Bankat greke mund të rihapen vetëm pasi të marrin kapital të freskët dhe financimi nga banka qendrore të jetë i sigurt, ka pohuar Andreas Dombret, një anëtar i bordit të mekanizmit të vetëm mbikëqyrës të Bankës Qendrore Evropiane.
“Së pari, duhet garantuar që bankat greke të jenë të rikapitalizuara në masë të mjaftueshme në kuadrin e një programi të ri të ndihmës,” tha Dombret. “Së dyti, duhet të sigurohet se ka likuiditet të mjaftueshëm në dispozicion, nëse depozituesit do të duan më shumë para, pas hapjes së bankave të rikapitalizuara.”
Duke pasur parasysh se negociatat që po zhvillohen aktualisht në Bruksel në lidhje me formën e financimit të përkohshëm duhet të përmbyllen përpara se të fillojnë bisedimet për një paketë të tretë të shpëtimit, Dombret dha sinjale se BQE nuk mendon se bankat greke mund të hapen menjëherë. Bankat janë mbyllur që kur u vendosën kontrollet e kapitalit më 29 qershor.
Huadhënësit grekë kanë vuajtur përkeqësim të cilësisë së aseteve dhe një humbje të depozitave, pasi partia e udhëhequr nga Syriza erdhi në pushtet në janar. Drejtuesit e BE-së më 13 korrik të caktojnë deri në 25 miliard euro për rikapitalizimin e bankave, që do të paguhet nga të ardhurat e privatizimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.