Autoshkollat në Shqipëri janë shndërruar në biznese fitimprurëse, me rritjen e numrit të drejtuesve të mjeteve, rritjen e zotërimit të një makine dhe ‘etjen’ e femrave që përbëjnë shumicën e frekuentueseve. E ndërsa konkurrenca shtohet çdo ditë, problematikat e këtij sektori përfshijnë taksat e larta, amortizimin e shpejtë dhe procedurat e gjata për aplikantët
Nga Deada Hyka
Të mësosh të drejtosh makinën dhe të mësosh të drejtosh një biznes janë çuditërisht përpjekje të ngjashme. Kur mësoni të drejtoni një mjet, nuk e dini se çfarë duhet t’u kushtoni vëmendje. Në dukje janë një milion gjëra që po ndodhin rreth jush dhe disa prej tyre mund t’ju vrasin, nëse nuk ua vini veshin atyre.
Nëse jeni fillestar kjo mund t’ju shkaktojë panik. Kur dini se si të drejtoni mjetin, mbështeteni në përvojën tuaj dhe e dini se çfarë duhet t’i kushtoni vëmendje dhe çfarë mund të injoroni ose të mos mendoni gjatë për të. Të mësosh të drejtosh një biznes është e ngjashme. Ka një milion gjëra që ju mund të bëni dhe disa prej tyre do të ‘vrisnin’ biznesin tuaj në qoftë se ju nuk u kushtoni rëndësi atyre. Po kur bëhen bashkë? Sipas disa prej autoshkollave në kryeqytet, të drejtosh një biznes autoshkolle është një sipërmarrje e vështirë, me problematika dhe me një treg të mbingopur.
Treg në zgjerim
Edhe pse nuk ka shifra të sakta se sa është numri i qytetarëve që pajisen me leje-drejtimi në një vit, fakt është se numri i atyre që pajisen me patentë është dyfishuar në raport me pak vite më parë. Kërkesa e madhe e qytetarëve për pajisjen me leje-drejtimi ka rritur konkurrencën midis autoshkollave që veprojnë në Qarkun e Tiranës. Vetëm në Tiranë vlerësohet të jenë mbi 60 autoshkolla, ndërsa në Durrës më shumë se 20 të tilla. Në qytetet e vogla, numri i tyre varion nga 2 deri në 5.
Në Tiranë, autoshkollat pohojnë se rritja e konkurrencës është reflektuar me uljen e çmimit të kursit. Një kursanti, kursi i patentës i kushton mesatarisht 30 mijë lekë, pa shpenzimet e tjera të Kryqit të Kuq, apo analizave mjekësore paraprake. Nga Shoqata e Autoshkollave Shqiptare pohojnë se ky treg, gjithnjë e më në rritje, është nën monitorim të vazhdueshëm, që të garantohet konkurrencë e ndershme dhe shërbim cilësor për qytetarët. Sipas tyre, shtimi i kërkesave nga ana e kursantëve për leje-drejtim rrit nevojën e monitorimit të subjekteve, për të theksuar Sigurinë në Rrugë.
Problematika
Taksat e larta me të cilat përballen gjatë ushtrimit të aktivitetit, procedurat e tejzgjatura që duhet të kryejnë kursantët para regjistrimit për nisjen e kursit të patentës, kryesisht për Kryqin të Kuq, si dhe amortizimi i mjeteve, si kosto shtesë e aktivitetit të tyre. Këto janë vetëm disa nga vështirësitë që hasin autoshkollat në kryeqytet.
Kandidati për marrje patente, ka në dispozicion 6 muaj për fitimin e provës së teorisë, duke filluar nga data e përfundimit të programit përgatitor të teorisë. Procedurat që kryhen në këtë drejtim, flasin për një mesatare prej minimalisht 3 muajsh për kursant. Pjesa më e madhe e tyre e shtyjnë datën e dhënies së provimit, ose ngelin në testin teorik (numri i dhënies të të cilëve është 5, më pas duhet të përsëritësh kursin). Nga ana tjetër, pas marrjes së testit teorik, koha për të marrë testin praktik, është 5 javë. Por sipas burimeve në autoshkolla, mund të jetë edhe më shumë se kaq, për shkak të vonesave nga të dy palët: kursantët dhe instruktori.
