Nga Elona Bedalli
Tregu i sigurimeve në Shqipëri vazhdon të jetë në vështirësi. Kurba e të ardhurave është në rënie dhe duket sikur nuk do të ndalet. Raporti i fundit i publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bën të ditur se në 6-mujorin e parë të vitit, volumi i primeve të shkruara bruto arriti në rreth 4 miliardë lekë, me ulje rreth 5.5%. Kjo situatë ishte parashikuar pak a shumë nga shoqëritë e sigurimit, të cilat janë në pritje të sinjaleve pozitive. Edhe AMF pati deklaruar se ky do të jetë një vit i vështirë. Drejtuesit e këtij institucioni rendisin si shkaqe të ngadalësimit të rritjes së tregut: vështirësitë ekonomike aktuale, që po përjetojnë disa partnerë strategjikë tregtarë të Shqipërisë, gjë e cila mund të ketë ndikim të tërthortë në aktivitetin ekonomik të vendit dhe si rezultat në disa portofola të caktuara të sigurimit. Gjithashtu mund të ndikohen edhe linjat kryesore të biznesit, që janë të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetin e kreditimit të bankave dhe të investimeve infrastrukturore në vend. Nga ana tjetër, sipas AMF-së, periudha e tranzicionit, pas liberalizimit të tarifave të MTPL-së, gjithashtu do të ndikojë në të ardhurat e përgjithshme gjatë vitit 2012.
Ashtu siç u vu re (edhe në tremujorin e parë) rënia ka prekur pothuajse të gjitha segmentet e tregut. Më e theksuar ka qenë rënia (edhe pse në shifra më të moderuara në krahasim me 3-mujorin e parë) në aktivitetin e Jetës, me rreth 11%, ndërsa primet në sigurimin e Jo-Jetës ranë me rreth 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia ishte edhe më e thellë për sa i përket numrit të kontratave të nënshkruara nga kompanitë e sigurimit, që ranë me mbi 25% krahasuar me një vit më parë.
Në segmentin e sigurimit të Jetës, rënia i detyrohet kryesisht produktit që sjell edhe më shumë të ardhura, sigurimit të Jetës së Debitorit. Ky lloj sigurimi lidhet direkt me kreditë bankare dhe është i detyrueshëm për çdo individ që merr një kredi afatgjatë. Të ardhurat nga ky produkt ranë me 21% krahasuar me një vit më parë. Për sa i takon tregut të Jo-Jetës, rënia erdhi kryesisht nga tri produkte, sigurimi i aksidenteve, kartoni jeshil dhe sigurimi kasko i automjeteve. Të ardhurat nga sigurimi i aksidenteve ranë me 49% dhe kjo shpjegohet me pakësimin e udhëtimeve jashtë vendit krahasuar me vitin e kaluar, kur pati fluks të madh udhëtimesh jashtë pas liberalizimit të vizave.
Rënie të thellë me 51% shënuan të ardhurat nga kartoni jeshil, që mbulon përgjegjësitë motorike ndaj palëve të treta, jashtë vendit. Pas liberalizimit të tregut në mesin e vitit të kaluar, çmimet e policave për këtë segment u ulën ndjeshëm.
Të ardhurat nga sigurimi i detyrueshëm motorik, TPL, vazhdojnë të njohin rritje. Për 6-mujorin 2012, krahasuar me një vit më parë ato u rritën me rreth me 24%. Efekti ka ardhur kryesisht nga rritja e çmimit të policave të sigurimit, ndërsa numri i kontratave ka shënuar rritje fare të vogël, në një kohë kur “parku” i makinave të regjistruara nga viti i kaluar deri në fund të këtij 6-mujori është rritur me mbi 15%.
Ndërkohë që të ardhurat vazhdojnë të bien, dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimit për 6-mujorin e parë u rritën me ritme mjaft të larta, rreth 36% më shumë se një vit më parë.
Raporti mes dëmeve dhe primeve ka arritur në 37%, nga 25% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Jeta, kompanitë shohin shpresë në horizont
Në 6-mujorin e parë të këtij viti, primet e shkruara bruto të sigurimit të Jetës u ulën me rreth 11%, duke arritur në 458 milionë lekë. Bie në sy rënia e primeve për grupin “Jetë debitori” me 21.4%, duke arritur në 271 milionë lekë.
Sipas drejtuesve të kompanisë “Sigal Uniqa Group Austria”, rënia e këtij tregu reflekton ecurinë e ekonomisë së vendit. “Tregu i sigurimeve, thonë drejtuesit e kësaj kompanie, nuk mund të vlerësohet i veçuar dhe duke iu shmangur pasojave që vijnë nga një krizë e stërzgjatur financiare. Kërkesa për kredi është ulur dhe kjo ka reflektuar uljen e primeve të sigurimit për grupin ‘Jetë Debitori’”, thonë ata.
Edhe më e ndjeshme ka qenë rënia e primeve të shkruara bruto për “Jeta dhe shëndeti në udhëtim” me rreth 53.6% që tregon se sa shumë janë reduktuar udhëtimet. Në këtë segment vlen të theksohet performanca në rritje e INSIG (primet u rritën me 34%), ndërsa “Sigal Life Uniqa Group Austra” shënoi rënien më të ndjeshme (26.3%), krahasuar me një vit më parë.
Ndryshe nga 3 muajt e parë të vitit, në tremujorin e dytë vihet re se ka ndryshuar edhe pesha e sigurimit të Jetës ndaj totalit të tregut të sigurimeve, duke u ulur në 11.2%.
