- Vini alarmin për t’u zgjuar? Me shumë mundësi, ju jeni më pak efecient në punë. Disa kompani e kanë kuptuar këtë gjë dhe po u krijojnë mundësinë punonjësve të punojnë me orare fleksibël.
- Kjo gjë njihet si “kronotipi”, ose predispozita biologjike që të jeni një “njeri i mëngjesit”, “një njeri i natës” ose diçka e ndërmjetme.
- Sipas ekspertëve, pjesa më e madhe e kompanive e vetësabotojnë suksesin e tyre duke imponuar të njëjtin orar pune për të gjithë dhe duke caktuar detyra në kohën e gabuar.
Një artikull në “New York Times” thekson një tendencë të fundit ndër kompanitë në të gjithë botën: t’u japësh mundësinë punonjësve të ndryshojnë oraret e punës ,në bazë të asaj se kur janë më shumë produktivë.
Céline Vetter, asistente në Universitetin e Colorado-s në Boulder dhe drejtuese e laboratorit epidemiologjik circadian dhe të gjumit në këtë universitet, deklaroi për Times se 80% e personave kanë orare pune që bien ndesh me orën e tyre të brendshme. Këto orë të brendshme njihen edhe si “kronotipë” ose predispozita biologjike për të qenë një “njeri i mëngjesit” apo një “njeri i natës” apo diçka e ndërmjetme.
Prej disa kohësh shkencëtarët janë duke studiuar kronobiologjinë. Por tema në fjalë ka marrë vëmendje vetëm pak kohë më parë. Në librin e tij, “The Power of When”, psikologu dhe specialist i gjumit, Dr. Michael Breus, cakton etiketa për kategoritë e mëdha të kronotipeve: delfinë, luanë, arinj dhe ujqër.
Sipas Breus, rreth gjysma e popullsisë përbëhet prej arinjve, gjë që do të thotë që ora e tyre e brendshme ndjek lindjen dhe perëndimin e diellit dhe kanë nevojë për tetë orë gjumë gjatë natës. Ju mund të kuptoni nëse kronotipi juaj ndeshet me orarin tuaj të punës me një pyetje të thjeshtë: A përdorni një orë alarmi për t’u zgjuar? Nëse po, Laber-Warren shkruan se “nuk jeni në sinkron me orën biologjike”.
Punonjësit që punojnë në kompani që kanë orar strikt për të gjithë mund të kenë probleme. Por gjithnjë e më shumë kompani po fillojnë të kuptojnë rolin e rëndësishëm të kronotipit në rendimentin e tyre dhe po nxisin njerëzit të zbulojnë kronotipin e tyre.
Në artikull, për shembull, “The Times” i referohet një fabrike çeliku, ThyssenKrupp në Gjermani, e cila ka caktuar turnet në bazë të kronotipeve. Kërkuesit zbuluan se punonjësit arrinin të flinin më shumë (dhe më mirë).
Në Danimarkë, në kompaninë farmaceutike “AbbVie”, punonjësit ndjekin një program formimi 9-orësh që i ndihmon ata të kuptojnë se kur duhet të përballen me projekte të vështira dhe të përcaktojnë programin e tyre të punës në përputhje me rrethanat. Pjesa më e madhe e kompanive gabojnë në kronobiologji.
Megjithatë, këto praktika, vështirë se mund të bëhen normë. Një studim i vitit 2014, i publikuar në “Journal of Applied Psychology” zbuloi se menaxherët kanë në përgjithësi paragjykime pozitive në lidhje me “njerëzit e mëngjesit”. Punonjësit që vijnë herët në mëngjes perceptohen në përgjithësi si më të ndërgjegjshëm dhe marrin një vlerësim më të lartë krahasuar me ata që vijnë më vonë në punë, edhe pse ata që vijnë të parët ikin edhe më herët.
Ndërsa Christopher M. Barnes, profesor i asociuar i manaxhimit në Foster School of Business në Universitetin e Washington, shkruan në një artikull të “Harvard Business Review” në vitin 2015, se pjesa më e madhe e kompanive gabojnë në kronobiologji. “Shumë punonjës janë të ‘dënuar’ gjatë gjithë mëngjesit të shkruajnë dhe t’u përgjigjen email-eve, gjë që u merr atyre një pjesë të madhe energjie.
Ndërkohë, një studim i vitit 2017, i publikuar në Academy of Management Review, përqendrohet në potencialin e “diversitetit kronotipik” në grupet e punës, ose tek ata grupe personash ku disa janë “njerëz të mëngjesit” dhe të tjerë “njerëz të natës”. Autorët e studimit shkruajnë se diversiteti i kronotipit mund të ketë efekte pozitive ose negative, na varësi të natyrës së punës.
Kompanitë që nuk e njohin qartë rolin e diversitetit kronotipik mund t’u japin punonjësve mundësinë të punojnë në orare fleksibël. Për shembull, në kompaninë e web app Basecamp, punonjësit mund të punojnë kudo në çfarëdo momenti që të duan, me kusht që puna të bëhet.
*Shana Lebowitz
Burimi: Business Insider