Bizneset, që kërkojnë kredi, janë përballuar me kërkesa më të rrepta nga bankat gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, si zgjerimi i marzhit mesatar, rritja e komisioneve, ulja e madhësisë së huasë, rritja e madhësisë së kolaterali në raport me madhësinë e huasë si dhe zvogëlimi i maturitetit. Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të Tremujorit të tretë 2012, publikuar nga banka e Shqipërisë, bankat kanë shtrënguar në të njëjtën shkallë kredinë dhënë bizneseve sipas madhësisë (SME dhe korporatave të mëdha) dhe sipas qëllimit (financim i kapitalit qarkullues dhe i investimeve). Për kredinë dhënë konsumatorëve, bankat vijuan të mbajnë të pandryshuara standardet, për të dytin tremujor rresht, si për blerje banese, ashtu edhe për financim të konsumit.
Faktorët kryesorë që shpjegojnë shtrëngimin e standardeve të kredisë për biznese janë problemet specifike të sektorit ku operon biznesi, situata e kredive me probleme dhe situata e përgjithshme makroekonomike. Gjatë dy tremujorëve të fundit, mjaftueshmëria e kapitalit është vlerësuar si një faktor tjetër që ka dhënë kontribut në shtrëngimin e standardeve. Në lidhje me kredinë dhënë individëve, gjendja financiare e individëve, kreditë me probleme dhe tregu i pasurive të paluajtshme kanë kontribuar në shtrëngimin e standardeve, ndërsa likuiditeti dhe konkurrenca janë faktorë të cilët kanë dhënë kontribut për lehtësimin e tyre.
Ndryshimi në kushtet dhe kriteret për miratimin e kredive të reja të miratuara gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012 ka reflektuar shtrëngimin e standardeve për bizneset. Për individët ato kanë ngelur pothuaj të pandryshuara. Për bizneset, kushtet kryesore me të cilat bankat kanë zbatuar politikën shtrënguese të kreditimit janë zgjerimi i marzhit mesatar, rritja e komisioneve, ulja e madhësisë së huasë, rritja e madhësisë së kolaterali në raport me madhësinë e huasë si dhe zvogëlimi i maturitetit.
Kërkesa neto për kredi, bazuar në perceptimin e ekspertëve pranë bankave, është zvogëluar edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012 si për bizneset ashtu edhe për individët, por me ritëm më të vogël në krahasim me tremujorin e dytë.
Pritjet e bankave për tremujorin e katërt të vitit 2012 shfaqin një pamje më optimiste; standardet e kredidhënies priten të lehtësohen dhe kërkesa të rritet, për të dy llojet e klientëve, biznese dhe individë. Pritjet janë përmirësuar si në krahasim me pritjet e një tremujori më parë, ashtu dhe me vlerësimin për gjendjen aktuale gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012.
Kredia për bizneset
Rezultatet e vrojtimit të tremujorit të tretë 2012, tregojnë se shkalla e shtrëngimit të kredisë dhënë bizneseve në total ka qëndruar relativisht e qëndrueshme, krahasuar me dy tremujorët e parë të vitit. Balanca neto2 e përgjigjeve të bankave që janë shprehur për shtrëngim të standardeve shënoi vlerën 6.25% (përkatësisht 6.16% dhe 6.2% në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit 2012). Gjatë vrojtimit të kaluar, bankat pjesëmarrëse prisnin shtrëngim neto të standardeve në masë më të ulët.
Forcimi i standardeve të kredidhënies gjatë tremujorit të tretë u aplikua në të njëjtën masë për bizneset sipas madhësisë dhe sipas qëllimit të përdorimit. Krahasuar me tremujorin e dytë, shtrëngimi neto i standardeve u ul ndjeshëm për kredinë për qëllime investimi; përqindja neto e bankave që shtrënguan standardet është 6.2% në tremujorin e tretë, krahasuar me 21.2% tremujorin e dytë të vitit 2012. Shtrëngimi neto i standardeve është ulur lehtësisht për kredinë miratuar për qëllime të likuiditetit dhe për kredinë dhënë korporatave, krahasuar me një tremujor më parë.
Faktorët kryesorë të cilët shpjegojnë shtrëngimin e standardeve të kredisë për bizneset gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012 ishin; problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja, gjendja e huave me probleme në sistemin bankar, situata makroekonomike në vend dhe, mjaftueshmëria e kapitalit. Nga ana tjetër, konkurrenca në sistemin bankar, gjendja e likuiditetit dhe vendimet e marra nga Banka e Shqipërisë gjatë këtij tremujori kanë ndikuar pak në lehtësimin e standardeve të kredidhënies për bizneset.