Jo–Jeta, ulet ritmi i rënies
Shifrat për 6-mujorin e parë të vitit 2012, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, flasin për një ritëm më të ulët rënieje, gati tre herë më të ulët se në tremujorin e parë të këtij viti. Ky ritëm rënie do të ishte shumë më i thellë në rast se nuk do të ndryshonin primet e sigurimit TPL dhe sikur “Interalbanian” të mos kishte siguruar një kontratë sigurimi pasurie rreth 200 milionë lekë.
Primet e shkruara bruto të Jo-Jetës, sipas të dhënave të AMF-së arritën në rreth 3.6 miliardë lekë ose rreth 4.7% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Ndikimin më të madh e ka dhënë rënia e ndjeshme e Kartonit Jeshil.
Ulja e çmimeve me rreth 50% reflektoi rënie të ndjeshme të primeve me rreth 51.3%, ndërsa numri i kontratave u ul me rreth 25%. Edhe AMF vëren se ulja e primit të shkruar bruto “Karton Jeshil”, lidhet me liberalizimin e tregut të sigurimit të detyrueshëm, në gusht të vitit 2011.
Drejtuesit e shoqërive të sigurimit përjashtojnë mundësinë e sjelljes së njëjtë të tregut, si në rastin e sigurimit MTPL (ulja e çmimit pas liberalizimit, që u shoqërua me rënie të të ardhurave dhe më pas rritje e çmimit që u reflektua me rritje të të ardhurave), pasi kemi të bëjmë me produkte me natyrë të ndryshme.
Në rënie paraqiten edhe sigurimi nga aksidentet me 49%, si dhe sigurimi i mjeteve tokësore me 11%.
Shumë më pozitiv paraqitet sigurimi i detyrueshëm motorik, TPL e brendshme, primet e së cilës u rritën me rreth 24.2%. Sipas të dhënave të AMF-së edhe numri i kontratave u rrit me 2.4%.
Më shumë dëme të paguara
Pagesa e dëmeve ka vazhduar trendin rritës, duke u llogaritur në rreth 1.4 miliardë lekë, ose rreth 36% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, por disi më ulët se 3-mujori i parë i vitit 2012. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1 miliard lekë, rreth 70% e totalit të dëmeve të paguara bruto.
Vëmë re se raporti dëme/prime është rritur nga 25% që ishte një vit më parë në rreth 36%.
Ekspertët thonë se në rritjen e këtyre shifrave, jo pak ndikim ka dhënë edhe “presioni” i ushtruar nga përmbaruesit privatë, apo edhe të Byrosë së Sigurimit (për kartonin jeshil), gjë që ka bërë që të futen në pasqyrat financiare edhe shuma të prapambetura.
“Kamerdarja” e shpëtimit
Shumë pak kompani kanë arritur që 6 muajt e parë të vitit t’i mbyllin pozitivisht, duke konfirmuar “luftën” e ashpër që bëhet në treg për të siguruar terren.
Në sigurimin e Jetës, sipas të dhënave të AMF-së për gjashtë muajt e parë të vitit vetëm kompania me aksione shtetërore INSIG paraqiti performancën më të mirë. Volumi i primeve të shkruara bruto për këtë kompani u rrit me rreth 34.2% në një kohë kur “Sigal Life Uniqa Group Austria” dhe “Sicred” shënuan rënie përkatësisht me 26.3% dhe 11.4%. Sa i përket “tortës” së tregut, të tria kompanitë që operojnë në këtë segment kanë shënuar luhatje, por humbjen më të fortë të terrenit e ka pësuar “Sigal Life Uniqa Group Austria”. Për 6-mujorin e parë 2012, ajo zuri rreth 42% të tregut nga rreth 51% që kishte një vit më parë. Ndërsa për “Sicred”, rënia e përqindjes në treg ishte e lehtë nga 31.09% që zinte një vit më parë, tashmë zë rreth 30.8%. INSIG duket se ka punuar fort për të forcuar pozitat në treg kundrejt konkurrentëve në këtë segment, pasi ajo tashmë zotëron rreth 27.3% nga rreth 18.2% që zinte një vit më parë.
Në tregun e Jo-Jetës vihet re se për sa i përket primeve të shkruara bruto, dy janë kompanitë që paraqiten me shenjë pozitive rritje, “Interalbania” dhe “Eurosig”, për të cilat rritja e primeve të shkruara bruto u llogarit në respektivisht në 38.3% dhe 17.6%.
Për “Interalbanian”, nënshkrimi i një kontrate për sigurimin nga zjarri me një kompani nafte vazhdon t’i japë asaj trend pozitiv rritës (232% rritja e primeve në sigurimin nga zjarri) kundrejt kompanive të tjera. Edhe në sigurimin e detyrueshëm motorik, sikundër edhe për kompaninë “Eurosig” (36%) vlerat e rritjes ishin pozitive, duke arritur në rreth 30%, shifër kjo e ngjashme edhe me INSIG.
Kompanitë e tjera kanë shënuar vlera negative që llogariten nga rreth 2% (“Albsig”) në 16.6% (“Atlantik”).
Në lidhje me pozicionimin e kompanive që operojnë në tregun e Jo-Jetës, nga të dhënat vihet re se pjesa më e madhe kanë humbur terren, përjashtim bëjnë “Interalbanian” (14.5% ndaj totalit), “Eurosig” (rreth 9% të totalit).
“Sigal Uniqa Group Austria” ka humbur ndjeshëm kuota përfaqësimi në treg, duke zbritur në rreth 32% nga rreth 34% që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.