Koha për marrjen e një leje-drejtimi zgjatet më tej. Vonesat e drejtuesve të komisionit rëndojnë dukshëm mbi autoshkollat, pohojnë instruktorët nga disa autoshkolla në kryeqytet. Në ditët e përcaktuara për t’u futur në provim kursantët, shtyhen datat nga Komisioni i Lejeve të Drejtimit, i cili ka të drejtën për të bërë një gjë të tillë. E gjitha kjo përkthehet në kosto për autoshkollat, duke qenë se deri në momentin e përfundimit të kursit të plotë për një kursant, mundësia e nisjes së një kursanti tjetër është e kufizuar, për shkak të numrit të ulët të instruktorëve në një autoshkollë. Sipas Halitit, një instruktor autoshkolle prej më shumë se një dekade në kryeqytet, numri i kursantëve në ditë ka arritur edhe në 12, duke vështirësuar punën.
Një tjetër problem i ngritur nga autoshkollat është edhe numri i pakët i inspektorëve që marrin në provime kursantët, si në teori, edhe në praktikë. Në Tiranë, provimi i autoshkollës kryhet në një zonë të Kasharit, ku një kursanti i duhet më shumë se sa 8 orë për të përfunduar testimin. Sipas Halitit, kjo ndodh për disa arsye.
“Ambienti ku nis testi i provimit të praktikës ka vetëm një pistë për parkim. Kjo do të thotë, se në një ditë normale provimi, ka mbi 100 kursantë dhe vetëm dy komisionerë. Duhet të shtojnë patjetër ambientet e parkimit dhe numrin e komisionerëve, që provimi të nisë njëkohësisht dhe të përfundojë më shpejt. Kursantit i duhet të presë mbi 8 orë që t’i vijë radha e provimit të drejtimit të makinës, ndërkohë ne instruktorët harxhojmë më shumë se sa një ditë normale pune atje, në pritje të përfundimit të provimit të studentëve tanë”,- pohon ai.
Drejtues të tjerë autoshkollash në kryeqytet pohojnë se është një nga bizneset më të vështira, sepse autoshkollat paguajnë edhe licencën e aktivitetit, që rëndon ekonomikisht në aktivitetin e tyre.
Këto tarifa, si dhe burokracitë e tepruara për përmirësimin e kuadrit ligjor për funksionimin e autoshkollave, po i dëmtojnë këto biznese. Sipas Shoqatës Kombëtare të Autoshkollave, këto problematika janë ngritur herë pas here prej tyre, por nuk kanë gjetur zgjidhje, duke çuar jo pak herë disa prej tyre drejt falimentimit. Prej disa vitesh, drejtuesit e autoshkollave në vend kanë bërë një peticion drejtuar Ministrisë së Transporteve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, duke paraqitur kërkesat e tyre. Përfaqësuesit e autoshkollave kërkojnë që edhe dëshmia e Kryqit të Kuq të zhvillohet pranë tyre. Realizimi i kërkesave dhe përmirësimi i kuadrit ligjor, sipas tyre, do të zvogëlonin vështirësitë e sektorit dhe do të ndikojë edhe në përgatitjen më cilësore të kandidatëve me një kulturë rrugore më bashkëkohore.
Një problem tjetër për drejtuesit e autoshkollave është edhe pamundësia e adoptimit të teknologjive në reja në mësimin e kandidatëve për patentë, duke qenë se nga ana ekonomike është shumë e vështirë blerja e pajisjeve të shtrenjta dhe smart, ndërkohë që çmimi i kursit nuk i tejkalon 30 mijë lekë (mesatarisht).