Politika shtrënguese e bankave gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012 është realizuar kryesisht nëpërmjet rritjes së komisioneve si dhe zgjerimit të marzhit mesatar. Bankat kanë përdorur si kushte për të shtrënguar standardet e kredisë gjithashtu; zgjerimin e marzhit për kreditë me rrezik, rritjen e kërkesës për kolateral dhe uljen e maturitetit të kredive. Më pak ka ndikuar ulja e madhësisë së huasë.
Kërkesa për kredi. Në tremujorin e tretë të vitit 2012, bankat vijuan të vlerësojnë negativisht kërkesën e bizneseve për kredi, po në një masë më të vogël krahasuar me vrojtimin e mëparshëm. Përqindja neto e bankave që kanë perceptuar ulje të kërkesës për kredi është 4.9% krahasuar me 5.5% tremujorin e kaluar. Sipas opinionit të ekspertëve të bankave, kërkesa ka rënë më shumë për korporatat e mëdha se sa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Gjithashtu, sipas qëllimit të përdorimit, kërkesa për kapital qarkullues vlerësohet në rritje, ndërsa për investime në rënie. Sipas vrojtimit të realizuar gjatë tremujorit të dytë të vitit 2012, pritjet e bankave për rritje të kërkesës për kredi ishin pozitive.
Nevoja për financimin e kapitalit qarkullues dhe kushtet e kreditimit të aplikuara nga bankat janë faktorët që kanë kontribuar pozitivisht në kërkesën për kredi, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012. Balancat neto rezultuan përkatësisht në rreth 34.8 %, 23.3%. Faktori kryesor me kontributin negativ në rritjen e kërkesës, në tremujorin e tretë të vitit 2012, është situata aktuale makroekonomike.
Pritjet. Për tremujorin e katërt të vitit 2012 ekspertët e bankave presin që standardet e kredisë për bizneset në total të lehtësohen. Përqindja neto e bankave që presin lehtësim të standardeve shënoi vlerën 2%. Standardet priten të përmirësohen vetëm për kredinë miratuar për qëllim të financimit të kapitalit qarkullues, si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ashtu edhe për korporatat. Bankat nuk presin ndryshime të standardeve për kredinë dhënë për qëllime investimi. Pritjet për kërkesën e bizneseve për kredi, në tremujorin e katërt të vitit 2012 janë kryesisht pozitive dhe më të larta krahasuar me pritjet gjatë vrojtimit të kaluar.
Kredia për individë
Në tremujorin e tretë të vitit 2012, standardet e kredisë për individë kanë mbetur të pandryshuara në krahasim me tremujorin e dytë dhe të parë të vitit. Përqindja neto e bankave që janë shprehur për shtrëngim të standardeve të kredisë në këtë tremujor shënoi vlerën 0%. Standardet e kredisë mbetën të pandryshuara, si për kredinë për blerje banese ashtu edhe për kredinë konsumatore.
Faktorët që vijojnë edhe gjatë këtij tremujori të japin kontributin kryesor në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë dhënë individëve janë; gjendja e kredive me probleme, gjendja financiare e individëve dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Kontributi në kahun shtrëngues i dy faktorëve të fundit është ulur në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2012. Nga ana tjetër, niveli i konkurrencës ka ndikuar në lehtësimin e standardeve të kredisë dhënë individëve.
Zhvillimet në kushtet dhe kriteret e kredisë për individë, në përgjithësi, janë në përputhje me politikën e ndjekur nga banka për të mbajtur të pandryshuar standardet e kredive të miratuara për individë.
Kërkesa për kredi. Kërkesa neto e individëve për kredi ka vijuar të jetë negative në tremujorin e tretë të vitit 2012, por në një masë më të ulët se në tremujorin e kaluar. Përqindja neto e bankave që mendojnë se kërkesa është ulur është 4.0% në tremujorin e tretë të vitit 2012, nga 11.3% një tremujor më parë. Rënia e kërkesës në total është ndikuar nga rënia e kërkesës për blerje banese (balanca përkatëse u përkeqësua me 7.9 pikë përqindjeje). Kërkesa për financimin e konsumit është rritur në tremujorin e tretë të vitit 2012. 7
Sipas opinionit të bankave, faktorët që shpjegojnë rënien e kërkesës për kredi janë përdorimi i burimeve alternative të financimit, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe nevoja e individëve për financimin e konsumit.
Pritjet. Pritjet e bankave sinjalizojnë për lehtësim të mundshëm të standardeve të kredisë dhënë individëve në tremujorin e katërt të vitit 2012. Standardet priten të lehtësohen si për kredinë për blerje banese ashtu dhe për kredinë konsumatore. Kërkesa e individëve pritet të vijë në rritje gjatë këtij tremujori.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.