Pasi panë një rënie të të ardhurave në 2014-n, televizionet kryesore në vend kanë arritur të rikuperojnë një vit më pas, të ndihmuara nga zgjedhjet lokale, por dhe nga rritja e buxheteve të dy reklamuesve më të mëdhenj në vend, Vodafone dhe Telecom Albania. Edhe vetë televizionet kanë shtuar përpjekjet, duke bërë oferta më tërheqëse për bizneset dhe duke investuar në pasurimin e programacionit.
Por, rritja e të ardhurave nuk i ka ndihmuar aspak televizionet kryesore, që në pjesën më të madhe kanë parë një rënie të ndjeshme të fitimeve për të dytin vit radhazi, duke qenë larg niveleve të vitit të mbarë 2013.
Top Channel
Top Channel mbetet televizioni më i madh në vend sipas të ardhurave, me një xhiro të deklaruar prej 1.65 miliardë lekësh (gati 12 mln euro), me një rritje të lehtë prej 2% në 2015-n, që vjen pas tkurrjes prej gati 8% në vitin e mëparshëm. Numri i sekondave reklamë të transmetuara në 2015 shënoi një rritje me 6%, sipas të dhënave nga Idra Media (shih grafikun: Televizionet kryesore, sipas sekondave të reklamave të transmetuara, 2015). Teksa të ardhurat janë rritur lehtë, shpenzimet janë zgjeruar me ritme më të shpejta, duke bërë që fitimi pothuajse të përgjysmohet në 9 milionë nga 14 milionë lekë në 2014-n, duke qenë shumë larg niveleve prej rreth 141 milionë lekësh në 2013-n. Norma e fitimit në 2015-n ishte minimale, më pak se 1%.
TV Klan
Televizioni i dytë më i madh në vend nga të ardhurat është TV Klan, me një qarkullim vjetor prej 997 milionë lekësh në 2015-n, me një rritje prej 17% në raport me një vit më parë, duke pasur performancën më të mirë nga të gjithë televizionet për tërheqjen e më shumë reklamave. Eptan Lohja, drejtor i marketingut të Tv Klan tha se rritja e shikueshmërisë dhe larmishmëria e programacionit kanë ndihmuar në shktimin e të ardhurave nga reklamat, ndërsa tendenca vijon të jetë pozitive.
Të ardhurat u rritën pavarësisht se sekondat e reklamave të transmetuara ranë me 15% për të njëjtën periudhë, sipas të dhënave nga Idra Media.
Edhe Klan nuk i ka shpëtuar tendencës së rënies së fitimeve. Në vitin 2014, TV Klan rezultoi me një fitim prej 118 milionë lekësh (normë fitimi 12%), nga 175 milionë lekë vitin e mëparshëm. Rritja e shpenzimeve të personelit dhe shpenzimeve të tjera operative janë arsyet kryesore të përkeqësimit të treguesit të përfitueshmërisë. Ndërsa në 2013-n, ai renditej ndër 100 kompanitë me fitime më të larta, me 303 milionë lekë.
Vizion Plus
I treti televizion më i madh në vend, sipas të ardhurave, është Vizion Plus, që ka parë rritje të të ardhurave me 14%, në 472 milionë lekë. Edhe sekondat e reklamave të transmetuara janë zgjeruar me 11.3%, sipas të dhënave të Idra Media.
Ndryshe nga dy televizionet e mëdha, Vizion Plus ka shënuar një rritje të fitimeve nga 3.2 në 8.8 milionë lekë në 2015-n. Megjithatë, ato janë shumë më poshtë nivelit prej rreth 23 milionë lekësh në 2013-n. Norma e fitimit në 2015-n ishte vetëm 1.9%.
Jerina Lalaj, drejtoreshë e shitjeve dhe marketingut në Vizion Plus e konfirmon tendencën në rritje të reklamave edhe për 2016-n, duke përmendur disa nga arsyet si “riorganizimi i programacionit, spektakli “Tu Si Que Vales” këtë vit ka qenë me pjesëmarrje dhe numra të jashtëzakonshëm. “Al Pazar” vazhdon të jetë spektakël i preferuar i publikut. “Apartamenti 2XL” mbizotëron ndjeshëm të martave me humorin atipik. Janë shtuar 2 telenovela turke në fashën e pasdites me produksione të famshme njëra e zhanrit dramë dhe tjetra e zhanrit komedi”.
Televizionet e lajmeve, News 24 ruan kryesimin dhe ritmet e larta të rritjes
Pesë vitet e fundit, investimet në televizionet informative u shtuan ndjeshëm dhe ato njohën një rritje të audiencës dhe të të ardhurave.
Konkurrenca u shtua ndjeshëm dhe brenda pak minutash lajmet dhe pamjet për vrasjet apo aksidentet, apo deklaratat politike transmetohen në të gjitha televizionet informative.
Por, pas rritjes së shpejtë, disa televizione informative kanë filluar të ndiejnë krizën e reklamuesve, teksa po konkurrohen fort nga mediat online, por edhe nga njëri-tjetri. “Televizionet informative do vazhdojnë të bien, është trend natyral. Informacionin tashmë e gjen kudo”, thotë Lalaj e Vizion Plus.
Të ardhurat e ABC News ranë me 6% me bazë vjetore, në 123 milionë lekë, ndërsa ai vijon të jetë me humbje.
