, norma e papunësisë është për momentin më e larta në Australi. Megjithatë rritja ekonomike e Australisë ka mbetur e paprekur, duke shtuar se ka rreth 25 vite që nuk ka përjetuar një recesion, shkruan ‘The Economist’. Si e ka menaxhuar Australia këtë situatë, që ka sfiduar pjesën më të madhe të vendeve të pasura?
Lulëzimi i minierave në Australi në 160 vitet e fundit ka bërë që vendi të ndihet i sigurt dhe i pasur. Klasa punëtore bëri shumë para dhe kjo solli mirëqenie edhe për rajonet e largëta që prodhojnë ar, qymyr, gaz dhe të tjera mallra. Recesioni pasoi thuajse të gjitha lulëzimet ekonomike të mëparshme, përfshirë dhe recesionin më të fundit, në vitet ’80. Përmbysjet provuan të ishin tronditje të mëdha për një ekonomi që ishte e rregulluar. Kur në tremujorin e tretë të 2016-s u regjistrua rritje negative, disa parashikuan fillimin e një recesioni (teknikisht përcaktohet nga dy tremujor radhazi me rritje negative). Megjithatë, rritja ekonomike u rikthye në tremujorin e katërt. Banka Qendrore e Australisë parashikon një normë rritjeje rreth 3% këtë vit dhe vitin e ardhshëm.
Ekonomia i është nënshtruar ndryshimeve vendimtare që nga 1980-a. Banka Qendrore tashmë është e lirë që të vendosë normat e interesit pa ndërhyrje politike dhe pa fiksuar normën e kursit të këmbimit. Ndërsa boom-i ekonomik u zbeh, banka uli normën e saj bazë të interesit nga 4.75% në 2011 në 1.5% vitin e shkuar. Vlera e dollarit australian ka rënë në nivelin e 0.76 dollarëve, nga 1.1 dollarë që këmbehej gjashtë vite më parë. Këta faktorë kanë bërë që shtetet e New South Wales dhe Victoria të zvogëlojnë plogështinë e ekonomisë: investimet në industritë e tjera (jo në miniera) janë rritur me 10% në New South Wales që nga 2013. Ndërsa shteti i Victoria ka rritjen më të madhe të popullsisë, nga migracioni i jashtëm dhe i brendshëm. Bizneset e dëmtuara nga monedha e mbivlerësuar gjatë boom-it të minierave tani e kanë më të lehtë që të eksportojnë jashtë. Për turistët dhe studentët e huaj, Australia është më e lirë për t’u vizituar.
Kjo ekonomi fleksibël përballet ende me sfida. Rritja më e qëndrueshme e Kinës ka bërë që çmimet e mallrave të kthehen në nivelet e mëparshme pas rënies së madhe. Por, këtë herë, kompanitë që operojnë në industrinë e minierave nuk kanë gjasa që të bëjnë një boom investimesh. Çmimet e larta mund të mos zgjasin. Perspektiva ekonomike për Kinën, partnerin kryesor tregtar për Australinë, mbetet një faktor kyç u pasigurisë sipas Bankës Qendrore.
/The Economist/