Qeveritë e Bashkimit Europian kanë rënë dakord paraprakisht të enjten për vendosjen e një kufiri të çmimit prej 60 dollarë për fuçi për naftën ruse që transportohet në rrugë detare – një ide kjo e të Grupit të Shtatë vendeve (G7) – me një mekanizëm rregullimi për ta mbajtur kufirin 5% nën çmimin e tregut.
Marrëveshja ka ende nevojë për miratim me shkrim nga të gjitha qeveritë e BE-së deri të premten. Polonia, e cila kishte lobuar që kufiri të caktohej sa më i ulët që të ishte e mundur, deri të enjten në mbrëmje nuk e ka konfirmuar nëse do të mbështeste marrëveshjen, tha një diplomat i BE-së.
Vendet e BE-së kanë diskutuar për ditë të tëra lidhur me detajet e kufirit të çmimit, i cili synon të reduktojë të ardhurat e Rusisë nga shitja e naftës, ndërkohë që do të parandalojë një rritje të çmimeve globale të naftës pasi të hyjë në fuqi embargoja e BE-së ndaj naftës së papërpunuar ruse më 5 dhjetor.
Kjo marrëveshje do t’i lejojë vendet që të vazhdojnë importimin e naftës së papërpunuar ruse duke përdorur agjencitë e sigurimeve dhe shërbimet detare perëndimore, për sa kohë që nuk paguajnë më shumë për fuçi sesa kufiri i dakordësuar.
Propozimi fillestar i G7 javën e kaluar ishte për një kufi çmimi prej 65-70 dollarë për fuçi, pa asnjë mekanizëm rregullimi.
Një zyrtar i lartë i G7 tha se marrëveshja ishte “shumë, shumë pranë” për t’u arritur dhe duhet të finalizohet në ditët në vijim, më së shumti deri të hënën. Zyrtari shprehu besimin se kufiri i çmimit do të kufizonte mundësitë e Rusisë për të financuar luftën e saj kundër Ukrainës.
Zyrtarët e G7 kishin monitoruar nga afër tregjet e naftës gjatë konceptimit të mekanizmit për kufizimin e çmimeve dhe dukeshin “shumë dakord” me të, tha zyrtari.
Më herët, Zëvendës Sekretari i Thesarit në SHBA, Wally Adeyemo, tha në konferencën e Reuters NEXT në Nju Jork se kufiri prej 60 dollarë ishte brenda axhendës së diskutimeve të bllokut dhe do të kufizonte të ardhurat ruse.
Meqenëse nafta e papërpunuar ruse Urals tashmë tregtohet me një çmim më të ulët, Polonia, Lituania dhe Estonia nuk e pranuan çmimin më të lartë 65-70 dollarë për fuçi, me argumentin se ai nuk arrin objektivin kryesor për të reduktuar mundësitë e Moskës për të financuar luftën e saj në Ukrainë.
“Kufiri i çmimit është caktuar 60 dollarë me një mekanizëm shtesë për ta mbajtur atë 5% nën çmimin e tregut për naftën e papërpunuar ruse, bazuar në shifrat e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë”, tha një diplomat i BE-së./ Reuters