Ndërsa bankat raportojnë norma të larta fitimi, që arrijnë deri në 40%, në segmentin tjetër financiar, atë të sigurimeve, panorama nuk është kaq pozitive. Fitimet e shoqërive të sigurimit mbeten relativisht të ulëta, me norma kthimi njëshifrore.
Fitimet e tyre varen dukshëm nga ecuria e pagimit të dëmeve në varësi të aksidenteve të ndodhura dhe të provigjionimeve për dëmet e pagueshme.
Sigal, më e madhja në tregun e sigurimeve raportoi fitime prej 306 milionë lekësh, në rënie me 33%, si rrjedhojë e ngecjes së primeve dhe rritjes së pagesës së dëmeve.
Eurosig trefishoi fitimet në 329 milionë lekë, ndonëse të ardhurat nuk u rritën, kryesisht si rrjedhojë e uljes së shpenzimeve për provigjionime.
Sigma dhe Intersig, të dyja pjesë e Vienna Insurance Group raportuan fitime minimale, prej përkatësisht 66 dhe 84 milionë lekë.
Sipas grupeve, kryeson Sigal Uniqa Group Austria, që është dhe operatori më i madh i tregut të sigurimeve, që së bashku me aktivitetin e jetës, jo jetës dhe pensioneve kishte gjithsej fitime prej 506 milionë lekësh.
Në vend të dytë është Eurosig së bashku me INSIG, me fitime prej 434 milionë lekësh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.