2017 do të jetë viti i Portugalisë sa i përket turizmit. Ushqimi i mirë, natyra jo e ndotur dhe atraksionet historike e bëjnë Portugalinë një ndër më popullorët për vitin e ri. E nëse në vitin 2016 u regjistrua rritje e numrit të turistëve në Portugali, 2017-a do të ketë një bum vizitash.
Këtë e kish bërë të ditur pak kohë më parë guida e ‘Best in Travel 2017’, realizuar nga Lonely Planet, që zgjodhi Portugalinë si “Vendin e ëndrrave” në vitin 2017. Pas Tailandës në vitin 2015 dhe Islandës në vitin 2016, ky është momenti i Portugalisë.
Portugalia ia ka dalë t’i mundë të gjithë destinacionet ‘top 2017’. Ajo që i tërheq më shumë turistët është mbi të gjitha bukuria e Lisbonës, por edhe parajsa tokësore e Azzore e Porto, që konsiderohet si një nga qytetet më të leverdishme në botë ku mund të kalohet një javë pushimi me kosto të ulët mes historisë, natyrës dhe ushqimit të mirë.
Si të mos mjaftonte e gjithë kjo për të bindur çdokënd të merrte avionin dhe të shkonte në Portugali, vendi ka fituar mbi 24 Oscar në “World travel awards” duke thyer çdo rekord dhe duke u konfirmuar edhe një herë si destinacioni i preferuar i turistëve në vitin 2017.
Përveç kësaj, Portugalia është vërtet në gjendje të ofrojë një paketë të plotë turistike, të tërheqë turistët më kureshtarë, ata që duan të relaksohen dhe të pasionuarit e natyrës, historisë dhe kuzhinës së mirë.
Këtu përmendim Muzeun e Artit, Arkitekturës dhe Teknologjisë përgjatë lumit Tejo, pamjet që të lënë pafrymë të arkipelagut të Azzorre dhe nëntë ishujt me origjinë vullkanike në Oqeanin Atlantik deri në tërheqjen magnetike të Lisbonës, skenë e ngjarjeve të mëdha historike dhe festivaleve ndërkombëtare dhe një kuzhine që të bën të lëpish gishtat!