Jo më luks
Të kesh një makinë nuk është më një luks dhe marrja e leje-drejtimit nuk është më një ekskluzivitet. Prania e më shumë se 60 autoshkollave në kryeqytet flet për një treg në rritje dhe një numër gjithnjë e më të lartë të kërkesave për të kryer kursin e leje-drejtimit
Shoqata e Autoshkollave Shqiptare: Të lehtësohen procedurat
Behar Laze, kreu i Shoqatës së Autoshkollave Shqiptare, pohon për “Monitor” se prej vitesh kanë depozituar kërkesën për shkurtimin e procedurave dhe veprimeve administrative për kursantët pranë strukturave përgjegjëse. Ai tha se regjistrimi online i kursantëve do të ishte hapi i parë në lehtësimin e procedurave.
Laze tha se një hap tjetër do të ishte shkurtimi i veprimeve administrative për marrjen e dy autorizimeve teori-praktikë dhe njohjen e marrjes së provimit teorik, edhe kur nuk arrihet të merret provimi praktik në regjistrimin e parë. Ai thekson se, Shqipëria si një vend kandidat i BE-së, e ka të nevojshme përputhjen e legjislacionit shqiptar me atë të vendeve të Bashkimit Europian.
“Në disa takime që kemi pasur me struktura europiane që veprojnë në këtë sektor, u kemi bërë të ditur shqetësimet tona, që lidhen kryesisht me procedura të gjata dhe të panevojshme. Përfaqësuesit e Shoqatës Europiane të Autoshkollave na këshilluan, në takimin e vitit të shkuar, se duhet vendosur një rikualifikim i komisionerëve. Ata theksuan nevojën e përgjithësimit të procedurave në gjithë vendet e BE-së. Sipas tyre, direktiva e ardhshme e BE do të fokusohet kryesisht tek informimi i drejtuesve të mjeteve dhe ajo që duhet të kihet parasysh nga gjithë autoshkollat është që një procedurë e tillë do të jetë e zbatueshme në nivel europian”, – thotë z, Laze
Ai pohon se ka edhe problematika të tjera që lidhen me periudhat e përgatitjes së kursantëve në nivelin praktik dhe teorik, kryesisht me mënyrën se si punojnë autoshkollat, sa instruktorë vënë në dispozicion për klasat, numri i ulët i komisionerëve gjatë provimit praktik etj.
Konkurrenca ka sjellë aplikimin e çmimeve të ndryshme, për sa i përket kursit të patentës. Por vetëm një numër i vogël autoshkollash konkurrojnë me teknologji bashkëkohore në procesin e mësimdhënies së teorisë, e cila është baza për njohjen dhe respektimin e Kodit Rrugor, nga kursantët dhe shoferët, të cilët dalin në rrugë pasi marrin lejen e drejtimit. Autoshkolla “ACA” ofron prej disa vitesh kushte bashkëkohore në të dyja fazat e përfitimit të lejes së drejtimit, si teorik, edhe praktik.
Sipas administratorit të kësaj autoshkolle, z. Eridon Lameborshi, përpjekjet për të qenë atraktiv në treg lidhen kryesisht me flotën e re dhe moderne në kursin praktik, si dhe ofertat e shumta për të tërhequr kursantë. Autoshkolla ACA ofron një paketë prej 29 mijë lekësh të të gjithë kursit, me 5 mijë lekë ulje për të gjithë të rinjtë, të cilët sapo kanë mbushur 18 vjeç, mosha e lejuar për të nisur kursin e lejes së drejtimit. Z. Lameborshi thekson se në Tiranë ka konkurrencë, por edhe numri i kursantëve është në rritje.
