Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar të vetëpunësuarit e vetëm për një ndryshim në kategorizimin e tyre. Ata do të duhet të regjistrohen si “I vetëpunësuar me punëmarrës”.
Për të bërë të mundur deklarimin brenda afatit të marrjes në punë apo largimit të çdo punonjësi nëpërmjet formularit ESIG 027, çdo tatimpagues i biznesit të vogël, i cili ka si kategori të kontributeve të sigurimeve shoqërore “I vetëpunësuar i vetëm”, duhet të paraqitet pranë sporteleve të Shërbimit në Drejtorinë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar, për ta ndryshuar atë, në “I vetëpunësuar me punëmarrës”.
Pas aplikimit të tatimpaguesit, Administrata Tatimore do të reflektojë ndryshimin në sistemin e administrimit tatimor, lajmëroi sot Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Tatimet sqarojnë se ky veprim lind për të plotësuar detyrimin ligjor për të përditësuar të dhënat e regjistrimit, bazuar në nenin 43 të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, i ndryshuar, si dhe pika 43.2.1 e udhëzimit nr. 24, datë 02.09.2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, i ndryshuar.
Sipas nenit 43 të ligjit të procedurave tatimore, personat e tatueshëm që ushtrojnë veprimtari ekonomike e tregtare, janë të detyruar të deklarojnë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, çdo ndryshim të mëvonshëm që lidhet me emrin, adresën e selisë dhe të degëve, formën juridike, krijimin e mbylljen e degëve, ndryshimin e llojit të veprimtarisë, etj., siç përcaktohet në dispozitat ligjore për QKR.
Në rastet kur përgjegjësia tatimore pas regjistrimit fillestar ndryshon, personi i tatueshëm është i detyruar të njoftojë Drejtorinë Tatimore Rajonale të juridiksionit për ndryshimet e ndodhura. Drejtoria Rajonale Tatimore i reflekton këto ndryshime në sistemin e administrimit tatimor duke bërë sistemimet e duhura edhe në dosjen e personit të tatueshëm. Rast i ndryshimit të përgjegjësisë tatimore mund të jetë, për shembull, tejkalimi i volumit të qarkullimit prej 8 milionë lekësh në vit kalendarik. Në këtë rast, përgjegjësia tatimore e personit të tatueshëm ndryshon, domethënë nga person i tatueshëm i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël duhet të kalojë në tatimpagues i tatimit mbi fitimin.
Rast tjetër i ndryshimit të përgjegjësisë tatimore mund të jetë ndryshimi i përgjegjësisë për kontributet e sigurimeve shoqërore, p.sh., nga person i vetëpunësuar i vetëm, ai mund të kalojë në person i vetëpunësuar me punëmarrës, etj. Edhe në këtë rast, tatimpaguesi është i detyruar të njoftojë administratën tatimore për çdo ndryshim, e cila reflekton këto ndryshime në sistemin e administrimit tatimor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.