Pas konflikteve dhe ndarjes së pronarëve Ai Report (TV Ballkan) ka deklaruar rënie të të ardhurave me 19% në 78 milionë lekë dhe humbje të larta prej rreth 22 milionë lekësh.
Por, të mëdhenjtë duket se po rezistojnë dhe po konsolidojnë pozitat në një treg ku konkurrenca sa vjen e shtohet.
News 24, televizioni më i madh informativ në vend, ka vijuar me rritje 30% të të ardhurave në 2015-n, i ndihmuar dhe nga zgjedhjet lokale. Ndonëse monitorimet e Idra Media flasin për një rënie të sekondave të reklamave të transmetuara për 11 mujorin 2016 me 5%, Vilma Mesareja, drejtoreshë marketingu në News 24 thotë se të ardhurat rezultojnë në rritje me 17% për 2016 dhe tendenca pritet në zgjerim edhe vitin e ardhshëm, teksa kërkesa e lartë nga reklamuesit ka mundësuar mbajtjen e çmimeve më të shtrenjta. Shtimi i të ardhurave, sipas znj.Mesareja, ka ardhur si rrjedhojë e larmisë dhe freskimit të programacionit dhe rritjes të shikueshmërisë, ku News 24 ka arritur të jetë i dyti në audiencë dhe në oraret e mbrëmjes, ndonëse konkurrenca është e lartë nga televizionet e përgjithshme në ‘prime time’.
Me ecuri pozitive ka rezultuar Ora News, që ka njohur një rritje të të ardhurave me 41% në 227 milionë lekë, ndërsa për herë të parë ka dalë me një fitim prej rreth 26 milionë lekësh.
Televizioni me profil ekonomik Scan ka raportuar rritje të ardhurash me 4%, në 98 milionë lekë, teksa ka parë dhe një katërfishim të fitimeve.
Më pak sekonda reklame në vitin 2015
Në mëngjes, përgjatë ditës, apo në orarin më të ndjekur të darkës, 8 televizionet kryesore kanë transmetuar për teleshikuesit rreth 21 milionë sekonda reklama në vitin 2015, sipas të dhënave të monitoruara nga Idra Media, me një rënie prej 6% në raport me 2014-n.
Top Channel është televizioni që ka transmetuar më shumë kohë publicitare, duke ia kaluar Klan, që mbizotëronte në 2014-n.
Në vend të tretë, për nga koha e publicitetit të transmetuar renditet News 24, e ndjekur nga Vizion Plus dhe Ora News.
Sektorët më të mëdhenj reklamues, sipas kohës së reklamave të transmetuara, vijojnë të mbeten telekomunikacionet, të ndjekura nga tregtia me pakicë, që në 2015-n ka shënuar rritje të ndjeshme, si rrjedhojë e zhvillimit të zinxhirëve të organizuar të supermarketeve. Më pas renditen televizionet (kryesisht reklamat e DigitAlb dhe Tring TV), kujdesi shëndetësor, të ndjekura nga pajisjet elektronike, dyshekët, pijet farmaceutike etj., sipas grafikut të mëposhtëm. Shumë kategori, si telekomunikacionet, televizionet, kujdesi shëndetësor, pijet joalkoolike, rezultojnë të kenë ulur kohën e reklamimit në 2015-n. Në rritje të ndjeshme ishin tregtia me pakicë, bankat dhe ushqimet.
Për numër spotesh, e para, sipas të dhënave të IDRA Media në 2015-n, renditej Top Shop (Studio Moderna), reklamat për produktet e së cilës mund t’i gjesh në çdo orë të ditës në pjesën më të madhe të televizioneve. Megjithatë Studio Moderna (Marka “Top Shop”) ka një buxhet modest në raport me reklamuesit e tjerë, ajo arrin të përfitojë kohë më të madhe televizive, për shkak se zgjedh oraret e paradites apo drekës, kur tarifat e kohës publicitare janë të ulëta.
Dy kompanitë e telekomunikacionit, Albtelecom dhe Vodafone, renditen më pas për numër spotesh, të ndjekura nga Digitalb.
Tendenca e 2016-s
Të dhënat e monitorimeve nga Idra Media për 11-mujorin 2016 tregojnë se koha reklamuese e transmetuar në pjesën më të madhe të televizioneve ka rënë në krahasim me 11-mujorin 2015. Kësaj tendence i kanë rezistuar TV Klan, Vizion Plus e ABC News, që kanë arritur të transmetojnë më shumë reklama. Këto kanë ndikuar që koha totale e reklamave të transmetuara të rritet me 5% për 11- mujorin 2016, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
TV Klan ka kaluar sërish si reklamuesi më i madh, për sa u përket sekondave publicitet të transmetuara në 11 muajt e 2016-s.
Telekomunikacionet, televizionet dhe tregtia me pakicë, rezultojnë të kenë ulur kohën e transmetimit të reklamave në 11 muajt e 2016-s. Rënia e tyre është kompensuar nga të tjerë sektorë që kanë kërkuar më shumë hapësirë televizive për të reklamuar produktet e shërbimet e tyre, si ushqimet, bankat, pijet alkoolike, produktet e kujdesit shëndetësor etj.
Nga kompanitë reklamuese më të mëdha, tkurrjen më të lartë të kohës reklamuese e ka shënuar Studio Moderna (Top Shop). Vodafone dhe Telecom Albania kanë kaluar si reklamuesit më të mëdhenj, edhe për sa i përket kohës televizive në 2016-n.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.