Nga një vëzhgim te rreth 10 autoshkolla në Tiranë, çmimet e kursit nisin nga 200 deri në 400 euro. Kjo paketë, e cila është ndër më të shtrenjtat në treg, përfshin kursin e plotë të teorisë dhe praktikës, kursin e ndihmës së parë dhe asistimin gjatë marrjes së analizave të nevojshme shëndetësore paraprake. Mund t’ju duket e çuditshme, por në paketë ofrohet edhe ‘mbështetje psikologjike’, për të cilën autoshkolla të caktuara pohojnë se është tepër e nevojshme t’i qëndrohet afër një kursanti dhe të marrë fund epoka ku instruktorët ishin të rreptë gjatë provave praktike.
Një tjetër skemë që i jep mundësinë autoshkollave që të rrisin fitimet janë kurset që ofrojnë për persona që e kanë marrë prej vitesh patentën por nuk e kanë ushtruar, ose për studentët, të cilët kanë marrë provimin praktik, por e vlerësojnë të nevojshëm që të marrin disa seanca më tepër leksione praktike, kryesisht me makinën e tyre personale. Çmimi për seancë nis nga 12 mijë lekë dhe autoshkollat vënë në dispozicion instruktorët e tyre në ditët dhe oraret më të favorshme, sipas kërkesave.
Nga autoshkollat në kryeqytet ofrohet edhe mundësia e pagesës me këste. Kjo u vjen në ndihmë një shtrese e cila nuk ka mundësi financiare, si dhe personave të cilët u ofrohen punë të caktuara si shoferë, ndaj e kanë të nevojshme marrjen e një leje-drejtimi, për arsye punësimi.
Skema mashtrimi
Jo pak raste mashtrimi janë evidentuar edhe në këtë sektor. Autoshkolla “fantazmë”, të cilat pasi marrin licencën, janë jashtë kontrollit të institucioneve shtetërore, po shesin në mënyrë të paligjshme patenta vetëm për 2 deri në 3 mijë lekë nga 23 deri në 35 mijë që varion kursi i patentës. Denoncime të tilla kanë ardhur shpesh nga Shoqata e Autoshkollave. Sipas kreut të saj, ata e monitorojnë vazhdimisht tregun për të garantuar konkurrencë të ndershme dhe shërbim cilësor për qytetarët.
“Nga femra, për femrat”
Marrja e një leje-drejtimi nuk është më një ekskluzivitet për meshkujt. Përkundrazi, numri i femrave që janë pajisur me leje-drejtimi ka shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit. Kjo pohohet edhe nga autoshkollat, të cilat thonë se raporti i kursantëve djem-vajza aktualisht është 1-5.
Një ndër tendencat e viteve të fundit në Tiranë është ofrimi i kursit të patentës nga instruktore femra. Autoshkolla ONE është një prej tyre. Numri i kursanteve femra pranë tyre është rritur ndjeshëm, duke qenë se mes kësaj gjinie, krijohet një aleancë që eliminon edhe diskriminime të mundshme që femrat hasin nga instruktorët meshkuj.
Licencimi
Subjektet autoshkollë, për t’u pajisur me licencë, duhet të paraqesin pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB):
- Dëshminë e aftësisë profesionale të mësuesit të teorisë ose, në mungesë të saj, nga kërkuesi, kontratën me një person të pajisur me këtë dëshmi, i cili do të jetë edhe drejtuesi teknik i autoshkollës;
- Dëshminë e aftësisë profesionale për instruktorët e praktikës dhe kontratat që provojnë marrëdhëniet e kërkuara të punës;
- Dokumentet e pronësisë ose të marrjes me qira të një klase për zhvillimin e mësimit të teorisë;
Dokumentet e pronësisë të subjektit kërkues, për çdo mjet rrugor, të çdo kategorie leje-drejtimi apo dëshmie dhe certifikate profesionale, për të cilat kërkon licencën;- Rregullore të brendshme të funksionimit të autoshkollës;
- Dokumentin që vërteton pagesën e tarifës së pajisjes me licencë në QKB.
- Licenca, që lëshohet nga QKB, është e nënkategorisë VII.3.A “Autoshkollë”.
