Navigimi në internet përmes kompjuterave, laptop-it, dhe sidomos smartphone është kthyer në një mjet të preferuar të kalimit të kohës edhe në Shqipëri, për t’u informuar, parë filma, debatuar, për të treguar pjesë nga jeta e përditshme në rrjetet sociale, për të bërë blerje etj.
Penetrimi i internetit në vend ka arritur në rreth 70%, sipas dataportal.com, ndërsa në rritje të ndjeshme është pëdorimi i internetit nga celularët. Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për tremujorin e tretë numëroheshin 2.19 milionë përdorues të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë në Shqipëri. Krahasuar me një vit më parë, numri i përdoruesve është rritur me 12%.
Por, cilat janë faqet që janë viztuar më shumë në Shqipëri muajin e fundit. Renditja është bërë nga Alexa.com (https://www.alexa.com/topsites/countries/AL), një faqe e specializuar për renditjen, që përdor një metodologji që kombinon trafikun e vlerësuar të një faqeje dhe angazhimin e vizitorëve gjatë tre muajve të fundit. Në listë mbizotërojnë rrjetet e njohura sociale, mediat informative e argëtuese (përfshirë dhe ato porno).
10 faqet më të klikuara në Shqipëri
Vendin e parë e zë motori i kërkimit google.com, ku një visitor shpenzon rreth 17 minuta në ditë, duke kërkuar informacione të ndryshme.
Në vend të dytë është kanali i youtube.com, ku mesatarisht një visitor shpenzon 19 minuta në ditë duke dëgjuar muzikë, apo parë video të ndryshme. Youtube ështe dhe faqja ku shqiptarët shpenzojnë më shumë kohë kur rrinë në internet.
E njëta renditje është dhe globalisht, me google dhe youtube, përkatësisht në vend të parë dhe të dytë.
Në vend të tretë është bongacams, një faqe argëtimi.
Nga portalet e lajmeve, burimi kryesor i informacionit është balkanweb.com, që renditet e katërta më e klikuara në vend, me mesatarisht 8 minuta për përdorues në ditë, që kalohen duke u informuar për lajmet e fundit.
Balkanweb ndiqet nga faqja e të njëtit grup, panorama.com.al, që renditet e pesta.
Në vend të gjashtë është syri.net, një portal informativ, që është rritur vazhdimisht vitet e fundit.
E shtata është gjirafa.com, një portal ku mund të kërkosh gjithka, nga lajmet te mallrat për të blerë.
Në vend të tetë është portal tjetër i lajmeve gazetaekspres.com.
Facebook.com është rrjeti social më i preferuar në Shqipëri, duke u renditur në vend të nëntë, me 17 minuta për përdorues. Edhe në nivel global, facebook është më e përdorura.
TvKlan.al është faqja e dhjetë më e klikuar në vend.
Të tjerat
Abcnews.al është faqja e 12 më e klikuar në vend, ndërsa renditet si media informative ku përdoruesit shpenzojnë më shumë kohë, me rreth 10 minuta në ditë.
Pas Abcnews, portalet më të klikuara renditen Anabelmagazine.com (vendi i 14) dhe Classlifestyle.com (15), të dyja të fokusuara në lajmet e “lifestyle”.
Në Instagram (16), një përdorues shpenzon mesatarisht 9 minuta në ditë për të ngarkuar apo parë foto të ndryshme. Tiktok, rrjeti tjetër social, që po bëhen konkurrues kudo në botë, renditet e 44-a.
Top Channel, që pak vite më parë ishte ndër faqet më të klikuara në vend, renditet sipas Alexa në vend të 22.
Netflix, platforma televizive me pagesë renditet në vendin e 30.
E-Albania, portali qeveritar ku tashmë bëhen pjesa më e madhe e veprimeve nga qytetarët si për marrje certificate, aplikime për pasaportë, kartë identiteti, patent, etj është në vend të 37.
Pwr blerjet online, më e preferuara është Aliexpress.com (42).
Monitor
“Monitor”, e specializuar për ekonominë, si përmes Revistës së përjashme ashtu dhe portalit Monitor.al, që së fundmi u prezantua me faqen e re, ka hyrë për herë të parë në renditjen e 100 faqeve më të klikuara në Shqipëri, në vendin e 95. https://www.alexa.com/siteinfo/monitor.al#section_traffic.
Bankat
Me rritjen e shërbimeve online, bankat janë rritur gradualisht në listën e faqeve më të klikuara. Raiffeisen.al është në vendin e 52, BKT është e 85, Credins (123), UnionBank (170), Intesasanpaolo (202), Tirana Bank (383), OTP (394), ndërsa bankat e tjera janë më poshtë në renditje dhe nuk jepet pozicioni nga Alexa.
Renditja e 50 faqeve më të klikuara në vend, sipas Alexa
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.