Moti i qëndrueshëm gjatë muajve të verës ka bërë të mundur që të rriten vizitorët në Zvicër. Gjatë sezonit që sapo lamë pas, në hotelet në Zvicër janë regjistruar 12 milionë turistë, që është për 6 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Siç bën të ditur Zyra Federale për Statistikë në një njoftim të saj, rritja e numrit të vizitorëve ka të bëjë më së shumti me ardhjen e turistëve nga SHBA. Po kështu, rritja vjen dhe nga trendi i përvitshëm i turistëve nga Gjermania, të cilët përbëjnë numrin më të madh të turistëve që vizitojnë Zvicrën.
Nga ana tjetër, ekspertët pohojnë se në rritjen e këtij tregu ka ndikuar dobësimi i frangës zvicerane.
Në përgjithësi turizmi zviceran po tregon një trend të qartë rritjeje, ka thënë drejtori i Turizmit Zviceran, Jürg Schmid, shkruajnë mediat vendase.