Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sipas kornizës ligjore të miratuar që përfshin modelin e ri të tregut, pritet të ndahet në tre kompani ku e para do të jetë vetë OSHEE, e dyta Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe së treti Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Detyra për të siguruar të dhënat do të jetë e Furnizuesit ( kur themi furnizuesit kemi parasysh që veç atij publik(universali) mund të ketë edhe kompani private që e ofrojnë shërbimin)…
Faturat e energjisë jo në pak raste mund të na bëjnë me dyshim për konsumin tonë duke menduar se ai nuk është real. Aktualisht kjo zgjidhet përmes një kërkese që qytetari bën pranë OSHEE-së për verifikim apo edhe raste ankimimi në ERE. Por tregu i energjisë pritet që të ndryshojë dukshëm në vijim si rezultat i implementimit të plotë të modelit që parashikon edhe një ndarje të shpërndarjes. Po ku do t’i sigurojnë të dhënat qytetarët në vazhdim?
Enti Rregullator i Energjisë zgjidh këtë dilemë përmes një rregulloreje të miratuar së fundmi ku përcakton sesi do të procedohet për marrjen e të dhënave të konsumit për një muaj, disa muaj apo deri në 3 vjet.
Rregullorja përcakton rolin që do të ketë secili operator në marrëdhënie me klientin dhe bazën e të dhënave që duhet të sigurojë sipas kërkesës. Një pikë e rëndësishme e kësaj rregulloreje është transparenca ku OSHEE-së i kërkohet të ndërtojë një platformë të dedikuar ku të publikohen të dhënat dhe të jenë të aksesueshme për këdo duke respektuar pjesën që i takon mbrojtjes së konsumatorit.
Por çfarë garanton në fakt rregullorja e re e ERE e cila përmbledh aksesin në gjashtë pika?
- OSHEE do të sigurojë si pjesë të Shërbimit të ofruar prej saj, aksesin në të dhënat e konsumit të energjisë elektrike nga Klientët.
- Operatori do të sigurojë këtë shërbim nëpërmjet një faqeje interneti të dedikuar, por edhe nëpërmjet çdo qendre të kujdesit të klientit, ku Furnizuesi paraqitet me kërkesë për të dhëna. Historia e konsumit është në dispozicion përmes faqes së internetit apo nëpërmjet dokumentit të vënë në dispozicion nga Zyrat e Klientit apo edhe çdo forme tjetër të dërgimit të të dhënave, përfshirë por pa u kufizuar, përmes mesazheve telefonike e forma të tjera të arritshme nga publiku.
- Informacioni historik (që përfshin konsumi vjetor për jo më pak se një periudhë që përfshin tre vitet e fundit, është një e drejtë e garantuar për të gjithë furnizuesit nga legjislacioni. Për më tepër, të dhënat mbi baza mujore e informacionit sigurohen nga OSSH tek Furnizuesi.
- OSSH i siguron furnizuesit edhe të dhënat e energjisë elektrike mbi baza orare për të gjithë klientët kur pajisjet e matjes e lejojnë një përllogaritje të tillë.
- Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe OSHEE duhet të dorëzojnë tek Furnizuesi të dhënat e kërkuara sipas kësaj rregullore jo më vonë se 1 (një) ditë kalendarike pas marrjes së kërkesës nga një Furnizues.
- Furnizuesi që kërkon të dhënat si më sipër, duhet që më parë të ketë nënshkruar një marrëveshje nëpërmjet të cilës garanton për të përmbushur detyrimet e legjislacionit në fuqi, duke përfshirë, në veçanti, legjislacionin mbi Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sipas kornizës ligjore të miratuar që përfshin modelin e ri të tregut, pritet të ndahet në tre kompani ku e para do të jetë vetë OSHEE, e dyta Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe së treti Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Detyra për të siguruar të dhënat do të jetë e Furnizuesit ( kur themi furnizuesit kemi parasysh që veç atij publik(universali) mund të ketë edhe kompani private që e ofrojnë shërbimin).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.