Një njoftim i tatimeve për dorëzim dhe kontroll të inventarëve brenda datës 25 shtator, drejtuar me email subjekteve, ka vënë në lëvizje shumë prej tyre, që janë interesuar nëse ato do të jenë subjekt i kontrollit.
Të pyetur në rubrikën e Live Chat me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për subjektet që duhet të kryejnë dorëzimin e inventarëve analitik, Tatimet janë përgjigjur se dorëzimin e inventarëve do t’u duhet që ta bëjnë vetëm bizneset, të cilëve njoftimi u ka shkuar në mënyrë elektronike.
Megjithatë, objekt kontrolli do të jenë të gjitha subjektet që administrata tatimore i shikon të arsyeshme.
Administrata tatimore ka njoftuar disa prej bizneseve që të dorëzojnë inventarët analitikë brenda datës 25 shtator, në të kundërt do të vendosen gjoba.
Më herët, kryeministri Edi Rama theksoi se qysh në 100 ditët e para të qeverisjes do të nisë një fushatë e re kundër informalitetit, e cila do të ketë një qasje të re ndaj biznesit. Duket se kjo përbën Anti-informalitetin 3 pasi dy faza të mëparshme u konsumuan në mandatin e parë të qeverisë. Megjithatë sinjalet e deritanishme janë që aksioni nuk pritet të jetë aq agresiv sa ai i shtator-dhjetorit 2015, kur qeveria përmes kontrolleve direkte dhe ashpërsimit të sanksioneve me shumëfishim gjobash e deri me burg krijoi një klimë frike dhe pasigurie tek bizneset. Në 2016-n, qeveria u tërhoq nga ky agresivitet dhe kaloi në një përqasje më pozitive.
Njoftimi për kontrollin
Në mbështetje të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Neni 60 “Detyrimi i tatimpaguesit për të dhënë informacion administratës tatimore…”, kërkojmë nga ana juaj depozitimin në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë të Inventarit material analitik të datës 31.08.2017 (lëndë e parë, produkt i gatshëm, mallra për rishitje, prodhim në proces).
Ky informacion duhet të depozitohet pranë Drejtorisë sonë brenda datës 25.09.2017 duke u ngarkuar elektronikisht në sistemin e tatimeve e – filling në rubrikën e Dokumentat e mia, ose në formë shkresore (i firmosur dhe i vulosur nga përfaqësuesi i shoqërisë).
Mosdhënia e informacionit të kërkuar nga administrata tatimore brenda afatit dënohet me gjobë, Neni 126 i Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Inventarët duhet të jenë të detajuar në artikuj, njësi, sasi, çmim, vlerë si dhe të ndarë sipas çdo adrese të ushtrimit të aktivitetet, qoftë kjo magazinë, pikë shitje me shumicë, apo pakicë. Fletët e inventarëve duhet të jenë të nënshkruar në çdo faqe nga administratori i tatimpaguesit dhe të vulosura.
Gjithashtu ju bëjmë me dije se nga analizat që do të kryhen nga Drejtoria e Kontrollit pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë, ju mund të jeni objekt i kontrollit në vend për saktësinë e këtij inventari. Mosparaqitja e dokumentacionit të kërkuar pranë grupit të kontrollit do të konsiderohet pengimi i kontrollit i cili dënohet me gjobë sipas Nenit 127 i Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Proceduarat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.