Licenca VII.3.A “Autoshkollë” ka kategoritë:
- VII.3.A.1 “Autoshkollë për dhënien e lejes së drejtimit” ku futen kategoritë e lejeve të drejtimit;
- VII.3.A.2 “Autoshkollë për dhënien e Certifikatave të Aftësive Profesionale (CAP)”, ku futen kategoritë e CAP;
- VII.3.A.3 “Autoshkollë për dhënien e Dëshmisë së Aftësisë Profesionale” ku futen: Automakinist; ekskavatorist; buldozierist.
Licenca është pa afat.
Autoshkollat zhvillojnë veprimtari mësimore, edukuese dhe instruktuese për formimin e drejtuesve të mjeteve me motor, sipas përcaktimeve të licencës. Objekt i Drejtorisë së Drejtuesve të Mjeteve është Licenca VII.3.A.1
Në botë
Tendencat dixhitale kanë ndikuar në çdo aspekt të jetës sonë, duke përfshirë industrinë e autoshkollave. Njerëzit këto ditë janë më të prirë drejt dixhitalizimit dhe automatizimit. Ata duan që gjithçka të jetë e arritshme në ekranet e tyre. Sipas Business Insider, zhvillimet dixhitale pritet të revolucionalizojnë industrinë e autoshkollave në botë.
Autoshkollat kudo në botë, kanë krijuar një prani të fortë në internet për të komunikuar me studentët potencialë. Ato përdorin faqet e tyre shumë interaktive për të komunikuar vlerën, përvojat dhe për të nxitur vizitorët për të praktikuar zakone të sigurta lëvizëse. Të qenët aktiv në forume të shumta u lejon atyre të komunikojnë me audiencën e synuar.
Prindërit, fillestarët ose shoferët e rritur mund të pyesin për licencat, lejet dhe ligjet e shtetit dhe për të marrë pyetjet e tyre, duhet të përgjigjen në kohë reale. Duhet të kemi parasysh se, studentët potencialë të ditëve tona, janë njerëz ngushtësisht të lidhur me rrjetet sociale dhe prania e autoshkollave online, i ka dhënë hov zhvillimi këtij biznesi. Për të komunikuar rëndësinë e sigurisë dhe përgjegjësisë në rrugë, autoshkollat po arrijnë tek audienca e tyre e synuar përmes forumeve të ndryshme të mediave sociale. Ata janë duke postuar blogs infographs dhe video për t’u angazhuar me audiencën e re. Shoferët e rinj duhet të mësohen në një mënyrë të re dhe autoshkollat kudo në botë po ndryshojnë metodat e mësimdhënies, duke futur teknologjitë e reja në mësimin e drejtimit të mjetit.
Londër, autoshkollë me Lamborghini
Ju duket e palogjikshme dhe e çuditshme që makina mësimore e një autoshkolle të jetë një Lamborghini që kushton rreth 300 mijë euro? Po, të rinjtë nga shtresa e pasur e Londrës, nuk kanë pse ta bëjnë mësimin e drejtimit të makinës, me modele të vjetra e të lira. Kjo lloj makine është parë në rrugët e Londrës në 2018, me ngjyrë portokalli, si makinat e tjera mësimore për drejtim. Dhe që të sigurohen të gjithë që me këtë lloj makine praktikohen vetëm oligarkët, çmimi i kursit të drejtimit është 22 mijë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
zoteria i shoqates nuk ka informacion te saket se sa autoshkolla jane ne tirane .nuk ka nivelin qe ti beje analizen ketij biznesi.do ti lutesha shume gazetares monitor te deklaroje se ne cilen autoshkolle e ka mare patenten dhe si e ka mare .zoteria i shoqates biznesin e tij nuk e ka te regullte dhe mos te flase per ngjyrat e makinave autoshkoolle ne angli se keshtu i pelqen nxenesit te shkolles se mesme ,,jordan misja ,, ne tirane ,zotit blendi gonxhja drejtor i dpshtrr .bashke me gjelberuesin ilir menga qe eshte turpi i ketij sherbimi skandaloz.